Imazhinisti i fuqishëm: Tomas Tranströmeri - Fitues i Çmimit Nobel 2011
6 Tetor 2011Në Stokholm shumë vetë besonin që juria e Çmimit Nobel donte t'i kursente 80 vjeçarit Tomas Tranströmer ndërkohë të sëmurë rëndë barrën e emocionit për çmimin më të rëndësishëm të letërsisë në botë. Veç kësaj, prej kohësh ishte e qartë se poeti më i famshëm i Suedisë e ka merituar Çmimin Nobel të letërsisë si pak të tjerë. Tani atë e nderuan me këtë çmim dhe kur u bë i njohur ky fakt, kudo shpërtheu gëzimi.
Për përvjetorin e 80-të më 15 prill, qeveria e Suedisë i dhuroi Transströmerit titullin e një profesori. Kolegu i tij shkrimtar, Lars Gustaffson shkroi në gazetën "Dagens Nyheter": "Ai është një personalitet mistik, një poet, i cili ka parë zeron, pikën boshe në qendër, pa të cilën nuk ekziston asgjë." Poezia e tij është e mbushur me imazhe të kthjellëta, thuhet në argumentimin e jurisë.
Një fjalë në vend të llomotitjes
Gazeta më e madhe e Suedisë "Aftonbladet" e quajti Tranströmerin "poet, që e duan të gjithë". "Atje ku të tjerë do të flisnin me 100 fjalë, megjithëse 10 do të mjaftonin, Tranströmeri na jep vetëm një fjalë", shkruan kritiku Henrich Detering në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung", kur u botua i përkthyer në gjermanisht vëllimi shumë i hollë me poezi i Tranströmerit "E paditura e madhe", në shtëpinë botuese Hanser.
Poezitë, të cilat janë shkruar pasi ai u sëmur, janë hartuar në një proces të mundimshëm dhe të komplikuar me të shoqen Monica Bladh-Tranströmer. Poeti i qetë pas disa hemoragjive cerebrale nuk është në gjendje të artikulojë më shumë se "po" ose "jo". Megjithatë, që atëherë ai ka botuar disa vëllime me poezi, pjesa më e madhe e tyre në formën e rreptë minimaliste japoneze Haiku, si edhe autobiografinë "Kujtimet më shohin".
Në paqe me veten
Në daljet e tij të rralla në publik, Tranströmeri të lë gjithmonë përshtypjen e një njeriu, i cili është në paqe me veten e tij. Për përvjetorin e tij të 80-të, poeti i ndrojtur lejoi ta intervistojnë dhe fotografojnë: duke luajtur me një dorë në piano, në ekskursione në karrige me rrota dhe në trajnim te fizioterapetja.
Pas daljes së tij si poet në vitin 1954, u deshën rreth tri dekada derisa kritika edhe ndërkombëtare ta kthente vëmendjen te Tranströmeri. Në vitin 1981 suedezi mori çmimin gjerman Petrarca, në vitin 1990 Çmimin e Letërsisë të Këshillit Nordik dhe në vitin 1992 ai mori sërish në Gjermani Çmimin Horst-Bienek.
Autor: dpa/Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi