1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indinjatë dhe zemërim në Indi pas vdekjes së studentes së dhunuar

Priya Esselborn / Eliana Xhani30 Dhjetor 2012

Me indinjatë, zemërim dhe trishtim reaguan njerëzit në Indi pas lajmit për vdekjen e një studenteje të dhunuar egërsisht. Në Indi priten protesta të reja masive.

https://p.dw.com/p/17B70
Protesta pas vdekjes së një studenteje të dhunuar në Indi
Fotografi: Getty Images

Tragjedia e studentes së përdhunuar disa herë nga një grup burrash, e ka tronditur deri në palcë Indinë. Mediet nuk njohin temë tjetër prej dy javësh. 23-vjeçarja në 16 dhjetor pati hipur në autobus bashkë me shokun e saj pas kinemasë në kryeqytetin indian Nju Delhi për t'u kthyer në shtëpi. Aty filloi tmerri: gjashtë burra e keqtrajtuan atë në mënyrën më të egër me një shufër hekuri, e dhunuan seksualisht dhe në fund e flakën nga autobusi bashkë me shokun e saj. E reja vdiq të premten (28.12.2012) si pasojë e dështimit të organeve. Trupi i vajzës, e cila ishte dërguar për trajtim në një klinikë speciale në Singapor, u kthye në Indi të shtunën (29.12.).

Protesta pas vdekjes së një studenteje të dhunuar në Indi
Protesta pas vdekjes së një studenteje të dhunuar në IndiFotografi: Getty Images

Aktivistja për të drejtat e grave Ranjana Kumari nga Nju Delhi kërkon ndryshim radikal: "Ky është nderimi i fundit që mund t'i bëjmë shpirtit të viktimës. Vendi ynë, shoqëria jonë janë bërë të tillë që vajzat dhe gratë nuk janë më të sigurta këtu.“

Rëndësi simbolike

Deri tani identiteti i viktimës ishte mbajtur i fshehtë. Por nga mediet vajza e re, e cila dy javë rresht luftoi për jetën, mori disa emra simbolikë: "vajza e Indisë", "Amanat" që ka kuptimin thesar apo "Nirbhaya" - "ajo që nuk ka frikë". Në shumë qytete u mbajtën marshime solidariteti. Njerëzit qanin në krahët e njëri-tjetrit dhe vazhdimisht mijëra njerëz protestuan në rrugë. Policia përdori shkopat e gomës dhe ujin me presion kundër demonstruesve, një polic humbi jetën gjatë trazirave.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Kiran Bedi e sheh studenten si simbol për protestën e gjithë atyre që prej kohësh kritikojnë dhunën në rritje kundër grave: "Pas lëvizjes masive kundër korrupsionit, e cila u iniciua nga aktivistja Anna Hazare, njerëzit e kanë kuptuar se si të ngrenë zërin." Ky është fillimi i një epoke të re në Indi, thotë Bedi. "Çdo indian është i prekur në një farë mënyrë nga dy probleme themelore të shoqërisë sonë: korrupsioni dhe mungesa e sigurisë."

Aktivistja për të drejtat e njeriut Kiran Bedi
Aktivistja për të drejtat e njeriut Kiran BediFotografi: picture-alliance/dpa

Shtohet trysnia ndaj qeverisë

Kështu po rritet trysnia ndaj qeverisë së kryeministrit Manmohan Singh. Në natën e Krishtlindjeve, rreth një javë pas ngjarjes së rëndë, 80-vjeçari Singh iu drejtua kombit. Vetë baba i tre vajzave ai premtoi një proces të shpejtë dhe dënime të ashpra për autorët e krimit, tashmë të arrestuar. Kundër tyre është ngritur padi për vrasje. Veç kësaj Singh ngriti dy komisione hetimore. Por këto masa nuk arritën të prekin shpirtin e popullit, dhe këtë e tregojnë komentet në forume në internet dhe rrjete sociale si Facebook. Shumë e quajnë ngjarjen dhe reagimin, sipas tyre të dobët të politikës, një "turp për Indinë".

India në udhëkryq

Në Indi priten protesta të reja masive
Në Indi priten protesta të reja masiveFotografi: Getty Images

Sipas aktivistes Kiran Bedi, e nderuar në 1994 me çmimin Ramon-Magsaysay, nobeli aziatik, India ndodhet në udhëkryq: "Kemi të bëjmë me një dështim të plotë para së gjithash të policisë. Askush nuk ka më besim tek forcat e sigurisë. Shumë viktima dërgohen thjesht në shtëpi kur duan të denoncojnë krimin.“

Aktivistë për të drejtat e njeriut vlerësojnë se vetëm një e katërta e rasteve të dhunës seksuale në Indi zbardhen nga organet përgjegjëse dhe në 75 për qind të rasteve autorët e krimit nuk dënohen. Autobusi, ku për gati një orë u ushtrua dhunë ndaj studentes, kaloi gjatë itinerarit të tij edhe në disa pika kontrolli të policisë. "Forcat e policisë gjatë kualifikimit profesional mësojnë se si t'i pengojnë aktet kriminale. Por tani duhet kontrolluar nëse ata e përmbushin këtë obligim", thotë aktivistja Bedi. Të tjerë aktivistë kërkojnë një rregjistër me emrat e kriminelëve seksualë dhe më shumë patrulla gjatë natës.