Hija e gjatë e Shtazit
14 Mars 2013I ngarkuari federal për dosjet e shërbimit të sigurimit të shtetit në ish-Gjermaninë Lindore Roland Jahn paraqiti raportin e 11-të të veprimtarisë së tij. Ky raport paraqitet një herë në dy vjet dhe përmban shumë fakte interesante rreth strukturës së Shtazit dhe punës së tij.
Në fillim të viteve 1990 askush nuk priste që interesi për dosjet e Shtazit do të vazhdonte kaq gjatë. Në vitin 2011 pati rreth 80.000 kërkesa të paraqitura nga individë që donin të shihnin dosjet e Shtazit, në vitin 2012 ishin më shumë se 88.000. Jahn e shpjegon këtë zhvillim me faktin se shumë njerëz që dalin në pension kanë tani kohë të merren me dosjet. Por edhe të rinjtë duan të dinë edhe më shumë se 20 vjet pas fundit të diktaturës në RDGJ më shumë rreth Shtazit dhe përfshirjen e mundshme të familjeve të tyre në këtë veprimtari.
"Pse keni bashkëpunuar?
Brezi i ri u bën pyetje sidomos prindërve, sqaron Jahn. "Pse keni bashkëpunuar? Pse jeni përshtatur? Si qe e mundur që ajo diktaturë të mbijetonte për kaq kohë?" Por për shkak të shkurtimeve të vendeve të punës, si pjesë e shkurtimeve të përgjithshme buxhetore të qeverisë shpesh aplikantët duhet të presin rreth dy vjet që të shikojnë dosjen.
Në qoftë se do t'i vinim në radhë dosjet me raportet që kanë shkruar spiunët dhe bashkëpunëtorët e Shtazit do të kishim një vijë 111 kilometra e gjatë. Por Roland Jahn thotë se "Ne duam që ta hetojmë tradhtinë në RDGJ nga pikëpamja cilësore". Ai thotë se duhet të kemi një "vështrim të diferencuar" në lidhje me bashkëpunëtorët e Shtazit. Pyetjes se "pse dikush ka bashkëpunuar me Shtazin" nuk mund t'i përgjigjesh me statistika dhe etiketa, por këtë fenomen mund ta kuptosh më mirë përmes analizave dhe një vështrimi të diferencuar.