1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hamas njofton hakmarrje për sulmet më të reja izraelite

Karsten Kühntopp10 Qershor 2006

Abaz: sulmet krim ndaj popullit palestinez

https://p.dw.com/p/Aqpg
Sulm izraelit mbi Rripin e Gazës
Sulm izraelit mbi Rripin e Gazës

Pas një sulmi të planifikuar izraelit kundër shefit palestinez të sigurisë dhe të shtënave vdekjeprurëse ndaj një feste familjare, krahu militant i Hamasit ka anuluar armëpushimin me Izraelin. Sot në mëngjes bëhet e ditur se është qëlluar me raketa nga Rripi i Gazës mbi një zonë izraelite. Me një sulm të planifikuar ajror forcat e armatosura izraelite vranë të enjten shefin e sigurisë të qeverisë së Hamasit, Xhamal Abu Samhadana. Sulme të tjera nga ajri dhe të artilerisë në Rripin e Gazës i kanë kushtuar jetën të premten të paktën dhjetë palestinezëve. Ndër ta ishte një familje prej shtatë vetësh e cila bënte një piknik në breg të detit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan ka kërkuar hetimin e ngjarjeve.

Ali Galia, një fshatar palestinez, kishte sjellë në breg të detit në Rripin e Gazës dy gratë dhe nëntë fëmijët e tij; duhej të ishte një piknik në një pasdite vere ; familja sapo ishte ulur për të ngrënë kur goditën granatat izraelite. Të paktën shtatë vetë vdiqën, gjashtë persona vetëm nga familja Galia. Dhjetëra njerëz u plagosën si pasojë e sulmit, pjesa më e madhe fëmijë. Ushtria izraelite ka kërkuar falje, ka shprehur keqardhje për sulmin. Shefi i përgjithshëm i shtabit ka urdhëruar ndërprerjejen e sulmeve të artilerisë mbi rripin e Gazës derisa një komision hetimor të sqarojë rrethanat e gjakderdhjes.

Mahmud Abas, presidenti i palestinezëve, ka folur për një masakër të përgjakshme dhe ka kërkuar ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare. Ushtria izraelite ka kryer krim ndaj popullit palestinez është shprehur Abaz. Kombet e Bashkuara dhe kuarteti për Lindjen e Afërme duhet t'i japin fund "gangsterizmit të izraelitëve" ka thënë Abaz shprehimisht. Kryeministri i autoriteteve autonome, Ismail Hanija nga Hamasi, e ka quajtur sulmin krim lufte. Krahu i armatosur i Hamasit ka deklaruar se ka marrë fund armëpushimi në fuqi që prej marsit të vitit të kaluar. Në qytetet sioniste do të dridhet toka, janë shprehur zëdhënës të krahur të armatosur të Hamasit duke shtuar se krimi izraelit do të shpaguhet me të gjitha forcat. Kreu politik i Hamasit nga ana e tij nuk ka dashur të konfirmojë ndërprerjen e armëpushimit dhe është shprehur i përmbajtur. Por një zëdhënës ka thënë se përballë ngjarjeve të orëve të fundit askush nuk mund të qëndrojë duarkryq.

Megjithë gjakderdhjen në Rripin e Gazës, presidenti i palestinezëve Abaz synon të mbajë referendumin e planifikuar. Në të do të votohet ndër të tjera për themelimin e një shteti palestinez në krahinat e pushtuara nga Izraeli që në vitin 1967. Kjo do të nënkuptonte njohjen indirekte të shtetit të Izraelit. Në lëvizjen Fatah të presidentit Abaz thuhet se referendumi është një mjet për të shmangur derdhjen e mëtejshme të gjakut mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe në gjirin e shoqërisë palestineze.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert përkundrazi e ka cilësuar reerendumin të pakuptimtë. Një gazetë britanike citon Olmert të ketë thënë se referendumi nuk kontribuon në dialogun mes palëve dhe nuk është në përputhje me parimet që Izraeli dhe bashkësia ndërkombëtare kanë përcaktuar për negociatat.

Sulmet izraelite që prej ditës së enjte janë më të përgjakshmet që prej tërheqjes së trupave izraelite nga Rripi i Gazës vitin e kaluar. Izraeli i ka quajtur sulmet reagim ndaj goditjeve të përsëritura palestineze me raketa të vogla Kasam nga Rripi i Gazës në lokalitetet hebreje. Sipas njoftimeve të medieve ministri izraeli i mbrojtjes Amir Perec i Partisë Laburiste, me marrjen e postit disa javë më parë kishte propozuar ndërprerjen e plotë të sulmeve të artilerisë në Rripin e Gazës pasi këto nuk ndalojnë dot sulmet palestineze me raketat Kasam dhe janë shumë të rrezikshme. M.q.s Gaza ka një popullsi shumë të dendur mundësia e viktimave civile është shumë e lartë ka argumentuar Perec. Por më pas ai ka vendosur megjithatë të mos ndryshojë taktikën e ushtrisë.