Interesa turke dhe shqetësime egjiptiane
8 Janar 2020Qeveria në Kajro e vlerësoi ndërhyrjen ushtarake turke si "çështje për sigurinë kombëtare të Egjiptit". Në bisedimet e planifikuara të mërkurën në Kajro, ku do të marrin pjesë ministrat e jashtëm të Francës, Italisë, Greqisë dhe Qipros - Egjipti dëshiron të kërkojë "zgjidhje gjithëpërfshirëse" për konfliktin në Libi.
Sidoqoftë, vetë Egjipti është palë në konflikt. Qeveria e Kajros i përshkroi marrëveshjet e nënshkruara nga Ankaraja dhe Tripoli në nëntor si "jo legjitime". Egjipti pajtohet me Greqinë dhe Qipron, të cilët gjithashtu e kritikojnë marrëveshjen detare midis dy vendeve.
Interesat e Turqisë
Në konfliktin e Libisë takohen interesa shumë të ndryshme. Disa prej tyre lidhen vetëm indirekt me këtë vend, thotë Canan Atilgan, drejtuese e programit rajonal të Fondacionit Konrad Adenauer "Dialogu politik Mesdheu Jugor / Tunisi". Angazhimi turk, sipas saj, ka lidhje të madhe me konfliktin për shfrytëzimin e fushave të gazit të zbuluara vitet e fundit në Mesdheun lindor.
Disa vende fqinje themeluan në fillim të vitit 2019 Forumin Mesdhetar Lindor të Gazit. Turqia nuk merr pjesë në të. Izraeli, Qiproja dhe Greqia duan tani t'i shfrytëzojnë së bashku rezervat dhe Izraeli gjithashtu dëshiron të eksportojë një pjesë të sasisë së nxjerrë në Egjipt. Turqia e sheh veten të privuar nga pjesët që pretendon.
"Turqia nuk do të përfitonte nga thesaret nëntokësore. Ajo nuk dëshiron ta lejojë këtë," thotë Canan Atilgan në një intervistë për DW. "Përveç kësaj: po të shfrytëzohen fushat e gazit, kjo do ta kufizonte ndjeshëm lirinë e lëvizjes së Turqisë në Mesdhe. Këtë zhvillim ajo po përpiqet ta kundërshtojë duke u bashkuar me Libinë."
Shqetësimet e Egjiptit
Sidoqoftë, në Egjipt në plan të parë është një motiv tjetër: shqetësimi për tensione të reja ideologjike-politike në rast se Turqia e zgjeron praninë e saj në Libi. "Marrëdhëniet turko-egjiptiane janë shumë të tendosura që nga viti 2013", thotë Atilgan.
"Qeveria e AKP-së konsiderohet mbështetëse e fortë e Vëllazërisë Myslimane. Për më tepër, Erdogani nuk e ka fshehur kurrë refuzimin e tij për qeverinë egjiptiane. Ai e kritikon qeverinë egjiptiane si jolegjitime dhe të paligjshme."
Në këtë mënyrë, në Kajro shqetësohen se mund të ringjallet diskutimi për trajtimin nga qeveria të Vëllezërisë Myslimane. Pas rrëzimit të Presidentit Mohamed Mursi, qeveria e Abdel Fatah al-Sisit e luftoi me vendosmëri Vëllazërinë Myslimane dhe kreu shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, Egjipti nuk shqetësohet vetëm për ringjalljen e diskutimit për trajtimin që qeveria i bëri Vëllazërisë Myslimane. E shqetësuar ajo është edhe për një zhvillim tjetër të mundshëm, thotë politologu Mohamed Abdel-Qader Khalil i Institutit kërkimor egjiptian Al-Ahram Center për Studime Politike dhe Strategjike në një intervistë për DW. "Ekziston frika se Turqia mund të doja ta kthejë Libinë në një zonë dislokimi të organizatave xhihadiste dhe në këtë mënyrë të rritë më tej tensionet".