1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungarezët demonstrojnë

3 Janar 2012

Në Hungari kanë protestuar dhjetëra mijëra njerëz kundër kushtetutës së re të kontuestueshme. Kushtetuta është futur në fuqi me 1 Janar, por sa do të mbetet?

https://p.dw.com/p/13dFa
Protestat në Hungari
Protestat në Hungari.Fotografi: REUTERS

Kundërshtarët nuk ishin larg njëri-tjetrit,  të paktën jo në hapësirë. Ndërsa të hënën (02.01.2012) me dhjetëra mijëra njerëz demonstronin para Operës së Budapestit kundër kushtetutës së re të vendit, kryeministri Viktor Orban merrte pjesë në të njëjtën kohë në një ceremoni festive në opera. Në ndërtesën historike udhëheqja politike festonte kushtetutën e re, e cila hyri në fuqi në ditën e Vitit të Ri. Para ndërtesës demonstruesit mbanin pankarta me mbishkrimet "diktatura e Orban-it," në kor ata kërkonin dorëheqjen e tij. Tubimi i protestës zhvillohej nën sloganin "Do të ketë përsëri republikë." Në kushtetutën e re termi "Republikë" është hequr nga emërtimi i shtetit - në vend të "Republikës së Hungarisë," vendi tani quhet thjesht "Hungari".

Protestat në Hungari
Njerzët protestojnë në rrugë...Fotografi: REUTERS

"Hipokrizia" kundër "virtytit"

Tubimin e kishin organizuar disa organizata civile dhe parti opozitare. Si oratorë folën disa përfaqësues të partive. Ish i ngarkuari për mbrojtjen e të dhënave, Laszlo Majtenyi, tha në fjalimin e tij: "Në opera sot është mysafir hipokrizia. Në rrugë sundon virtyti i kushtetutshmërisë."

Një nga udhëheqësit e protestave, Sandor Szekely i lëvizjes Solidariteti, tha se kushtetuta e re shkatërron mekanizmat demokratike, që janë krijuar pas rënies së komunizmit në vitin 1989. Kushtetuta e re u miratua në prill me shumicën prej dy të tretash të fraksionit qeverisës Fidesz (Aleanca e Demokratëve të Rinj), kundër votave të opozitës. Sipas kritikëve ajo kufizon të drejtat e Gjykatës Kushtetuese dhe kufizon pavarësinë e shtypit dhe të gjyqësorit. Pak para ndërrimit të viteve parlamenti kaloi me ngut ligje të tjera, me të cilat kufizon ndër të tjera pavarësinë e Bankës Qendrore dhe ndryshon ligjin elektoral në favor të Fidesz-it.

Qeverive të ardhshme u janë lidhur duart

Viktor Orban dhe Gyorgy Matolcsy.
...Viktor Orbani (në foto me ministrin e Ekonomisë Gyorgy Matolcsy) feston në opera!Fotografi: picture-alliance/dpa

Kushtetuta mund t'ua vështirosojë jetën qeverive të ardhshme. Kështu taksa e njësuar 16 për qind u ngjit në rang kushtetute. Kritikët tani kanë frikë nga humbjet tatimore në miliarda. Një këshill i buxhetit i emëruar nga Orban mund të verë veto për nëntë vjet kundër buxheteve të qeverive të ardhshme. Gjykatësja më e lartë e vendit dhe prokurori i përgjithshëm janë emëruar për nëntë vjet të besuar të Orbanit - edhe pas përfundimit të mandatit të tyre ata do ta mbajnë postin, nëse nuk do të ketë dy të tretat e shumicës për mandatarë të rinj.

"Në rastin e një parlamenti, në të cilën shumica qeveritare nuk ka shumicën prej dy të tretash, kjo mund të çojë në paaftësinë e qeverisë për të drejtuar," përcakton instituti i pavarur Etvës në një analizë të tij.

Por edhe nga jashtë, qeverisë hungareze era i fshikullon në fytyrë: Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, Banka Qendrore Evropiane, BQE dhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, kritikuan haptazi kursin e Orbanit. Përveç kësaj, agjencitë e vlerësimit Standard & Poor dhe Moody's I klasifikuan obligacionet hungareze në javët e fundit në një nivel shumë të ulët.

Autor: Martin Muno (dpa, afp, rtr)/Angjelina Verbica

Redaktion: Bahri Cani