Interneti të bën të famshëm
24 Korrik 2012Greg Holden është një këngëtar i ri që ka filluar t'i përjetojë këto emocione vetëm prej pak kohësh. I lindur dhe rritur në Skoci, Greg vendosi një ditë që të lerë punën e tij, të shesë gjithçka dhe të shkojë në Nju Jork, në qytetin e ëndërrave, me vetëm një çantë dhe kitarën e tij. Prezantimin e tij të parë me fansat e pati në internet. “Interneti ka luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën time, ashtu siç ka bërë për shumë muzikantë të tjerë. Unë e kam nisur duke publikuar video në youtube, aty kisha shumë klikime dhe më pas njerëzit më ndiqnin edhe në koncerte. Më pas përmes internetit isha në gjendje të shisja në iTunes dhe Amazon, kështu që muzika ime tashmë mund të blihet edhe në vende ku CD-ja ime është e pamundur të shkojë,” thotë këngëtari i ri.
Tre vjet më vonë Greg Holden ka krijuar tashmë një emër dhe mund të quhet një yll. Ne e takuam atë në Mynih në pritje të koncertit të tij të radhës. Flokët e tij janë të pakrehur dhe përpara ka një gotë whiskey. Do të jetë gota e vetme për gjatë gjithë natës thotë ai. Në turin e tij Europian Greg ai lëviz nga një qytet në tjetrin me një makinë të marrë me qira.
Por rruga që ai zgjodhi për karrierën e tij duket se ka funksionuar. Për të interneti është një vend, ku mund të bëhesh i njohur, ku mund të shesësh dhe ku mund të mbash kontakt me fansat. Duke përdorur faqen kickstarter.com, Greg Holden, kërkoi paratë për të prodhuar albumin e tij. Qindra muzikantë e bëjnë një gjë të tillë përditë dhe është një konkurrencë shumë e madhe, por Greg arriti që të mbledhë më shumë se 10 mijë dollarë dhe albumi i tij doli në shitje vitin e shkuar.
Risia
Së fundmi Holden zhvilloi edhe një koncert online vetëm për fansat e tij në gjithë botën dhe skena ishte shtëpia e tij në Brooklyn. “Kjo është pak e çuditshme sepse si këngëtar pres që pasi të mbaroj performancën time, të dëgjoj ovacione nga turma, por në vend të kësaj shoh shumë komente. Njerëzit shkruajnë “whoohoo”, “yaaay”, “whoohoo”, ndaj është pak e çuditshme. Por nga ana tjetër është një koncept shumë i mirë sepse mund të më ndjekin fansat në të gjithë botën,” thotë Holden për DW.
Në koncertin e tij në Këln ishin të pranishëm 100 persona. Disa prej tyre kishin ardhur madje nga Belgjika dhe Hollanda. Atje Greg Holden është një yll në rritje. Një DJ hollandez përdori muzikën e tij për një fushatë bamirësie. Ky është një nga sukseset më të mëdhenj të të riut nga Skocia. “Deri tani kam bërë gjithëçka vetë. Në fillim të gjithë mendojnë se duhet të kesh mbështetjen e një shtëpie diskografike për t'ia dalë mbanë, por nuk është e vërtetë sepse kemi internetin. Kënga ime u kthye në hit në Hollandë për Krishtlindje dhe arrita të shes katërqind bileta. Por nëse do të dua të shes 1 mijë apo 2 mijë bileta dhe të shes miliona disqe atëherë më duhet shtëpia diskografike.”
Deri atëherë, Greg Holden, do të vazhdojë turet e tij duke udhëtuar me makinë me qira, si një muzikant dhe promotor i vetes. “Unë mendoj se në jetë nuk shkohet asgjëkundi nëse nuk rrezikohet. Unë jam ende një muzikant i varfër dhe ende nuk po fitoj shumë para, por jam duke kaluar një kohë të mrekullueshme dhe mendoj se nëse do të kisha ndenjur atje ku isha, nuk do ta kisha kaluar këtë kohë të mrekullueshme,” përfundon Holden.