120211 Palästina Ägypten
14 Shkurt 2011Pas fitores së Lëvizjes demokratike në Egjipt, siç duket autoritetet autonome palestineze frikësohen se mund të humbasin kontrollin mbi zhvillimet në vend: për herë të parë nga viti 2005 përkatësisht 2006 kërkohet organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në rajonet palestineze. Kështu njoftoi një bashkëpuntor i ngushtë i presidentit palestinez Mahmud Abass, Yasser Abed Rabbo në Ramallah. Përçarja e thellë e brendshme palestineze tek Fatahu dhe Hamasi kanë penguar deri tani organizimin e zgjedhjeve të rregullta.
Rabbo i drejtoi një apelo Hamasit, i cili mban pushtetin në Rripin e Gazës që të anashkalojë të gjitha mosmarrëveshjet dhe të përqëndrohet në mbajtjen e zgjedhjeve maksimumi në muajin shtator. Paralajmërimi për zgjedhje të reja është një reagim i qartë ndaj dorëheqjes së Mubarakut. Nga mbrëmja e së premtes (11.2.) në disa qytete të rajoneve palestineze ka pasur tubime spontane gëzimi në të cilat është festuar largimi i presidentit Husni Mubarak nga kreu i pushtetit në Egjipt.
Nën drejtimin e ish presidentit Mubarak nga mesi i vitit 2007 janë zhvilluar negociata deri tani të pafrytshme për pajtimin e dy grupimeve të armiqësuara palestineze. Lëvizja e Hamasit në Rripin e Gazës refuzoi të shtunën mbajtjen e zgjedheve të reja, sepse sipas tij "së pari duhet të bëhet pajtimi".
Politikanja e pavarur palestineze Hanna Ashrawi nga Komiteti Ekzekutiv i Organizatës për Çlirimin e Palestinezës (PLO) duke folur për ndikimet e revolucionit egjiptian ndaj palestinezëve sqaroi se: "Kjo e ndihmon Egjiptin që të kthehet sërish tek pozicioni i tij i vërtetë, që të kontrollojë rajonin dhe botën arabe. Kjo e forcon po ashtu çështjen palestineze dhe e forcon vullnetin palestinez që të ngrejë zërin kundër pushtimit dhe shkeljeve të tij."
Në reagimet e tjera të autoriteteve autonome palestineze pas dorëheqjes së Mubarakut bën pjesë edhe njoftimi sipas të cilit nga posti do të largohet kryendërmjetësuesi shumëvjeçar palestinez, Saeb Erekat. Qysh para publikimit të dokumenteve interne të negociatave me Izraelin nga kanbali televizib El Xhazira para disa javësh Erekat ishte një prej anëtarëve më jopopullor të gardës udhëheqëse të presidentit palestinez Mahmud Abass. Nga dokumentet e publikuara është mësuar ndër të tjera se Erekat, i ka bërë lëshime të mëdha qeverisë së atëhershme izraelite nën drejtimin e kryeministrit Ehud Olmert.
Autor: Clemenes Verenkotte/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama