1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Holandë: Fushatë zgjedhore në kurriz të emigrantëve

11 Mars 2017

Në Holandë rrrezikon një fitore e populistëve të djathtë. Geert Wilders përdor gjatë fushatës parulla islamofobe.

https://p.dw.com/p/2YylE
Wahlplakate in Amsterdam Niederlande
Fotografi: DW/T.Lageman

Holanda ka qenë e njohur për shoqërinë e saj të hapur. Por përjashtimi dhe segregacioni shoqëror si dhe fajësimet ndaj emigrantëve i kanë bërë shumë njerëz të pasigurt. Ndarja duket e qartë sidomos në disa lagje periferike, si Neuw West, ku jetojnë kryesisht emigrantë. Kjo është një lagje problematike që përmendet vazhdimisht për kriminalitetin e të rinjve dhe luftërat mes bandave. "Ne kemi një problem të madh në këtë lagje. Në shtëpitë e vjetra  jetojnë emigrantët dhe në ndërtesat e reja holandezët. Ata jetojnë pranë e pranë, por nuk kanë të bëjnë asgjë me njëri-tjetrin. Krijohen tensione, secili rri në anën e tij të rrugës dhe ka madje edhe shkolla të ndryshme për emigrantët dhe holandezët." - thotë Samir el Hadaoui.

Groen-Links, Wahlkampf Amsterdam Slotervaart
Fotografi: DW/B. Wesel

Ai është punonjës social dhe u ndihmon të rinjve, p.sh. atyre marokanë, si në lidhje me identitetin e tyre edhe për të gjetur punë. Fëmijë e emigrantëve e kanë mësuar shumë herët që këtu ekziston një lloj shoqëri me dy klasa. "Të rinjtë me prejardhje migracioni nuk mund të gjejnë punë. Nuk ka rëndësi se ku aplikojnë dhe sa të mira i kanë CV-të . Ata e dinë mirë këtë. Shumë thonë se ju luani rolin e viktimës dhe se ndoshta thjesht nuk jeni aq të mirë sa duhet. Por është mjaft e qartë, kur dikush lexon në një CV emrin Muhamed dhe te tjetra Jan ai fton për intervistë Janin. Dhe problemi po bëhet gjithnjë e më i madh." - thotë Samir el Hadaoui.

Emigrantët kokë turku?

Samir el Hadaoui e di se në zgjedhjet parlamentare forca më e madhe mund të dalin populistët e djathtë.  Por ai thotë se pavarësisht se si do të përfundojnë zgjedhjet, në Holandë ekziston një situatë e tillë, e cila kërkon një kokë turku dhe emigrantët janë pikërisht ata që mund të bëhen kokë turku. Transformimi sipas tij nuk duhet të ndodhë vetëm tek politika, por tek qëndrimet e njerëzve.