Hungari: Ç'kuptim ka referendumi mbi kuotat për refugjatët?
1 Tetor 2016Të dielën qeveria hungareze do t'ia lerë popullit të votojë në referendum. "Doni që Brukseli të vendosë përtej parlamentit, që jo-hungarezët detyrimisht të vendosen në Hungari?". Kjo është pyetja në referendum, por baza e tij nuk është e saktë. Sepse - fare saktë - në këshillin e ministrave të Brendshëm të BE-së tashmë është votuar përkundër rezervave të Hungarisë. Pra ajo duhet të pranojë 1294 refugjatë. Atëherë ç'kuptim ka referendumi? Demonstrim pushteti - brenda vendit si dhe kundrejt Brukselit? Referendumi juridikisht nuk ka efekt. E drejta e BE-së është mbi të drejtën kombëtare në këtë rast. Apo nuk bëhet fjalë për 1.294 refugjatët, por për të tjerë në të ardhmen? Sondazhi qysh tani tregon, se kuorumi i nevojshëm prej 50% nuk mund të arrihet. Opozita - e majtë dhe e djathtë - kërkon në këtë rast dorëheqjen e Orbanit.
Këmbëngulja e Orbanit
"Brukseli do që Hungaria të lejojë emigrantët ilegalë në vend", kështu thuhet në një spot radiofonik të qeverisë në Budapest. Para një viti ajo e ka humbur këtë votë, kur në BE u diskutua për kuotat e refugjatëve. Kryeministri Orban insiston edhe pas vendimit. Pas samitit në Vjenë ai tha: "Ju na keni mashtruar. Nëse ne e lejojmë këtë, ata sërish do të vijnë. Po ua them tani me shumë kortezi. Kolegët e mi kryeministra ju na keni hedhur hi syve, na keni mashtruar, na keni nxitur ndaj njeri-tjetrit."
Sipas kuotës Hungaria duhet të pranojë vetëm 1300 refugjatë. Kundër kësaj ky vend ka ngritur padi pranë Gjykatës së BE-së. Anvokati me emër kritik ndaj qeverisë György Magyar shkund kokën nga habia: "Para një viti Europa vendosi, nëse njerëzit që vinin nga Italia e Greqia mund të ndaheshin midis vendeve. Këtë Hungaria e nënshkroi asokohe. Me këtë hynë në fuqi marrëveshjet, pra e drejta e BE-së. E kjo është gjithmonë mbi të drejtën kombëtare. Të ndryshosh rregullat pas kësaj është njësoj sikur në mesin e ndeshjes së futbollit gjyqtari të thoshte: duke nisur nga minuta e 70-të lejohet të bëhen gola me dorë. Një gjë e tillë është e pamundur."
Edhe sikur referendumi të ketë rezultat pozitiv në favor të qeverisë, juridikisht ai nuk ka asnjë rëndësi. Në shtypin hungarez qysh tani shkruhet për një ndryshim kushtetues që pritet. Kryeministri Orban vet i ka nxitur edhe më shumë spekulimet në televizionin shtetëror: "Një referendum i tillë nuk duhet të mbetet pa efekt në shtetin ligjor. Do të ketë një pyetje, për të cilën ne duhet të vendosim. E kjo duhet të krijojë një sistem hungarez drejtësie. Ky është minimumi."
Efekt me pikëpyetje
Por edhe në një rast të tillë: e drejta e BE-së qendron mbi atë kombëtare. Në një analizë strategjike të sipërmarrjes në SHBA Stratfor – e quajtur në shtyp si "CIA private" – thuhet: Orbani do – bashkë me të tjerë partnerë të shteteve të Vishegradit – më shumë, pra do të ndryshojë marrëveshjen bazë të BE-së. Qëllimi i tij është, që shteteve t'u jepen sërish më shumë kompetenca. Edhe në shtypin hungarez shkruhet për këto plane. Tema e refugjatëve i jep krah Orbanit, thekson në bisedë me televizionin ARD politologu Zoltan Kisszelly, i cili konsulton qeverinë për politikën e jashtme: "Viktor Orban për një kohë të gjatë ishte i izoluar në Europë për shkak të ligjit të diskutueshëm për shtypin, kushtetutës së re dhe taksës së posaçme. Çështja e migracionit ka bërë që ai të dalë prej këtij izolimi."
Këtë e dëshmoi samiti për refugjatët në Vjenë. Në mbarë Europën shenjat flasin për një izolim. Synimet e Orbanit po kthehen në mainstream, mendon analisti politik Pater Tëlgyessy në radion e Budapestit "Inforadio". Referendumi është një shpallje lufte ndaj Bukselit, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë në Hungari, ku vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje: "Mesazhi i së tërës është: ju opozita e majtë, vetëm mund të dërdëllisni, ju keni vetëm receta të vjetra. Por ka edhe një mesazh ndaj së djathtës radikale: nëse ne duam diçka, e bëjmë. Ndërtojmë një gardh kufiri, mbrojmë hungarezët e varfër nga refugjatët e tmerrshëm. Ju keni vetëm fjalë dhe jeni të paaftë për të qeverisur."
Por së pari referendumi duhet të jetë i sukseshëm për qeverinë. Kushti kryesor për këtë është, që një në dy vetë të dalë në votime. Opozita e majtë dhe e djathtë është kundër referendumit dhe sipas anketimeve të fundit nuk mund të mblidhen vota të mjaftueshme. Në një rast të tillë Orban duhet të tërhiqet, kërkon opozita.