1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungaria voton për parlamentin e ri

Keno Verseck / Esat Ahmeti6 Prill 2014

Në zgjedhjet parlamentare në Hungari duket e sigurtë fitorja e ish-kryeministrit Viktor Orbán. Ai e ka larguar vendin nga Evropa dhe sundon me një përzierje të represionit dhe nacionalizmit.

https://p.dw.com/p/1BbSN
Fotografi: Reuters

"Hungaria bën më mirë", - ky slogan është duke shoqëruar aktualisht në çdo hap popullsinë hungareze. Ai qëndron në posterat zgjedhor të partisë nacional-konservatore Fidesz. Fjala "Hungari" është rrethuar nga një shigjetë e cila tregon drejtimin lart.

Në përputhje me këtë slogan nga politikanët e Fidesz-it dhe veçanërisht kryeministri Viktor Orbán aktualisht mund të dëgjohen vetëm njoftime për sukseset e arritura: Katër vjet më parë, Hungaria ishte buzë "humnerës së falimentimit", tani vendi ka një ekonomi të qëndrueshme dhe në rritje, do të rritet e do të bëhet gjithnjë e më e fortë dhe ne ndodhemi para një "të ardhme të mrekullueshme", paralajmëroi Orbán.

Pamje të zbukuruara

Megjithatë, realiteti shoqëror dhe ekonomik në vend është ndryshe nga ai si e paraqesin Orbán dhe shumica e tij qeveritare. Kriza ekonomike nuk është tejkaluar ende, vendi po përballet me një ndarje të thellë sociale - rreth një e treta e dhjetë milion hungarezëve jetojnë në varfëri.

Ithtarë të partisë Fidesz
Ithtarë të partisë FideszFotografi: AP

Sidoqoftë, me sa duket Orbán dhe shumica e tij qeveritare e përbërë nga Fidesz dhe Partia Demokristiane Popullore (KDNP) do të fitojnë shumicën absolute. Të paktën, kështu parashikojnë të gjitha anketat. Ndoshta Orbán ashtu si në fillim të vitit 2010 do të arrijë përsëri të sigurojë një shumicë prej dy të tretave të vendeve në parlament. Aleanca opozitare e përbërë nga pesë parti socialiste-liberale "Ndërrimi i qeverisë", llogaritet se do të fitojë vetëm 25 deri 30 për qind të votave.

Arkitektura e pushtetit

A është me të vërtetë Viktor Orbán i cili është aq i padashur në Perëndim kaq popullor në vendin e tij, sa e nxjerrin sondazhet? Jo edhe aq shumë, mendojnë shumë njohës të rrethanave në Hungari. Gazetari dhe eksperti i politikës së jashtme Attila Ara-Kovács përmend disa arsye për fitoren e pritshme të zgjedhjeve nga Orbán dhe aleanca e tij Fidesz-KDNP. "Me të ashtuquajturën luftën për liri e cila drejtohet kundër Evropës dhe BE-së dhe agjitacionin e tij nacionalist kundër vendeve fqinje, Orbán është duke mbajtur pasuesit e tij në një gjendje të mobilizimit të përhershëm", thotë Ara-Kovács. Një pjesë tjetër e popullsisë për shkak të globalizimit ka frikë të madhe ekzistenciale dhe Orbán u premton atyre siguri. "Në fund, një pjesë tjetër e shoqërisë jeton në frikë me plotë të drejtë nga Orbán dhe sistemi i tij, si për shembull të punësuarit në sektorin në publik dhe shërbimin civil të cilët janë të frikësuar për humbjen e vendeve të tyre të punës apo sipërmarrësit që kanë frikë se nuk do të marrin më punë nga shteti."

Në foto, Viktor Orban
Në foto, Viktor OrbanFotografi: Reuters

Në të vërtetë, Orbán dhe shumica e tij qeveritare kanë riorganizuar në mënyrë radikale Hungarinë në katër vitet e fundit. Në aparatin shtetëror, shërbimin civil dhe mediat publike është kryer një ndryshim i plotë i elitave. Përmes qindra ligjeve dhe rregulloreve Orbán siguroi për vete pushtetin afatgjatë.

Ndër të tjera u miratua një reformë për zgjedhjet parlamentare e cila është përshtatur për Orbánin dhe aleancën e tij Fidesz-KDNP. Reforma ka forcuar dukshëm parimin e shumicës, përveç kësaj kanë pësuar ndryshime zonat elektorale - në fortifikatat e Fidesz-it mjafton një numër i vogël i votave për fitimin e mandatit ndërsa në zonat zgjedhore të krahut të majtë nevojiten më shumë. "Fidesz ka projektuar në atë mënyrë ligjin e ri zgjedhor që me një shumicë relative të votave të sigurojë një shumicë absolute në parlament", thotë Robert László nga Instituti Kapital Politik në Budapest.

Dhe Orbán-it nuk është ndalur vetëm tek ndryshimi i ligjeve të tilla. Drejtimi i shumë autoriteteve dhe institucioneve të rëndësishme është zënë gjatë viteve të kaluara nga stafi besnik i partisë Fidesz.