1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hamasi s'është i gatshëm ta njohë Izraelin - Rusia e gatshme për ndihmë

Pandeli Pani15 Prill 2006

Ndërsa BE-ja dhe SHBA i kanë ndërprerë ndihmat për qeverinë e Hamasit, Rusia shprehet e gatshme të ofrojë një ndihmë financiare urgjente, për të zbutur krizën financiare të qeverisë palestineze.

https://p.dw.com/p/AqqN
Vetëbesim i tepruar
Vetëbesim i tepruarFotografi: AP

Kreu politik i Hamasit Xhaled Meshal, i cili jeton në mërgim, e përjashton mundësinë që organizata e tij radikale ta njohë shtetin e Izraelit. Meshaal tha në Teheran, ku po zhvillohet një konferencë e shteteve islamike për mbështetjen e palestinezëve, se nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të rezistencës. Edhe presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhat përsëriti sërish qëndrimin e tij armiqësor ndaj Izraelit. Gjatë konferencës në Teheran, Ahmadinexhat tha se Izraeli nuk ka të drejtë të ekzistojë. Duke shprehur edhe një herë dyshimin e tij për holkaustin, Ahmadinexhati tha se "edhe pse për holokaustin mund të ketë dyshime, përfundimisht nuk mund të ketë asnjë dyshim për holokaustin e viteve të fundit në Palestinë."

Qeveria amerikane i hodhi poshtë deklarat e presidentit iranian. "Kjo lloj retorike vetëm sa i shton shqetësimin dhe frikën e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me armët atomike të Iranit." - tha zëdhënësi i MPJ amerikane Sean McCormack në Uashington.

Ndërkohë që në Teheran po zhvillohet një konferencë e shteteve islamike për mbështetjen e palestinezëve, kryeministri i qeverisë palestineze, Ismail Hanija, deklaroi në kampin e refugjatëve Xhabalja, kampi më i madh i refugjatëve palestinezë, se qeveria e tij do ta përballojë presionin financiar të perëndimit. SHBA-të dhe aleatët e tyre bëjnë gabim kur mendojnë se me shkurtimin e ndihmave financiare mund ta përulin brenda katër ose gjashtë javësh qeverinë e re të Hamasit, deklaroi Hanija.

Ndërprerja e ndihmave perëndimore për qeverinë e Hamasit po tregon efektet e saj. Autoritetet palestineze nuk janë në gjendje të paguajnë rrogat e rreth 140.000 punonjësve të tyre. Kjo çoi në një aksion të policëve, të cilët në shenjë proteste bllokuan ndërtesën, ku gjenden organet e qeverisë palestineze.

Për të zbutur krizën financiare të qeverisë palestineze Rusia u shpreh e gatshme të ofrojë një ndihmë financiare urgjente.
Ministria e Punëve të Jashtme në Moskë njofti se këtë ndihmë ia premtoi ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, presidentit palestinez Mahmud Abaz. Sqarime për sasinë e ndihmës nuk u dhanë.