1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160511 Elektromobilität

22 Maj 2011

Deri në vitin 2020 në rrugët e Gjermanisë duhet të qarkullojnë një milionë automjete me elektricitet. Ky është objektivi i «Platformës kombëtare për Elektromobilitetin».

https://p.dw.com/p/11LGl
Vetura me elektricitet, Smart në sallonin e Automobilëve Gjenevë 2011
Vetura me elektricitet, Smart në sallonin e Automobilëve Gjenevë 2011Fotografi: media.daimler.com

Gjermania dëshiron me gjithë fuqinë që të kryesojë në tregun botëror të automobilëve me elektricitet. Këtë synim ambicioz e kumtoi kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin. Shefja e qeverisë mbështetet edhe nga ekspertë të shkencës, të industrisë dhe të sindikatave. Këta janë bashkuar në të ashtuquajturën «Platformë kombëtare për Elektromobilitetin».


Kancelarja gjermane Angela Merkel dukej që ishte e kënaqur nga raporti i dytë që i dorëzuan asaj të hënën (16 maj 2011) zotërinjtë e «Platformës Kombëtare për Elektromobilitetin». Gjatë viteve të ardhshme – siç thotë ajo vetë – ekonomia dëshiron të investojë rreth 17 miliardë euro për zhvillimin e elektroautomobilëve «made in Germany». Investimi duket se është i nevojshëm për t'i bërë ballë konkurrencës kineze, franceze dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këta janë tani për tani të parët në këtë treg.

Elektroauto
Elektroauto



Edhe politika dëshiron të shpenzojë më shumë para

Shefja e qeverisë gjermane, Angela Merkel, ka premtuar 1 miliardë euro për periudhën deri në vitin 2013. Kjo shumë është dyfishi i asaj që ishte parashikuar deri tani. Dhe këto të holla janë parashikuar të shkojnë në dobi të shkencës dhe të zhvillimit, në radhë të parë për prodhimin e baterive apo akumulatorëve të rrymës elektrike që do t'u nevojiten automjeteve të së ardhmes. Angela Merkel dhe ekspertët e "Platformës Kombëtare të Elektrombilitetit» ëndërrojnë për prodhime atraktive që do të arrijnë të shiten me sukses në mbarë botën. Por edhe brenda vendit parashikohet që nga kjo valë inovacioni të përfitojnë sa më shumë njerëz. Merkel: "Ne besojmë gjithashtu se kështu do të krijohen vende të reja pune: 30.000 deri në vitin 2020. Sërish u theksua se kualifikimi në sektorin e shkollave të larta dhe në arsimin profesional është çelësi për të pasur fuqi punëtore të aftë. Vetëm kështu ne do t'ia dalim mbanë që të arrijmë miratimin e nevojshëm të të punësuarve për këtë transformim drejt një forme të re mobiliteti. "

Optimist si kancelarja u shpreh edhe kryetari i komisionit të ekspertëve Henning Kagermann. Por projekti do të ketë kuptim nëse për përfitimin e rrymës vihen në përdorim energjitë e gjelbra, theksoi fizikani. Burimet duhet të përdoren duke pasur parasysh ruajtjen e mjedisit, tha Kagermann: "Ne tërhoqëm vëmendjen përsëri se në rrugën tonë drejt energjive të ripërtërishme na nevojiten mundësi stacionare të akumulimit të energjisë. Por ne natyrisht që mund të përdorim edhe bateritë e elektroautomobilëve si akumulatorë mobilë."

Lehtësime fiskale për t' i bërë atraktivë elektroautomobilët

Konferencë shtypi e kancelares Angela Merkel (CDU) dhe ministri i Ekonomisë Philipp Roesler (FDP), Berlin më 16.05.2011
Konferencë shtypi e kancelares Angela Merkel (CDU) dhe ministri i Ekonomisë Philipp Roesler (FDP), Berlin më 16.05.2011Fotografi: dapd



Në mënyrë që ata të pranohen menjëherë nga blerësit, për elektroautomobilët do të hiqen tatimet për dhjet vjet me radhë, bëri të ditur kancelarja Merkel. Përveç kësaj, është planifikuar që për blerjen e tyre të ketë lehtësira tatimore. Por kristiandemokratja e përjashtoi mundësinë e përkrahjes së drejtpërdrejtë financiare për blerjen e një veture elektrike. Këtu ajo mbështetet edhe nga ministri i ri i Ekonomisë, Philipp Roesler. Politikani liberal i refuzon subvencionet e drejtpërdrejta. Roesler-i është i bindur se strategjia gjermane për makinat elektrike do të ketë sukses. Ministria e Ekonomisë dhe Teknologjisë, që ai drejton, duhet të krijojë kushtet në mënyrë që shkenca, industria dhe politika të ndjekin të njëjtin qëllim - edhe në planin ndërkombëtar. Philipp Roesler: "Nuk mjafton të kemi standarde të njësuara vetëm në Gjermani, kjo duhet të ndodhë edhe në nivel evropian, në se ka mundësi madje edhe në kuadrin global, sidomos në kuadrin e SHBA-së. Një gjë është e qartë: Kush vendos standardet, i njeh ato dhe është një nga ata që e kanë në dorë tregun."


"Platforma kombëtare për Elektromobilitetin" pret që deri në vitin 2020 të ketë shumë arritje në këtë drejtim, siç u shpreh kryetari Henning Kargermann: "Ne presim që të ketë sipërmarrje të qëndrueshme e të suksesshme dhe një treg që mbahet vetë. Deri atëherë shteti do të përfitojë nga elektromobiliteti më shumë se sa do të shpenzojë për të."

Një milionë vetura elektrike do të jenë në qarkullim në Gjermani deri në vitin 2020. Kjo do të thotë 2,5 përqind e flotës së përgjithshme automobilistike që qarkullon aktualisht në rrugët gjermane.

Autor: M.Fuerstenau / A.Shuka

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora