Hyseni kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që të njohë pavarësinë e Kosovës
4 Gusht 2010Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, kërkoi zëvendësimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shpjegoi: "Koha ka ardhur që të ndryshohet rezoluta 1244 me një rezolutë të re, që reflekton realitetet e krijuara me pavarësinë e Kosovës dhe vendimin e qartë të GJND-së në favor të saj," u shpreh Hyseni.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremić u shpreh se Serbia do të vazhdojë me çdo mjet diplomatik të mbrojë "sovranitetin" e saj.
Ambasadori i Rusisë në OKB Vitali Çurkin tha se Kosova nuk duhet të shpresojë për pranim në OKB. "Të gjithë e dinë mirë se si është konstelacioni i forcave në Këshillin e Sigurimit", deklaroi ai para gazetarëve. Prishtina nuk mund të shpresojë as në ndryshimin e rezolutës 1244.
Në takimin e Këshillit të Sigurimit Çurkin ritheksoi se pozicioni i Rusisë është i pandryshuar dhe nuk do të njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga Kosova: "Para së gjithash dëshëroj të përforcoj pozicionin e Rusisë për mosnjohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Rusia e ka mbështetur dhe do ta mbështesë integritetin territorial të Serbisë. Ne jemi të bindur se rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara do të vazhdojë të mbetet rregull obligues i së drejtës ndërkombëtare në Kosovë dhe baza për garantimin e sigurisë në rajon."
Për ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta qëndrimet e njëanshme janë të dëmshme dhe për stabilitetin e paqen në rajon. "Aq më tepër, nëse kjo do të vinte nga Serbia, vendi i cili i kërkoi mendimin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila atëherë u shpreh që do të respektonte çdo vendim të kësaj gjykate." Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë e përshkroi si të domosdoshëm bashkëpunimin mes Prishtinës dhe Beogradit, por duke saktësuar se kjo do të bëhej "për çështje të një rëndësie dhe karakteri praktik në interes të qytetarëve, por edhe në interes të integrimit evropian të të dyja vendeve".
Autor: Angelina Verbica/ Eliana Xhani/ Arben Muka
Redaktoi: Aida Cama