1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I akuzuari pranon fajin : "Akt i tmerrshëm, por i domosdoshëm"

24 Korrik 2011

I dyshuari për sulmet terroriste në Norvegji ka pranuar pjesërisht fajin, bën të ditur avokati i tij. I arrestuari dyshohet të ketë vrarë dhjetëra njerëz.

https://p.dw.com/p/122Xz
Norvegjia në pikëllim.
Norvegjia në pikëllim.Fotografi: dapd

Si pasojë e këtyre sulmeve kanë vdekur deri tani 93 persona, ndërsa 97 janë plagosur. Edhe më tej ka disa persona të zhdukur. Qyteti Oslo dhe Norvegjia kanë ndryshuar në tërësi brenda një kohe të shkurtër. Pikëllimi është i thellë, në veçanti në Oslo. Në shumë vende njerëzit vendosin lule dhe ndezin qirinj. Vende - vende shihen nga 30 apo 40 vetë të mbledhur, të cilët në qetësi i hidhen njëri-tjetrit në përqafim dhe qajnë së bashku. Në katedralen e Oslos shihen pamje impresionuese dhe shqetësuese, shumë njerëz presin në radhë për të nderuar viktimat.

Njerëzit ngushllojnë njëri-tjetrin.
Njerëzit ngushllojnë njëri-tjetrin.Fotografi: dapd

Shumë norvegjezë duan të ndezin qirinj, duan të shprehin pikëllimin e tyre dhe të ndajnë dhembjen me të prekurit. Njerëzit në këtë qytet dhe mbase në tërë vendin janë bërë më unik. Askush nuk mund dhe ende nuk do ta kuptojë se çfarë ka ndodhur ditën e premte, sepse ngjarjet ishin kaq të tmerrshme sa që duken të pabesueshme.

I arrestuari pranon fajin

Anders Behring Breivik, 32 - vjeçari i arrestuar, ka pranuar të flasë. Avokatët bëjnë të ditur se ai ka pranuar të dy veprat: vendosjen dhe aktivizimin e lëndës shpërthyese në zonën qeveritare në Oslo si dhe vrasjen e shumë të rinjve në ishullin e afërt.

Anders Behring Breivik
Anders Behring Breivik pranon fajin.Fotografi: picture alliance/dpa

Sipas të gjitha gjasave, këto vepra të tmerrshme ai i ka planifikuar për një kohë të gjatë. Pak para këtyre sulmeve, ai ka vënë në internet shumë fjalime në një gjatësi prej 1.500 faqesh. Fjala është për të ashtuquajturën luftë e racave, imigrimet si dhe dhunën kundër myslimanëve dhe komunistëve. Sipas mediave norvegjeze, në një vend ai tekstualisht shkruan: "Evropa duhet të shpëtohet nga ndryshimet kulturore dhe islamizimi."

"Shpjegimet" e atentatorit

32- vjeçari e ka quajtur veprën e tij si të "tmerrshme, por të domosdoshme", bëjnë të ditur burimet e infromuara mirë. Në shtëpinë e tij, rreth 140 kilometra nga Oslo, i akuzuari ka përgatitur për një kohë të gjatë një bombë me të cilën do të sulmonte zonën qeveritare. Për një kohe të gjatë kishte mbledhur lëndët e duhura për ndërtimin e bombës.

Në spitalet e këtij rajoni po trajtohen edhe më tej me dhjetëra të plagosur. Disa prej tyre ende janë në gjendje kritike. Sipas autoriteteve policore, ende nuk dihet asgjë për katër të rinj, të cilët kanë bërë përpjekje që nga ekzekutimi në ishullin Utoya të ikin përmes detit. Njësitë e shpëtimit janë duke kërkuar të zhdukurit me qenë, zhytës dhe me një nëndetëse të vogël.

Autor: Carsten Vick/Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi