1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

India dhe Pakistani i përmbahen dialogut

19 Shkurt 2007

- Hetohet për gjetjen e autorëve të sulmit

https://p.dw.com/p/AqXt
Pamje pas atentatit ndaj "trenit të mirëkuptimit"
Pamje pas atentatit ndaj "trenit të mirëkuptimit"Fotografi: AP

Pas sulmit kundër lidhjes së vetme hekurudhore mes Indisë dhe Pakistanit të dielën në darkë më 18 shkurt policia në Indi vazhdon të kërkojë përgjegjësit e krimit. Pakistani dhe India theksuan se edhe pas këtij sulmi, ato nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për t´u afruar me njëri-tjetrin. Të martën e ardhshme më 20 shkurt zhvillohet samiti i përbashkët mes këtyre dy vendeve mbi procesin e dialogut dhe të paqes.

Qeveritë në Indi dhe Pakistan janë të një mendimi: Sulmi kundër Samjhauta-Express, "trenit të mirëkuptimit" kishte si qëllim të dëmtonte procesin e paqes për dy shtetet e armiqsuara. Dhe të dyja palët theksuan se ky sulm nuk do ta ndërpresë dialogun. Qeveria indiane bën fjalë për një akt terrorist, por nuk ka përmendur ende ndonjë të dyshuar. Ministri i brendshëm i Indisë tha: "Kushdo që ta ketë kryer këtë akt është kundër paqes dhe kundër përpjekjeve për afrimin mes Indisë dhe Pakistanit. Ne e dënojmë ashpër këtë akt."

Presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf tha në Islamabad se akte të tilla terroriste e nxisin edhe më shumë vendosmërinë për të arritur qëllimin e përbashkët: që është paqe afatgjatë për të dyja vendet. Të dyja qeveritë do të zhvillojnë një takim të përbashkët në Nju Delhi, takim ky që ishte parashikuar përpara se të ndodhte sulmi.

Gjatë vizitës së ministrit të jashtëm pakistanez Kasuri, do të bisedohet edhe mbi masat e reja kundër terrorit. Islamabadi kërkon gjithashtu zbardhjen sa më të shpejtë të krimit, thotë Tasneem Aslam, zëdhënësja e ministrisë së jashtme pakistaneze: "Eshtë përgjegjësia e qeverisë indiane, që t´u ofrojë pasagjerëve dhe trenave të saj siguri. Ne presim që India ta zbardhë sa më parë këtë atentat dhe t´i ndëshkojë përgjegjësit."

Treni Samjhauta-Express ishte nisur të dielën në darkë drejt metropolit pakstanez Lahore. Pak minuta pas mesnatës 80 km në veri të kryeqytetit indian shpërthyen dy bomba në tren. Sy vagona u dogjën plotësisht. Për shkak se shumë dritare dhe dyer ishin bllokuar nga zjarri, shumë njerëz u asfiksuan dhe u dogjën. Shumica e tyre ishin pakistanezë, që po ktheheshin në shtëpi.

Përveç dy bombave që shpërthyen, policia indiane gjeti edhe dy bomba të tjera të pashpërthyera. Mënyra e përzjerjes së këtyre bombave, ishte e ngjashme me ato të bombave që shpërthyen në Bombej në korrik të vitit të kaluar që shkaktuan vdekjen e 200 njerëzve. India kish akzuar asokohe islamistë pakistanezë si përgjegjës për këtë sulm.

Eshtë ende e paqartë, nëse ashtu siç dyshojnë shumë, pas këtij akti qëndron dora e ekstremistëve islamistë. Në rast se kjo është e vërtetë shtrohet pyetja, se cili prej grupeve të shumta që ekzsitojnë është përgjegjës. Nisur nga numri i madh i viktimave pakistaneze ka gjasa që përgjegjës të jenë edhe militantët nga radhët e hinduve, të cilët gjithashtu e kanë halë në sy procesin e paqes. Sipas hetuesve është e qartë, se kemi të bëjmë me një sulm të organizuar që ka shumë mundësi të jetë planifikuar në Nju Deli.

Në pjesë të tëra të Indisë veriore janë përforcura masat e sigurisë, veçanërisht nëpër aerporte, stacione autobuzësh dhe trenash si dhe nëpër tempuj e xhami. Njëkohësisht autoritet përkatëse janë duke u përpjekur për normalizimin e shpejtë të gjendjes.