070610 Fußball WM Wirtschaft Deutschland
7 Qershor 2010Në Afrikën e Jugut investime të tilla kanë rëndësi të veçantë, sepse ky vend dëshiron ta shfrytëzojë rastin dhe të përmirësojë infrastrukturën e tij. Nga kjo përfitojnë veçanërisht sipërmarrjet gjermane.
Afrika e Jugut investon në mënyrë gjigante
Vetëm për Kampionatin Gjerman të Futbollit u shpenzuan më tepër se 3 miliardë euro. Kësaj i shtohen investimet në sektorët e transportit dhe të energjisë, të cilat deri në vitin 2014 do të kapin shumën e rreth 20 miliardë eurove. Për firmat gjermane ky është një biznes me vlerë, thotë Heiko Schwiderowski nga Shoqata Gjermane e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë:
"Sipërmarrjet gjermane kanë përfituar nga njëra anë nga projektet, që janë në lidhje të drejtpërdrejtë me Kampionatin Botëror të Futbollit. Këto janë natyrisht në radhë të parë ndërtime stadiumesh dhe infrastruktura, që duhet ndërtuar përreth stadiumeve - parkinge, kalime rrugësh, mundësi transporti. Veç kësaj ata përfitojnë prej projekteve, të cilat përmirësojnë në përgjithësi infrastrukturën në Afrikën e Jugut, siç është furnizimi me energji."
Në këtë mënyrë në Gjermani u siguruan 15 mijë vende pune
Në rreth 1,5 miliardë euro e llogarit Shoqata Gjermane e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë vëllimin e porosive për sipërmarrjet gjermane. Në Gjermani në këtë mënyrë u krijuan, ose siguruan 15 mijë vende pune.
Heiko Schiderowski sheh dy shkaqe për rezultatet e mira të firmave gjermane në dhënien e porosive:
"Sipërmarrjet gjermane këtu përfitojnë nga fakti se kanë përvoja relativisht të freskëta me Kampionatin Botëror 2006 në Gjermani. Nga ana tjetër shumë sipërmarrje gjermane ka shumë kohë, që janë vendosur në Afrikën e Jugut. Këtu duhet përmendur para së gjithash Siemens-i. Këto sipërmarrje kanë krijuar një ndjesi të mirë për faktin se si mund të përfshihen sipërmarrjet e Afrikës së Jugut në dhënien e porosive publike. Në përputhje me këtë, një pjesë e madhe e vëllimit të projekteve mbetet te partnerët afrikanojugorë."
Përfshirja në porosidhënie e sa më shumë sipërmarrjeve afrikanojugore ishte edhe një nga kushtet e qeverisë së Afrikës së Jugut.
Autor: Andreas Becker/Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica