Parlamentswahlen Ungarn
10 Prill 2010"Në burg, në burg", - bërtet turma. Në tribunë qëndron Gabor Vona, kryetari i partisë ekstremiste të djathtë "Jobbik", shqip "Më të mirët". I kënaqur ai i hedh sytë turmës, pastaj thërret: "Kur politikanët bëjnë vepra penale, ne do të japim dyfishin e dënimit. Dhe kur ndokush e prek sadopak potencialin tonë kombëtar ne do t'i japim burgim të përjetshëm."
"Jobbik" përdor parulla ekstremiste
Në sheshi Deak në qendër të Budapestit rreth 50.000 përkrahës të ekstremistëve të djathtë të partisë, "Jobbik" janë mbledhur në një miting të madh. Kryetari i partisë Gabor Vona dhe politikanë të tjerë sulmojnë "kriminalitetin e politikanëve dhe ciganëve." Ata nxisin njerëzit kundër romëve, të huajve dhe hebrejve. Në fund të mitingut përdoret përshëndetja luftarake e lëvizjes: "Dhëntë zoti!" "Të ardhme të bukur" - e kthen turma thirrjen.
Hungaria dikur ka qenë vend model i shoqërive të tranzicionit në Evropën Lindore. Ndërkohë ekstremistët e djathtë janë bërë forcë politike që duhen marrë seriozisht. Ata kanë influencuar së tepërmi disa pjesë të shoqërisë me diskutimet e tyre shoviniste dhe raciste, por edhe me marshet e tyre paramilitariste.
Prej kohësh është kaluar nga dhuna verbale në dhunë konkrete. Vitin e fundit një seri vrasjesh nga e djathta ekstremiste terroriste kanë tronditur vendin.
"Recetat" e ekstremistëve të djathtë
Ngjitja e ekstremistëve të djathtë, e pashembullt në të gjithë Evropën Lindore, u mundësua nga rënia e Hungarisë në destabilizim politik dhe në një krizë të thellë ekonomike. Ndërmjet dy partive të mëdha, socialistëve qeverisës dhe demokratëve të rinj nacional-konservatorë sundon prej kohësh lufta verbale. Reformat e rëndësishme janë bllokuar prej vitesh. Hungaria është e zhytur thellë në borxhe, shoqëria ankohet gjithnjë e më shumë për korrupsion, keqadministrim, politikë të gabuar ekonomike.
Receta e ekstremistëve të djathtë kundër kësaj është e thjeshtë: "Hungaria - hungarezëve". Kryetari i partisë, Gabor Vona shpjegon zgjidhjen: "Po qe se në një shtëpi banojnë të zotërit dhe qiraxhinjtë, atëherë nuk i dikton qiraxhiu kushtet. Në Hungari veçse është kështu. Këtu vendosin ndërmarrjet e huaja. Ne duam që interesi i hungarezëve dhe kombi të jenë etaloni matës, në ekonomi, në media dhe në kulturë. Dashuria patrotike duhet të jetë në të gjitha fushat e krijimit të ndërgjegjes."
Premtime populiste
Sigurisht nuk janë ekstremistët e djathtë të partisë "Jobbik" ata që e kanë futur në gjuhën e politikës një retorikë të tillë, por janë demokratët e rinj nacional-konservatorë. Në të vërtetë kjo parti, në thelb një parti popullore kristiandemokrate, ka vite që po anon shumë djathtas.
Kur kryetari i demokratëve të rinj dhe kandidati për kryeministër, Viktor Orban në daljet e tij publike flet kundër globalizimit dhe kapitalit ndërkombëtar, gjuha e tij i ngjason parullave të ekstremistëve. "Ne kemi nevojë në Hungari për një rend ekonomik, i cili kupton që si pasojë e krizës, bankat ndërkombëtare dhe ndërmarrjet i janë kthyer vendeve të tyre. Njerëzit në Hungari do të ketë vetëm atëherë punë, kur ne të themi ndershëm: Ne i mbrojmë produktet hungareze, tokën hungareze dhe rezervat ujore hungareze."
Krahas parullave të tilla, demokratët e rinj bëjnë para së gjithash edhe premtime populiste. Ato nisin që nga uljet e taksave deri tek "konsulta kombëtare", referendume që ata do të bënin para miratimit të ligjeve të rëndësishme apo reformave kyçe. Shumë vëzhgues janë të mendimit që vetë demokratët e rinj nuk mund t'i mbajnë shumicën e premtimeve që bëjnë. Një nga politikanët kryesorë të kësaj partie, Laszlo Köver, ka zbutur disi pritshmëritë. Köver ka thënë se më së paku deri në vitin 2011 nuk do ketë hapësira financiare për veprime të tilla.
Autor: Keno Verseck / Lindita Arapi
Redaktoi: Eliana Xhani