1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040810 Westerwelle Außenpolitik D

5 Gusht 2010

Për herë të parë ministri i Jashtëm gjermane Guido Westerwelle drejtoi të mërkurën (4.8.) në Berlin takimin e kabinetit. Ministri bëri një bilanc paraprak të politikës së jashtme gjermane.

https://p.dw.com/p/Oc9Z
Westerwelle drejton për herë parë mbledhjen e kabinetit në cilësinë e zv/kancelarit. Berlin, 4.8.2010
Westerwelle drejton për herë parë mbledhjen e kabinetit në cilësinë e zv/kancelarit. Berlin, 4.8.2010Fotografi: AP

Kontrolli i armatimeve dhe çarmatimi bërthamor: këto ishin për ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle temat që kanë përcaktuar për të në mënyrë të veçantë muajt e parë në detyrë. Përshëndes faktin që edhe SHBA synon të reduktojë dukshëm rëndësinë e armëve bërthamore, tha Westerwelle në Berlin. Qeveria gjermane në marrëveshje me aleatët synon largimin e të gjitha armëve bërthamore nga toka gjermane.

Politika gjermane ndaj Iranit bazohet në diplomaci

Duke iu referuar programit bërthamor të Iranit, ministri i Jashtëm gjerman tha se qeveria gjermane nuk merr pjesë në planet e mundshme të SHBA-së për sulm. Berlini vazhdon të mbështetet tek diplomacia dhe sanksionet kundër Teheranit.

Diplomaci dhe sanksione - politika gjermane ndaj Iranit
Diplomaci dhe sanksione - politika gjermane ndaj IranitFotografi: DW

"Ne kemi miratuar sanksione jo për të goditur një vend por për të kthyer në tryezën e negociatave një qeveri e cila deri tani refuzon të bashkëpunojë. Ne jemi fare qartë për rrugën politike."

Westerwelle u shpreh i shqetësuar në lidhje me Lindjen e Afërt. Përplasjet në kufirin izraelito-libanez me viktima nga të dyja palët, vërtetojnë se situata është tejet e tensionuar.

"Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me ndërgjegje dhe në mënyrë konstruktive. U bëjmë thirrje të gjitha palëve t'u kundërvihen forcave radikale, të cilat duan të minojnë rrugën drejt paqes në rajon. Këto forca radikale nuk duhet të kenë sukses."

Angazhim konstruktiv në procesin e paqes në Lindjen e Afërt

Westerwelle në Bejrut me homologun libanez Ali Shami. 22.05.2010
Westerwelle në Bejrut me homologun libanez Ali Shami. 22.05.2010Fotografi: picture-alliance/dpa

Miratimi i Ligës Arabe për bisedime direkte për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve është një sinjal inkurajues. Gjermania dëshiron të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në përpjekjet për arritjen e zgjidhjes me dy shtete.

Westerwelle përgëzoi shprehimisht vendimin e qeverisë izraelite për të zbutur bllokadën ndaj Rripit të Gazës.

"Ky është një hap në drejtimin e duhur, i cili nuk është i mjaftueshëm, por që ne e vlerësojmë dhe përshëndesim. Ne e mbështesim qeverinë izraelite në vazhdimin e këtij kursi."

Ministri u shpreh i rezervuar lidhur me udhëzimet e komandantit të ri të përgjithshëm të trupës ndërkombëtare në Afganistan, gjeneralit David Petraeus, të cilat duhet t'i zbatojnë edhe ushtarët gjermanë. Në direktivat e shpërndara me shkrim, Petraeus kërkon të bëhet kujdes me popullsinë civile por të ndiqen pa mëshirë talibanët.

Për Afganistanin përcaktues mbetet koncepti i miratuar nga bashkësia ndërkombëtare

Ne kemi miratuar një koncept për Afganistanin, i cili është i vlefshmën pasi është politika që vendos, tha Westerwelle. Ky koncept për Afganistanin është hartuar nga bashkësia ndërkombëtare me pjesëmarrjen e Afganistanit dhe gjithë vendeve që kanë trupa atje, tha ministri duke shtuar se nuk dëshironte të shprehej lidhur me çështjet ushtarake, të cilat janë kompetencë e ministrit të Mbrojtjes. Por, theksoi Westerwelle, vrasja e planifikuar e kryengritësve është për të legjitime dhe e ligjshme.

Parime të reja për bashkëpunimin me Amerikën Latine

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Rio-de-Zhanejro. Mars 2003
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Rio- de-Zhanejro. Mars 2003Fotografi: picture alliance / dpa

Kabineti qeveritar gjerman në takimin e së mërkurës (4.8.) miratoi edhe parime të reja për marrëdhëniet me 33 shtetet e Amerikës Latine. Sipas konceptit të ri ekonomia gjermane duhet të shfrytëzojë shanset që ofrohen në një nga tregjet më të rëndësishme në rritje në botë, nëpërmjet angazhimit në zgjerimin e infrastrukturës.

Baza e bashkëpunimit të ngushtë janë interesat e përbashkëta ekonomike dhe vlerat e përbashkëta, u shpreh në konferencën për shtyp ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Gjermania synon ta shtrijë edhe më tej bashkëpunimin në fusha si klima, kultura, arsimi, shkenca dhe politika e çarmatimit. Koncepti i deritanishëm i qeverisë gjermane për Amerikën Latine ishte hartuar në vitin 1995.

Autor: Bettina Marx / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj