I ngarkuari i OKB-së për të drejtat e njeriut viziton Birmaninë
11 Nëntor 2007Rreth gjashtë javë pas shtypjes së protestave paqësore në Birmani në vend po qëndron i ngarkuari i OKB-së për të drejtat e njeriut Sergio Pinheiro. Pinheiro kishte deklaruar në fund të tetorit se kishte marrë njoftime për raste vdekjesh të të burgosurve, për tortura, dhe keqtrajtime të të burgosurve si dhe për persona të zhdukur. Synimi i vizitës së tij pesëditore në Birmani është verfikimi i këtyre akuzave.
Eshtë hera e parë që prej vitit 2003 që junta ushtarake e Birmanisë i lejon brazilianit që të vizitojë vendin. Në radhët e OKB-së thuhet se ai ka marrë ftesë prej qeverisë birmaneze. Pinheiro vetë e quajti këtë ftesë një shenjë pozitive bashkëpunimi.
Eksperti për të drejtat e njeriut deklaroi se do të sqarojë deri në fund ngjarjet e fundit të shtatorit. Ai tha se do të përpiqet të vizitojë burgjet dhe kampet, ku mbahen të burgosurit, për të vërtetuar informacioneve që ka marrë për raste torturash dhe keqtrajtimesh brutale dhe madje edhe vdekjesh nëpër burgje. Po ashtu ai do të përpiqet edhe për sqarimin e fatit të të zhdukurve.
Sipas të dhënave qeveritare gjatë përleshjeve mes forcave birmaneze të rendit dhe demonstruesve paqesorë u varanë vetëm 10 vjetë. Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se ky numër ishte më i madh.
Gjatë javës së kaluar u përpoq të ndërmjetësonte për fillimin e një dialogu mes juntës dhe opozitës i dërguari i OKB-së Ibrahim Gambari. MPJ i Singaporit George Yeo, i cili ishte takuar me Gambarin pas qëndrimit në Birmani, tha, se zgjidhja e problemeve të Birmanisë nuk është e lehtë:
“Besoj se Gambari arriti gjatë kësaj vizite rezultate të arsyeshme. Ai nuk arriti aq shumë sa kishte shpresuar dikush prej nesh, por gjithësesi arriti diçka. Atij nuk iu lejua të takohej me të gjithë ata që donte të takonte, por gjithësesi u takua me Aung San Suu Kyi.”
Kryesueses së opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi iu lejua pas një bisede me përfaqësuesit e juntës që të takohej për herë të parë që prej tre vjetësh me përfaqësues të partisë së saj "Lidhja kombëtare për Demokraci".