1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ikje masive prej varfërisë në Kosovë

dpa , afp11 Shkurt 2015

Mijëra njerëz nga Kosova vijnë në Gjermani, edhe pse nuk kanë asnjë shans për të marrë azil. Situata në qendrat e pritjes po vështirësohet.

https://p.dw.com/p/1EZTF
Fotografi: REUTERS/B. Szabo

Gjithnjë e më shumë lande gjermane alarmohen për shkak të hyrjes masive të azilkërkuesve nga Kosova. Vetëm të hënën që shkoi, kanë hyrë rreth 1000 persona të tjerë në Bavari, më shumë se 800 prej tyre janë nga Kosova, njoftoi shefi i kancelarisë, Marcel Huber (Unioni Kristian Social, CSU) në Mynih.

Ministri i Brendshëm i landit Niedersachsen, Boris Pistorius, kërkoi një qëndrim më të fortë kundër hyrjes së qytetarëve nga Ballkani. "Ata pengojnë pranimin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku. Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ardhur në Gjermani në janar një herë e gjysëm më shumë njerëz se sa nga Iraku dhe Siria. 99 përqind prej tyre nuk kanë asnjë perspektivë për azil", tha politikani socialdemokrat. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane 3630 persona nga Kosova kanë kërkuar azil në Gjermani në janar. Në muajin dhjetor ishin vetëm 1956.

Varfëri e madhe në shtetin e vogël

Rreth 40 përqind e 1,8 milionë banorëve të Kosovës jetojnë në varfëri. Kosovarëve u nevojitet në fakt vizë për në Bashkimin Evropian. Nëse ata kapen duke kaluar ilegalisht kufirin dhe arrestohen, paraqesin zakonisht kërkesën për azil.

Serbische Polizei nimmt illegale Auswanderer aus Kosovo an der Grenze zu Ungarn fest
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Në Hungari rreth 8000 emigrantë të paligjshëm kosovarë janë arrestuar në gjashtë ditët e fundit, njoftojnë autoritetet. Çdo ditë merren në paraburgim 667-1696 persona, bën të ditur policia hungareze. Që nga fillimi i vitit rreth 13.000 vetë kanë kërkuar azil në Hungari. Gjatë gjithë vitit të kaluar numri i azilkërkuesve ka qenë rreth 43.000 . Në vitin 2012 ka patur vetëm 2200 kërkesa.

Qeveria në Budapest kërkon një angazhim të agjencisë kufirate të BE-së Frontex në kufirin me Serbinë fqinje. Sipas sindikates së policisë (GdP) në Gjermani eksodi masiv i kosovarëve nuk mund të ndalet me kontrollin e kufirit. "Nëse njerëzve u duhet të jetojnë shpesh me më pak se dy euro në ditë dhe nuk kanë perspektivë ekonomike për të jetuar, është e kuptueshme që marrin rrugën drejt një bote më të mirë", tha një përfaqësues i GdP.