100 vjet Bollivud - industria kinematografike më e madhe në botë
17 Prill 2013Kinemaja e Bollivudit është kinema emocionesh. Në drama klasike familjare, si për shembull në filmin "Në ditë të mira dhe të vështira" (Kabhi Khushi Kabhi Gham) të vitit 2001, tregohet dashuria e bukuroshes Anjali me djaloshin simpatik Rahul, të luajtur nga ylli i filmit indian, Shah Rukh Khan. Rahuli i kundërvihet babait të tij kokëfortë dhe të rreptë, kur vendos të martohet me Anjalin, një vajzë nga një kastë më e ulët shoqërore. Në filmin treorësh derdhen shumë lotë derisa Rahul pajtohet përsëri me babain.
Filmi i merr me vete shikuesit në një botë ëndërrash, ku të gjithë kufijtë mes të pasurve dhe të varfërve mund të kapërcehen me forcën e dashurisë. Është një botë ku traditat dhe vlerat si ndershmëria, respekti për prindërit dhe puna me vullnet, janë ende të rëndësishme. Një botë që tematizon edhe konfliktin e brezave si simbol të Indisë moderne.
Dashuria për Bollivudin i bashkon indianët, beson kritikja e filmave Shubhra Gupta nga Nju Delhi:"Unë besoj se filmi indian është një mjet demokratik në Indi. Kushdo mund të shohë një film Bollivudi, qoftë në një kinema të vogël fshati për pak rupie, qoftë në një nga kinematë gjigante luksoze në metropolet e mëdha. Është forma më e rëndësishme e zbavitjes për masat." Filmat sipas saj kanë edhe një funksion edukativ, pasi ende një e treta e popullsisë indiane nuk dinë shkrim e këndim.
Muzikë dhe valle
Në 21 prill 1913 pionieri i filmit Dhundiraj Govind Phalke i prezantoi publikut indian të parin film me historinë mitologjike "Mbreti Harishandra". Profesioni i aktorit asokohe konsiderohej i papërshtatshëm. Rolet e grave luheshin nga aktorë meshkuj të veshur si gra. Askush nuk e konsideronte atëherë të mundur se industria indiane e filmit do të bëhej një ditë më e madhja në botë.
Kinemaja e Bollivudit në vitet e saj të para u mbështet në tematikë si dhe në elementet e rëndësishëm muzikorë dhe të kërcimit në dy eposet e mëdha indiane, Ramayana dhe Mahabharata. Edhe traditat e teatrit popullor gjetën përdorim në filma, shpjegon Javed Akhtar, një nga poetët dhe skenaristët më të njohur indianë: "Muzika dhe vallja janë pjesë elementare e kulturës sonë që prej thuajse 4000 vjetësh. (...) Çdo histori e mirëfilltë indiane përmban muzikë dhe valle. Kush nuk i pëlqen këto nuk ka pse t'i shohë filmat tanë."
"Epoka e artë"
Vitet '50 të shekullit 20 cilësohen si "epoka e artë" e kinemasë popullore hindi. Regjisorë si Bimal Roy, Raj Kapoor dhe Guru Dutt arritën të integronin në filmin hindi tema serioze si largimi nga fshatrat dhe e ardhmja e pasigurtë politike e republikës ende të re. Filmat me kritikë sociale të Raj Kapoorit e bënë atë të njohur jo vetëm në Azi por edhe në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë. Që prej viteve 1970 me aktorin Amitabh Bachchan, India pati edhe yllin e parë ndërkombëtar në kinematografi. Figura e tij e "Angry Young Man" lufton në shumë filma aksioni kundër padrejtësive sociale, mafies dhe është shpesh i përjashtuar. Filmat e tij gjetën rrugën edhe në Evropë, p.sh. në Turqi, apo në Afrikën e largët, ku edhe sot janë shumë të preferuar në vende si Maroku apo Tunizia, Uganda apo Kenia.
Pas filmave të aksionit erdhën filmat e dashurisë. Ata u bënë të njohur nga fundi i viteve 1980 me aktorë të rinj e të panjohur si Aamir Khan dhe Salman Khan. Rebelimi ishte temë edhe këtu: çifti i dashuruar nuk i dorëzohej më fatit të tij, ai luftonte për lumturinë, në rast nevoje deri në vdekje. Nga vitet 1990 ngjarjet u bënë gjithnjë e më realiste. Ngjarjet e filmit "Bombey" (1995) zhvillohen në sfondin e trazirave mes hinduve dhe myslimanëve në 1993. Filmi "Me gjithë zemër" (Dil Se, 1998) trajton temën e terrorizmit dhe separatizmit. Kritikët në të gjithë botën lëvduan filma si "Na ishte një herë India" (Lagaan, 2001) apo "Dirty Picture" (2011).
Kthimi në faktor ekonomik
Industria indiane e filmit me qendrat e saj të shumta dhe filmat në gjuhë të ndryshme indiane është ndërkohë një faktor ekonomik i rëndësishëm. Sipas të dhënave të qendrës evropiane të informacionit audiovizual në Bruksel vetëm gjatë vitit 2011 në Indi janë prodhuar 1274 filma, shumë më tepër se në Hollivud. Sipas vlerësimeve çdo ditë në Indi në kinema shkojnë 14 milionë vetë. Shumë yje të dikurshëm të Bollivudit janë kthyer ndërkohë në politikanë me ndikim.
Bollivudi në transformim
Gjatë dhjetë viteve të fundit Bollivudi ka ndryshuar, thotë kritikja e filmit Shubhra Gupta: "Nuk ekziston vetëm një lloj Bollivudi. Natyrisht që kemi ende sagën klasike familjare me intriga dhe shumë lotë. Kemi dhe edhe një Bollivud tjetër, i cili edhe pse nuk heq dorë nga forma tradicionale e të rrëfyerit, intengron edhe elementë të rinj. Dhe pastaj kemi edhe një fytyrë të tretë të Bollivudit me një qasje shumë radikale." Pjesë e këtij brezi radikal është edhe producenti Anurag Kashyap: "Unë mendoj se filmi hindi do të ndryshonte shumë nëse do ta provonim. Ne ende prodhojmë kryesisht filma me temë dashurinë dhe familjen, nganjëherë edhe drama aksioni apo hakmarrjeje. Dhe kur xhirojmë një herë filma realistë atëherë ata janë të mërzitshëm. Unë nuk dua të jem as i mërzitshëm dhe as të krijoj një botë fantastike me të cilën askush nuk mund të identifikohet."