Hamas kërkon bashkëpunim me grupime të tjera politike
28 Janar 2006Pas fitores së papritur në zgjedhjet parlamentare në krahinat palestineze, lëvizja radikale islamike Hamas kërkon bashkëpunimin me grupime të tjera politike. Ndërkohë në Izrael janë ndezur diskutime të zjarrta rreth fitores së Hamasit.
Fitimtarët dhe humbësit po i përpunojnë me vështirësi rezultatet e zgjedhjeve në Palestinë. Lëvizja radikale islamike Hamas duket e habitur nga fitorja e saj e pastër dhe kërkon gati me lutje partnerë politikë. Kandidati kryesor i Hamasit në zgjedhjet parlamentare Ismail Hanija ka njoftuar se do të takohet ditët e ardhshme me presidentin Mahmud Abaz për të folur mbi një koalicion të mundshëm me lëvizjen e tij Fatah. Por deri tani Fatah ka refuzuar krijimin e një koalicioni të madh. Një nga politikanët e lartë të Fatah-ut Saeb Erekat thotë:"Nuk kemi mundësi. Partia Fatah duhet fillimisht të përpunojë atë çfarë ka ndodhur pra humbjen në zgjedhje pas katër dekadash si forca dominuese politike në vend. Duhet të reflektojmë, të riorganizohemi dhe të reformohemi. Ne duam të bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive në parlament por si opozitë e ndershme. Kjo është demokracia, partitë humbasin dhe largohen, të tjera fitojnë dhe formojnë qeveri."
Mbetet të shihet nëse dhjetëra mijëra aktivistët e armatosur të lëvizjes Fatah që deri tani gjendeshin në listën e pagave të autoriteteve autonome do të pranojnë kaq lehtë humbjen e pushtetit të lëvizjes së tyre. Edhe gjatë ditës së premte ka patur shkëmbime të izoluara zjarri mes përkrahësve të Fatahut dhe Hamasit si pasojë e të cilave janë plagosur shumë vetë.
Pyetjes së rëndësishme nëse Hamas përgjegjëse në të kaluarën për shumë atentate të përgjakshme vetëvrasëse në Izrael do të heqë dorë nga lufta e armatosur i përgjigjet kështu një prej drejtuesve më me influencë të Hamasit Mahmud Zahar: "Terrori dhe dhuna nuk janë mjetet kryesore të luftës së sonë. Ne jetojmë nën pushtim. Izraelitët vazhdojnë agresionin kundër popullit tonë. Ata vrasin, burgosin, shkatërrojnë. Për t'i dhënë fund kësaj ne bëjmë qëndresë, edhe me armë. Kur izraelitët t'i japin fund agresioneve të tyre ne do të respektojmë armëpushimin."
Kjo përgjigje nuk përmban aspak njohjen e qartë të së drejtës për egzistencë të Izraelit të kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Në Izrael diskutimi rreth fitores në zgjedhje të Hamasit ka zëvendësuar tronditjen e thellë të fillimit. Fushata elektorale që fillon së shpejti në Izrael ka diktuar lëshimin e deklaratave të ashpra. Kështu kryetari i partisë së djathtë Likud Benjamin Netanjahu i cilëson krahinat palestineze nën pushtetin e Hamasit si Hamastan, një shtet satelit të Iranit sipas modelit të talibanëve afganë.
Linja aktuale e qeverisë izraelite është injorimi i qeverisë së ardhshme të Hamasit dhe trajtimin e saj si të parëndësishme. Zëdhënësi i qeverisë izraelit Raan Gissin thotë: "Izraeli nuk do të ketë asnjë llojë marrëdhënieje me një qeveri në të cilën do të marrë pjesë ose që do të udhëhiqet nga Hamasi. Kjo organizatë kërkon shkatërrimin e Izraelit, mbështet vazhdimin e terrorit dhe është në listën e organizatave terroriste më të rrezikshme në botë."
Ndërkohë ShBA kanë kërkuar që Hamas të shkëputet nga krahu i saj i armatosur. Presidenti amerikan Xhorxh Bush e ka kërcënuar organizatën radikale islamike me shkurtimin e ndihmave për palestinezët nëse nuk heq dorë nga lufta e armatosur dhe nga thirrjet për shkatërrimin e Izraelit. Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan CBS Bush është shprehur se "nëse kjo nuk ndodh ne nuk do të kemi asnjë lloj marrëdhënieje me ta".