1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungaria së shpejti me president të ri

25 Prill 2012

President i Hungarisë do të bëhet për herë të parë në historinë postkomuniste një politikan partiak. János Áder është konsideruar gjithmonë si njeri lojal ndaj kryeministrit Viktor Orbán.

https://p.dw.com/p/14kVx
Në foto, János Áder
Në foto, János ÁderFotografi: picture-alliance/dpa

Më shumë se një dekadë ai ishte një njeri i Viktor Orbanit për të gjitha punët: János Áder, jurist dhe strateg zgjedhjesh, kryetar parlamenti dhe në fund shef i grupit parlamentar të partisë së Orbanit "Unioni i demokratëve të rinj" (Fidesz). Në një moment ai u largua nga lista e bashkëpuntorëve më të ngushtë. Tre vitet e fundit ishte europarlamentar në Bruksel. Por duket se Viktor Orbán ka vendosur ta kthejë në vend dhe me 2 maj do t'ia paraqesë atë parlamentit si kandidat për president të vendit. Zgjedhja e 52 vjeçarit duket e sigurt.

300 ligje brenda 20 muajsh

Kjo ëshë zgjidhja më e rëndësishme personale në mandatin e deritanishëm të qeverisë Orbán, i cili ka fituar zgjedhjet e fundit para dy vitesh me dy të tretat e votave. Pak javë më vonë ëshë zgjedhur edhe presidenti i ri, pas skadimit të mandatit të presidentit të atëhershëm László Sólyom. Vet Sólyom kishte dëshirë të mbetej në këtë post, por ai ishte shumë i pasigurtë për Viktor Orbánin dhe planet e tij për rirenditjen e Hungarisë. Orbani kishte frikë se ai mund të refuzojë nënshkrimin e ligjeve të tij dhe mund të bllokojë punën e qeverisë. Ndaj popozoi që në postin e presidentit të zgjidhet Pál Schmitt, fituesi olimpik i dikurshëm hungarez dhe një politikan i afërt me Orbánin. Dhe me të vërtetë: Schmitt ka nënshkruar të gjitha ligjet e miratuara në parlament - ka nënshkruar më shumë se 300 ligje brenda 20 muajsh. Por problemi lindi me zbulimin se ai ka manipuluar me titullin doktor shkence, të arritur në vitin 1992. Në fillim të prillit ai u detyrua për shkak të kësaj afere të japë dorëheqje nga ky post.

Në foto, kryeministri Viktor Orban
Në foto, kryeministri Viktor OrbanFotografi: picture-alliance/dpa

Politikani partiak do të bëhet president

Me nominimin e János Áder për president merr fund një traditë e periudhës postkomuniste në Hungari, ku asnjë president nuk ka ardhur nga radhët e partive politike. Áder është një politikan me përvojë të gjatë pune në partinë e kryeminstrit. Ai me siguri që nuk do të ketë probleme të ngjashme si Schmitt. Por Áder nuk është ndonjë person nga i cili priten paraqitje madhështore në opinion, sepse më shumë të lë pështypjen e një juristi të ftohtë se sa një politikani me karizmë. Ai qeshë shumë rrallë dhe shpesh duket si një politikan i ngurtë. Gazeta më e madhe hungareze Népszabadság, e ka titulluar portretin e tij si "Brigadieri".

Shpërblimi i lojalitetit

Ndaj vlerësohet se kryeministri e ka propozuar atë kryesisht për shkak të lojalitetit ndaj kryeministrit dhe partisë në pushtet. Pas dorëheqjes së Pál Schmitt-it ka ardhur momenti për të shpërblyer shërbimet e tij por pa e futur në qendër të pushtetit, ku merren vendime të rëndësishme ekzekutive. Duket se Viktor Orbán për momentin nuk ka gjetur ndonjë kandidat më të mirë, ndonëse është folur edhe për kandidatë të tjerë.

Në foto, ish presidenti Pal Schmitt
Në foto, ish presidenti Pal SchmittFotografi: AP

Kandidati János Áder ka dhënë premtime serioze në prag të votimit për këtë mandat. Ai tha se dëshira e tij është që të jetë një figurë integrative dhe se idoli i tij është ish presidenti Ferenc Deák. Ky liberal nga shekulli 19 është i njohur si një prej burrështetasve më të mëdhenj që ka dhënë Hungaria në historinë bashkëkohore. Ai ishte edhe iniciator i idesë për baraspeshën mes Autrisë dhe Hungarisë në vitin 1867.

Detyra kryesore e János Áder është të tejkalojë mosmarrëveshjet e sotme në shoqëri - si në politikën e brendshme ashtu edhe të jashtme. Nën qeverinë e Orbánit Hungaria është polarizuar si në vend ashtu edhe në raportet me Bashkimin Evropian. Prandaj një politikan si dikur Ferenc Deák këtij vendi do t'i bënte shumë mirë. Nëse János Áder mund të kryejë këtë detyrë - këtë për momentin nuk mund ta thotë askush.

Autor: Keno Verseck / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti