091010 Ungarn Giftschlamm
11 Tetor 2010Fshati Kolontar në Hungari është evakuuar tërësisht nga rreziku i një vale të re të përhapjes së baltës toksike. Ekipet e mbrojtjes nga katastrofat po punojnë për vendosjen e digave mbrojtëse. Diga e rezervuarit të fabrikës së aluminit, ku ndodhi avaria një javë më parë, mund të çahet në mënyrë të pashmangshme dhe fshati Kolontar mund të përmbytet sërish nga balta helmuese, deklaroi të dielën (11.10.2010) sekretari i shtetit për mjedisin Zoltan Illes. Të çarat e konstatuara së fundi në murin verior të rezervuarit kanë rezistuar përkohësisht, duke mos u zmadhuar, falë kushteteve të favorshme atmosferike. Por ato rrezikojnë të çahen veçanërisht gjatë natës. Nga rezevruari i një fabrike alumini të hënën e shkuar u përhapën 700.000 metra kub baltë me lëndë toksike, duke përmbytur brenda një ore tri fshatra.
Kryeministri Orban njihet nga afër me situatën në vendin e katastrofës kimike
Gjatë një vizite që zhvilloi në fundjavë në vendin e katastrofës, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi: "Situata është dramatike nisur nga përmasat e kësaj katastrofe, sepse muri mbrojtës për mjedisin, fshatin dhe qytetin në afërsi të kësaj zone është në gjendje të keqe. Sipas vlerësimit tonë ky mur mund të bjerë. Ka shumë gjasa që kjo të ndodhë." Ndonëse inxhinierët deklaruan të dielën, se gjatë natës ata nuk kanë konstatuar të çara të reja, mbrojtja nga katastrofat nuk do që ta tërheqë paralajmërimin për rrezik.
Ekspertët e BE-së në mbështetje të ekipeve hungareze
Nga Brukseli ndërkaq u konfirmua se do të nisen pesë ekpsertë, të cilët do të fillojnë punën nga e hëna (11.10.2010) në ndihmë të ekipeve hungareze. Ekspertët vijnë nga Belgjika, Gjermania, Franca, Austria dhe Suedia. Autoritetet hungareze bënë thirrje për ndihmë dhe përzgjodhën pesë ekspertë nga 40 që u vunë në dispozicion prej shteteve të BE-së. Komisarja e BE-së për mbrojtjen nga katastrofat Kristalina Georgiewa deklaroi, se reagimi i shpejtë i partnerëve evropianë, tregon që "ne qëndrojmë krah për krah me autoritetet hungareze."
Balta e kuqe e përhapur pas avarisë në një fabrikë alumini në Hungari është një produkt mbeturinash që dalin nga prodhimi i aluminit. Kjo lëndë toksike depozitohet nëpër rezervuarë të hapur, ku uji avullon dhe si rrjedhojë mbetet një masë e ngurtë. Sipas disa ekspertëve balta toksike nuk ka qenë e përpunuar si duhet, ndaj dhe lënda e përhapur ka efekt të fortë gërryes. Sekretari i shtetit Illes konfirmoi gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, se balta e mbeturinave të prodhimit në Hungari nuk përpunohet.
Autor: Vilma Filaj-Ballvora (dapd, bbc)
Redaktoi: Eliana Xhani