1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqatat hebraike në Poloni po japin alarmin

9 Mars 2018

Shumë hebrenj nuk ndihen më të sigurt në Poloni. Shoqatat hebraike e kritikojnë për këtë Varshavën dhe e akuzojnë qeverinë se dëshiron të mohojë antisemitizmin.

https://p.dw.com/p/2tyUZ
Poeln Auschwitz March of the Living
Fotografi: picture-alliance/PAP/A. Grygiel

Numri i kërcënimeve dhe i fyerjeve ndaj hebrejve dhe institucioneve të tyre në mediat polake dhe në internet po rritet vazhdimisht. "Ne jemi tani në një situatë të re, dhe po dëgjojmë gjëra që nuk i kemi dëgjuar që nga viti 1968, pikërisht 50 vjet më parë." - thotë kryerabini Michael Schudrich. Që nga marsi i vitit 1968 mijëra hebrenj polakë  të mbijetuar nga Holokausti dhe fëmijët e tyre u larguan pas incidenteve të shumta antisemite nga Polonia dhe u vendosën në Izrael dhe vende të tjera perëndimore në Evropë dhe Amerikë. Shkaku vendimtar ishte një fushatë antihebreje e regjimi komunist,  i cili i ka shtypur vazhdimisht hebrenjtë.

Frikë nga armiqësia antisemitike

Schudrich ka lindur në Nju Jork dhe jeton në Varshavë prej gati tri dekadash. Ai ndihmoi për rindërtimin e bashkësive hebraike pas fundit të komunizmit në Poloni, para së gjithash në kryeqytetin polak ku Sinagoga e përdhosur nga gjermanët gjatë Holokaustit, u la gjatë komunizmit pas dore. Për disa vite me radhë komuniteti hebre ishte krenar që në Poloni u ringjall jeta hebreje, por sot vështirë se dikush dëshiron të flasë për këtë me gazetarët. Arsyeja: frika nga armiqësia antisemitike. Kjo shprehet në formë karikaturash që po shfaqen gjithnjë e më shpesh kohët e fundit në mediat nacionaliste besnike të qeverisë së djathtë si dhe në komente të tipit: "Sulm hebre mbi Poloninë" apo "Për hebrejtë nuk ka vend në Poloni, ata duhet të shkojnë të gjithë në Izrael."

Warschauer Synagoge Großrabbiner Michael Schudrich
Michael SchudrichFotografi: DW/P. Kajszczak

Eksodi i hebrenjve nga Polonia komuniste

Publicisti Konstanty Gebert qe një nga nga pak hebrenjtë fetarë që qëndruan pas eksodit në Poloninë komuniste. Ai dhe i biri, Jan Gebert, e akuzojnë qeverinë aktuale populiste të djathtë, se nuk bën sa duhet kundër antisemitizmit. "Kjo po ndodh tani, sepse "Ligji i Holokaustit" i ri në Poloni po i ndez përsëri gjërat. Sigurisht antisemitizmi ka ekzistuar gjithmonë në Poloninë moderne, edhe në epokën komuniste dhe tani ky po rishfaqet." - thotë Konstanty Gebert.

Kritika për "Ligji e Holokaustit"

I ashtuquajturi "Ligji i Holokaustit" që ka hyrë në fuqi këtë muaj, ndalon çdo deklaratë sipas së cilës polakët kanë marrë pjesë në shfarosjen e hebrenjve nga gjermanët gjatë kohës së sundimit nazist. Ligji parashikon, mes të tjerash, gjoba dhe burgim deri në tre vjet nëse dikush fajëson "kombi apo shteti polak" për bashkëfajësi për Holokaustin gjatë periudhës së pushtimit nga Gjermania naziste. Sipas këtij ligji Konstanty Gebert mund të akuzohet dhe të dënohet me tre vjet heqje lirie, sepse në një artikull për gazetën liberale të majtë Gazeta Wyborcza ka shkruar "Unë deklaroj se një numër përfaqësuesish të kombit polak janë bashkëpërgjegjës për disa krime naziste të kryera nga Rajhu i Tretë".

Qeveria populiste e djathtë polake po përballet me shumë kritika për këtë ligj, veçanërisht nga Izraeli. Qeveria e Izraelit e konsideron ligjin si kufizim të së drejtës së fjalës dhe ka protestuar. Po ashtu në një letër të hapur, të gjitha organizatat hebraike në Poloni kanë paralajmëruar kundër rritjes së antisemitizmit që nga fillimi i debatit mbi ligjin kontradiktor.  Diskutimet i kanë helmuar marrëdhëniet e përditshme mes hebrejve dhe jo-hebrejve në Poloni.

Film Wir sind Juden aus Breslau
Fotografi: Wir sind Juden aus Breslau

"Njerëzit kanë filluar të frikësohen dhe unë kam frikë të diskutoj në publik dhe të them se jam hebre, apo të futem në  diskutime." - thotë Jan Gebert.

Kush është fajtor?

Kurse Artur Hofman, që drejton "Shoqatën jo-fetare Sociale Kulturore të Çifutëve në Poloni", i sheh gjërat krejt ndryshe. Kjo shoqatë u themelua pas Luftës së Dytë Botërore dhe ishte institucioni më i madh hebre gjatë periudhës komuniste. Sot shoqata ndjek vijën e qeverisë populiste të djathtë, dhe regon ndjeshëm ndaj kritikave nga jashtë. Sidomos nga Gjermania.

Mahnmal für das Vernichtungslager Sobibor
Kampi i përqëndrimit në Soribor, PoloniFotografi: picture alliance/dpa/P. Wierzchowski

"Këto zëra përpiqen ta fajësojnë Poloninë për zgjidhjen Holokaustin nazist. Për ta thënë përmbledhtaz, ju gjermanët e bëtë këtë jo polakët. Gjermanët duhet të fajësohen, jo ne polakët ." - thotë Artur Hofman. Sipas tij "retorika antisemite në Poloni nuk ka pasoja të tilla si e njëjta retorikë në Gjermani."

Asnjë hapësirë për antisemitizmin në Poloni

Kryerabinin Michael Schudrich e nervozojnë fjalë të tilla. Ai kërkon prej qeverisë polake që "të mos lejojë as hapësirën më të vogël për antisemitizmin në Poloni! Ne e dimë se ç'mund të bëjë antisemitizimi, e pamë dikur. Sot në vitin 2018 duhet të themi, pavarësisht nëse jemi të majtë, të djathët apo të qendrës, se nuk do ta tolerojmë antisemitizmin!" Në të kundërt kryerabini polak ka frikë se mund të ketë një valë të re emigrimi të hebrejve nga Polonia.

Një burrë me flokë të shkurtër dhe këmishë të bardhë, xhaketë të zezë, qëndron përpara një pamjeje urbane me ndërtesa dhe një monument në sfond. Ai shikon drejt kameras me një shprehje neutrale në fytyrë.
Frank Hofmann Korrespondent i lartë me fokus në Evropë, siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare@frankrhofmann