1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ILO paralajmëron për rrezikun e trazirave sociale

10 Prill 2013

Meqenëse papunësia është kaq e lartë, trazirat sociale bëhen më të mundura. Kështu e shikon këtë të paktën Organizata e OKB-së për punën, ILO. Ajo paralajmëron për rrezikun e kursimit, që harron tregun e punës.

https://p.dw.com/p/18CY8
Professor Miguel Ángel Malo,
Miguel Ángel MaloFotografi: ILO

"Kur papunësia është kaq e lartë sa aktualisht", thotë Miguel Angel Malo, "kur varfëria zgjerohet dhe mbrojtja sociale keqësohet, atëherë shtohet rreziku i trazirave sociale."

Miguel A. Malo është profesor i ekonomisë nga Salamanca në Spanjë, një vend ku 56 përqind e të rinjve nuk kanë punë. Veç kësaj ai është ekspert i ekonomisë në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ILO. Për këtë organizatë, Malo ka hartuar një raport, teza kryesore e të cilit të shqetëson: trazirat sociale kanë më shumë gjasa të ndodhin. Të paktën në disa pjesë të Evropës, kjo është teza tjetër e pashprehur: zhvillimet po e ndajnë Evropën.

Gjithnjë e më shumë të papunë

Sipas të dhënave të OKB-së, aktualisht ka 26,3 milionë të papunë, rreth 10 milionë më shumë se pak pas shpërthimit të krizës në vitin 2008. Pra, në përgjithësi tregjet e punës të Evropës paraqiten më keq se sa para krizës. Dhe në 22 deri 27 vende, në bazë të të dhënave, gjendja është vërtet e tillë. Vetëm pesë vende kanë kuota më të larta punësimi se në vitin 2008 dhe këto janë Austria dhe Gjermania, Hungaria, Luksemburgu dhe Malta.

Kuota e papunësisë në BE është tek 10,9 përqind, shkruajnë Malo dhe kolegët e tij dhe me këtë 4.1 përqind më e lartë se niveli i krizës. Kjo në një kohë kur papunësia në eurozonë u rrit madje më shpejt se sa në pjesën tjetër të BE, duke arritur në shkurt 2013 një kulm historik prej 12 përqind. Gjithnjë e më shumë të papunë, pra, dhe meqenëse në tregje ndodh aktualisht shumë pak, që konkurojnë për gjithnjë e më pak vende pune.

Rinia, të përjashtuarit nga shoqëria: protesta në vend të punës?

Më interesante se sa thjesht shifrat janë përfundimet që nxjerrin prej tyre ekspertët e tregut të punës. Dhe ai që vështron të humburit e këtij zhvillimi, ai nuhat që pse paralajmëron ILO për trazira. Sepse qasje vetëm të vogël në tregun e punës kanë para së gjithash tri grupe:

Të rinjtë - një në katër vetë nuk ka punë, në Greqi dhe në Spanjë madje një në dy vetë. Në 26 prej 27 vendeve, papunësia e të rinjve është shtuar në vitet e krizës - vetëm në Gjermani jo.

Të papunët për një kohë të gjatë - Numri i tyre thuajse është dyfishuar, nga 5,8 milionë në vitin 2008 në aktualisht 11 milionë.

Të kualifikuar pak - Zhvillimet negative në tregun e punës e prekin këtë grup shumë më fort se prekin punonjësit e specializuar.

Nëse presioni arrin maja të pamatshme, a fluturon me presion të madh kapaku në ajër?

"Jo", mendon sociologu Martin Diewald përballë Deutsche Welle-s. "Për këtë, përsa i përket Evropës unë nuk shoh asnjë shenjë."

Këtë zhvillim nuk mund ta masësh, vetëm ta vlerësosh. ILO beson se trazirat sociale janë aktualisht dymbëdhjetë përqind më të mundshme se sa përpara krizës. Bazë për këtë shërbejnë rezultatet e anketimeve. Në bazë të tyre, rreziku i trazirave sociale është rritur në Qipro dhe në Greqi, në Itali dhe në Portugali, në Spanjë, Slloveni dhe në Çeki. Ky rrezik nga ana tjetër është ulur në Gjermani, Finlandë, Belgjikë, Sllovaki dhe në Suedi.

Gjendja gjithsesi duhet parë nga vendi në vend. Në disa shtete të Evropës nuk ka probleme të mëdha ekonomike. Edhe në vendet e përfshira nga kriza, qytetarët reagojnë në mënyra të ndryshme.

Autor: Hendrik Heinze/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica