1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Helmetkaltërit e OKB-së - Aq të nevojshëm dhe të kontestuar

Aida Cama
26 Shtator 2018

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi forcimin e misioneve të paqeruajtësve në botë. Ka 70 vjet që OKB organizon misionet paqeruajtëse në 125 vende të botës. Ndërkohë në OKB ka dilemë për UNMIK.

https://p.dw.com/p/35VIG
Südsudan Malakal
Fotografi: Reuters/B. Ratner

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, mbajti të martën një fjalim në takimin e nivelit të lartë për "peacekeeping", paqeruajtjen, ku i bëri thirrje vendeve të mbështesin misionet. Ka 70 vjet që OKB organizon misionet paqeruajtëse në 125 vende të botës.

Vitet e fundit është rritur numri i paqeruajtësve që kanë humbur jetën në misione, dhe Gueterres kërkoi një minutë heshtje për nder të tyre. Vitin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm thirri në jetë iniciativën "Aksion për ruajtjen e paqes”, një angazhim për reformimin e departamentit të OKB-së që merret me misionet dhe interpretimin më të gjerë të rekomandimeve nga Raporti Cruz, që kërkon rritjen e forcës së OKB. "Paqeruajtësit hasin sfida të shumëfishta, procese paqeje që kanë ngecur, terrorizëm ndërnacional dhe krim të organizuar. Por ato përballen me një sfidë gjithëpërfshirëse: hendekun që ekziston midis aspiratave dhe realitetit”, tha Gueterres.

Çfarë duhet bërë?

Rifokusim i paqeruajtjes me kërkesa më realiste, forcim i misioneve duke i bërë më të sigurta dhe mobilizimi i mbështetjes politike për të arritur zgjidhje. Forcat duhen trajnuar më mirë dhe pajisen më mirë. 146 vende kanë nënshkruar deklaratën për ndarjen e angazhimeve të operacioneve paqeruajtëse. Mes nënshkruesve është edhe Shqipëria.

Antonio Guterres
Antonio Guterres flet para OKB-së, 25.09.2018Fotografi: picture-alliance/AP Images/R. Drew

Misionet paqeruajtëse mund të kryhen vetëm nëse fuqitë e mëdha bien dakord çfarë duhet bërë. Disa misione janë kthyer të përjetshme. Ka raste kur paqeruajtësit janë akuzuar pës abuzime seksuale. Megjithatë UN ka pasur suksese në kalimin nga luftërave civile në paqe në disa vende si Mozambik, Kamboxhia, Guatemala dhe Taxhikistan.

Mbështetësi numër një i OKB është SHBA, e cila në kohën e Trumpit ka kërkuar të ulë financimin pikërisht për misionet paqeruajtëse. SHBA jep 22 përqind të buxhetit të OKB. Këshilli i Sigurimit aprovoi javën e kaluar një rezolutë që mbështet aksionet e OKB kundër paqeruajtësve që dështojnë në mbrojtjen e civilëve, përfshirë kthimin e tyre në shtëpi dhe mospagimin e qeverive të tyre.

OKB ka 96 mijë paqeruajtës në 14 misione. Buxheti i misioneve arrin në 7,3 miliardë dollarë në vit.

UNMIK dhe dilema

Kursimi i parave është një argument i fortë për mbylljen e misionit të OKB në Kosovë. Autoritetet kosovare, por edhe disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar mbylljen e misionit. Vende të tjera janë kundër dhe misioni vazhdon me detyrën e nxitjes së paqes, stabilitetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Por autoritetet vendore thonë se misioni e ka kryer punën dhe se nuk ka më detyra të qarta. 55 paqeruajtës kanë humbur jetën në Kosovë që kur misioni filloi më 10 qershor 1999 me rezolutën 1244 të Këshilli të Sigurimit. Sot misioni ka në bazë 349 persona me një buxhet vjetor 38 milionë dollarë.