I kujt është speci?
30 Janar 2013
Një grua është fshehur pas një mali me vargje specash. Speca të vegjël, vishnje, që klithin djegësirë. Ajo shet për Hungarinë speca dhe prodhime speci, në një dyqan provizor të ngritur me dërrasa, në panairin e prodhimeve bujqësore "Grüne Woche" ("Java e Gjelbër") në Berlin. “Speci duhet të jetë i kuq, në Hungari speci është i kuq dhe djegës,” thotë ajo dhe vazhdon të shesë në tubeta kremra speci me emra “Stefani i fortë”ose “Ar i kuq”. Specat më të mira janë nga Szeged-it dhe Kalosca, shpjegon ajo.
Speci është një „hungarizëm“, një produkt simbol kombëtar për Hungarinë. „Por edhe për evropianoperëndimorët speci i kuq është një dinstiktiv për Hungarinë dhe banorët e saj,“ thotë prof. Gabriela Shubert. „ Në filma dhe opereta, në të gjitha skenat që tregojnë fshatin hungarez speci vendoset si objekt që ka të bëjë me Hungarinë“.
Speci - simbol i preferuar edhe në Ballkan
Dhe jo pa të drejtë. Speci i kuq i bluar është një nga prodhimet kryesore të eksportit hungarez. Rreth 5,3 mijë ton ton në vit spec pluhur hedh Hungaria në tregun ndërkombëtar, 30 përqind të saj e blen Gjermania.
Por edhe vende të tjera e shohin specin si të vetin. Në ish republikat e Jugosllavisë “dashuria” për specin dhe produktet e tij është e madhe. Speca të gjallë, të skuqur, gogozhare, të mbushur, të bluar, speca të kuq, jeshil, të gjitha i gjen në kuzhinat ballkaneze. Dhe speci, është symbol për reklamat e industrisë ushqimore të këtyre vendeve. Por speci përdoret edhe si simbol për të interpretuar karakterin e banorëve të Ballkanit.
“Maqedonia është parajsë e specit dhe domates,” shkruhet në një gidë turistike që fton turistët e huaj që të shkojnë në vend, për të provuar shijen unike të specit maqedonas. Por edhe „Speci i grirë i Vojvodinës ka aromë të veçantë“, thuhet në një reklamë të specit nga Serbia. 150 mijë tonë speca prodhon Serbia në vit. Edhe Kosova prodhon speca për tregun perëndimor. 500 tonë speca prodhohen, përpunohen dhe futen në kavanozë në Shtime për t'u shitur në tregun austriak.
Dihet që speci nuk është zbulim as hungarez, as serb, as maqedonas. Atdheu i specit, capsicum annuum, është Bolivia. Me udhëtimet zbuluese të Kristofor Kolombit, në Evropë erdhën nga Amerika bimët e para të specit dhe që prej atij momenti speci u shpërnda në gjithë botën, me ndihmën e kolonizatorëve portugezë.
Piperi dhe speci
Si bimë perime speci ka ardhur nga deti, nga Portugalia dhe është futur në Evropë, prej nga në Gjermani, Hungari etj. Kurse si erëz, speci ka ardhur nga jugu. Ata që e sollën specin si erëz ishin osmanët. Gjatë shekullit të 16-të, shteti osman vendosi monopolin mbi tregtinë e erëzave. Erëzat nga Bursa dhe Stambolli vinin në Ballkan. Çmimi i piperit u rrit shumë. Në vend të tij u ofrua speci i kuq i grirë.
Prof.Shubert shpjegon: „Osmanët bashkëpunonin me tregtarët e vegjël grekë, të cilët kishin një rol kryesues në jetën ekonomike të Perandorisë dhe në tregjet e Ballkanit. Që në fundin e shek.15-të tregtarët grekë nga Janina dhe Arta ishin aktivë në tregun e brendshëm të Perëndorisë Osmane, krah raguzianëve, hebrejve, armenëve dhe turqve. Mes tyre kishte edhe shumë arumunë. Tregtarët grekë dhe arumunë përdorën për specin emrin e piperit, njësoj siç kishin bërë më parë spanjollët dhe portugezët. Njësoj vepruan edhe osmanët. Nëpërmjet atribuimit emrit të piperit të mbiemrit „i kuq“, u bë dallimi midis piperit dhe specit, pra speci u quajt „piper i kuq“.
Që prej shekullit të 18-të, speci është kthyer në një faktor të rëndësishëm të kulturës së përditshme në Ballkan. Dhe që nga ajo kohë speci është produkt bujqësor që simbolizon kulturën ballkaneze.
Speci në vendet e ish-Jugosllavisë përdoret edhe në formë ajvari, një pure speci nganjëherë e përzier me patëllxhan, e cila serviret e ftohtë. Ajvari është specialitet kombëtar i këtyre vendeve, por ajvari njihet edhe në Turqi dhe vende të tjera të Evropës Juglindore. Produkt i ngjashëm me ajvarin është edhe pinxhuri.
Një firmë sllovene, Živilska industrija d.o.o., nuk pati sukses në vitin 1996 në përpjekjet për të vendosur patentën mbrojtëse mbi ajvarin. As firma të tjera nga Maqedonia nuk mundën të merrnin patentën. Lufta për specin vazhdoi. Në vitin 2002, Gjykata për patentimet refuzoi patentimin e pinxhurit.
Hungaria e ka zgjidhur një pjesë të luftës me çertifikimin e specit të vet nga Komisioni i BE-së. Mes dhjetë produkteve nga Hungaria, që kanë vulën mbrojtëse të Komunitetit Evropian, sigurisht që është edhe speci. Speci nga Szegedi ka marrë çertifikimin 5 vjet më parë.
Autor: Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi