1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hagë: Mbrojtja hedh poshtë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Elona Elezi | Bahri Cani*
4 Prill 2023

Në Gjykatën Speciale vazhdoi procesi kundër Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit. Mbrojtja thotë se asnjë pohim i aktakuzës nuk qëndron.

https://p.dw.com/p/4Pgll
Hagë: Mbrojtja hedh poshtë të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Hagë: Mbrojtja hedh poshtë të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-sëFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mohuan sot (04.03) të gjitha akuzat e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, e cila dje paraqiti argumentet e saj për përfshirjen e të akuzuarve në krime lufte dhe krime kundër njërëzimit në periudhën 1998/1999. Krimet e supozuara përfshijnë ndër tjerash edhe vrasje, torturë e zhdukje me forcë, që janë kryer në disa pjesë të Kosovës por edhe në disa zona të veriut të Shqipërisë.

Kehoe: Hashim Thaçi nuk është përfshirë në asnjë krim 

Avokati i udhëheqësit politik të UÇK Hashim Thaçi, Gregory W. Kehoe tha se ish-presidenti i Kosovës nuk ka qenë i përfshirë në asnjë krim lufte. Sipas tij, gjatë periudhës për të cilën prokuroria pretendon se janë bërë këto krime, nuk ka pasur as struktura komanduese, sipas së cilëve të akuzuarit mund të mbajnë përgjegjësi për krime mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.  

Prokuroria tha dje se të akuzuarit Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi individuale dhe përgjegjësi sipas zinxhirit komandues për krime ndaj serbëve, romëve, shqiptarëve e katolikëve me pretendimin se ata ishin bashkëpunëtorë të forcave serbe dhe tradhtarë. Aktakuza ngarkon të akuzuarit edhe për "veprime të bashkuara kriminale".  

Avokati Kehoe foli gjatë edhe për kontekstin e ngjarjeve të viteve 1998-99, duke thënë se "prokurorët e kanë ngatërruar në tërësi kontekstin e ngjarjeve, sepse ushtria dhe policia jugosllave ishin ata që kishin forcën në luftë”. Ndërsa UÇK-ja përbëhej nga vullnetarë të organizuar në nivel lokal, që luftonin për të mbrojtur shtëpitë dhe vendin e tyre.  

UÇK përbëhej nga njerëz të zakonshëm 

"UÇK përbëhej nga bujq, mësues, fshatarë dhe njerëz të zakonshëm, të organizuar në nivel lokal dhe të cilët nuk i jepnin llogari askujt. Ata shkonin dhe vinin kur të donin”, theksoi ai, duke shtuar se pas ofensivës së forcave serbe në fund të vitit 1998, UÇK-ja gati ishte shpartalluar dhe shumë prej pjesëtarëve të saj kanë ikur jashtë vendit.  

UÇK përbëhej nga bujq, mësues, fshatarë dhe njerëz të zakonshëm
UÇK përbëhej nga bujq, mësues, fshatarë dhe njerëz të zakonshëmFotografi: AP

"Në Kosovë janë kryer krime, por nuk ka pasur dhunë sistematike nga ana e UÇK-së dhe nuk ka pasur asnjë strukturë komanduese që kontrollonte të gjitha  forcat e UÇK-së. Dhuna ka qenë rezultat i veprimeve të pakontrolluara. Pas luftës ka pasur hakmarrje dhe larje hesapesh.”  

Krimet e palës serbe 

Sipas mbrojtjes këto krime kanë qenë të motivuara nga krimet e regjimit serb. Sipas burimeve ndërkombëtare, forcat serbe kanë vrarë mbi 12.000 shqiptarë, kanë dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 800.000 shqiptarë dhe kanë zhvendosur rreth 500.000 të tjerë brenda vendit. Avokati Kehoe tha se për krimet ndaj shqiptarëve ka ekzistuar edhe një strategji e qartë e Serbisë. Në këtë kontekst citoi edhe deklaratat e Vojisllav Sheshelit, i cili në prag të bombardimeve pohonte se nëse fillojnë bombardimet, nga "bombat e NATO-s do të pësojë ndoshta një numër i serbëve, por në Kosovë nuk do të mbetet më asnjë këmbë shqiptari”.  

Thaçi nuk ka pasur kurrfarë kontrolli real 

Sipas avokatit Kehoe, Hashim Thaçi nuk ka pasur kurrfarë kontrolli real ndaj veprimeve të personave të ndryshëm, sepse nuk ka ekzistuar ndonjë strukturë komanduese që kontrollonte të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.   

Për të dëshmuar pafuqinë e Hashim Thaçit në marrjen e vendimeve ai foli edhe për zhvillimet në Rambuje, ku Thaçi nuk ishte në gjendje të nënshkruante marrëveshjen pa konsultime. Marrëveshja e Rambjesë është nënshkruar vetëm pas konsultimeve me komandatët rajonalë, që dëshmon se zoti Thaçi "nuk ka pasur fuqinë ekzekutive”.  

Përgjegjësinë mbante UNMIK-u 

Mbrojtja tha se Hashim Thaçi nuk kishte fuqi reale ekzekutive as në kohën kur ishte në krye të qeverisë së përkohshme, sepse e gjithë përgjegjësia për gjendjen e sigurisë dhe të gjitha fushat e tjera ishte në duart e UNMIK-ut. E menjëherë pas luftës ka mbretëruar edhe një gjendje kaotike, sepse secili mund të blinte një uniformë të UÇK-së dhe ta keqpërdorte atë për të bërë krime.  

"Hashim Thaçi nuk kishte pushtet të plotë ligjor. Ai në qeverinë e përkohshme ishte vetëm një kryeministër në letër, sepse të gjithë pushtetin e kishte UNMIK-u ”, tha avokati Lluka Mishetiq. Sipas tij, Thaçi nuk ka pasur mundësi të ketë kontroll mbi ata të cilin bartnin uniforma.  

Mbrotja rikujtoi se lufta ka përfunduar me 9 qershor 1999, se forcat NATO-s janë futur në Kosovë më 12 qershor, ndërsa një ditë më vonë edhe administrata e UNMIK-ut, e cila mori pushtetin sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB. Më 20 qershor u largua ushtria serbe nga Kosova, ndërsa më 21 qershor u nënshkrua edhe marrëveshja për demilitarizimin e UÇK-së dhe FARK-ut. Në atë kohë Kosova nuk kishte as gjykata, as polici, as institucione, dhe as ligje. Ndërkohë që mijëra kosovarë të dëbuar, njerëz të cilët kishin të vrarë në familje dhe të cilëve u ishte shkatërruar e djegur gjithçka që kishin, ktheheshin në shtëpi.  

Më 21 qershor 1999 u nënshkrua edhe marrëveshja për demilitarizimin e UÇK-së dhe FARK-ut.
Më 21 qershor 1999 u nënshkrua edhe marrëveshja për demilitarizimin e UÇK-së dhe FARK-ut.Fotografi: AP

”Çfarë mund të pritej në situatë të tillë përveç hakmarrjes?”, pyeti avokati, duke shtuar se edhe shumë kriminelë kanë keqpërdorur uniformën e UÇK-së mund të kenë kryer veprime kundërligjore. "Por për këtë nuk mund të fajësohet Thaçi, i cili në atë kohë nuk kishte pushtet ekzekutiv”, tha ai. 

Roli paqësor i Thaçit 

Mbrojtja paraqiti edhe shumë video e raporte të organizatave ndërkombëtare ku Hashim Thaçi shihej të fliste për paqe, barazi dhe bashkëjetesë, ku kundërshtonte dëbimet e serbëve dhe angazhohej për kthimin e serbëve që nuk janë përfshirë në krime.  

Avokati, Lluka Mishetiq, tha se Thaçi nuk ishte ai që bënte politikat e UÇK dhe nuk kishte kontroll ndaj UÇK-sLluka. Ai drejtonte Drejtorinë Politike, e cila kishte për synim ndërkombëtarizimin e luftës dhe marrjen e përkrahjes për UÇK-në. Thaçi mbante konferenca për shtyp, takonte faktorë ndërkombëtarë dhe angazhohej për mbështjen politike nga të huajt. Avokatët disa herë përmendën edhe rolin udhëheqës të Adem Demaçit në atë kohë.  

Thaçi: Ndjej keqardhje për të gjitha viktimat 

Në fund mori fjalën edhe vetë i akuzuari Hashim Thaçi, i cili theksoi edhe njëherë: "Unë jam i pafajshëm!” "Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Por padrejtësia nuk vendoset me aktakuza kundër njerëzve të pafajshëm”, tha Thaçi.

Për UÇK-në ai tha se ajo ishte e përbërë nga njerëz të rëndomtë që donin të mbronin shtëpitë dhe familjet e tyre, ndërsa në anën tjetër ishin forcat e armatosura ushtarake e policore si dhe paramilitare. Sipas Thaçit UÇK-ja nuk ishte organizuar për të bërë krime, por për të mbrojtur veten dhe shtëpitë e tyre.  

Procsi i Hagës -  Hashim Thaçi thotë se është i pafajshëm
Procsi i Hagës - Hashim Thaçi thotë se është i pafajshëmFotografi: Koen van Weel/REUTERS

"Rezistenca kishte për qëllim lirinë dhe demokracinë. Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, atyre iu imponua lufta. Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës”, tha ai duke shtuar se "sot është i lumtur që Kosova është një shteti i të gjithëve, pavarësisht përkatësisë etnike".  

Në këtë proces, sipas tij, do të rikthehemi në periudhën para 25 vitesh. "Mbamendja është mjegulluar, ndërsa realiteti po mjegullohet me pretendime të pavërteta". Por ne kemi dëshmi që të dëshmojnë të vërtetën", tha ai duke shtuar se i vjen keq që për këto zhvillime nuk do të mund të dëshmojnë edhe të ndjerët Madeleine Albright, Robin Cook, Richard Hollbrook, De Melo, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani e Adem Demaçi. "Ata do të kishin dëshmuar në emrin e tim se nuk jam fajtor për këto akuza”, theksoi ai. Thaçi tha se "ne luftuam për liri, por pa ndihmën e SHBA dhe bashkësisë ndërkombëtare kurrë nuk do të ishim të lirë."  

„Pastrimi i njollës së zezë" 

Ai një pjesë të veçantë në deklaratën e tij i kushtoi edhe raportit të ish-eurodeputetit nga Zvicra, Dick Marty. Thaçi tha se menjëherë pas miratimit të këtij raporti në Këshillin e Evropës, ai vetë ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëhen hetimet për akuzat lidhur me trafikim organesh dhe për shtëpinë e verdhë."Bashkësia ndërkombëtare më tha se duhet krijuar një gjykatë speciale për heqjen e kësaj njolle të zezë. Ne e kemi pranuar dhe tani bota e di se nuk kishte trafikim organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Ne dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga kjo akuzë. Unë pres të shfajësohem edhe nga çdo akuzë tjetër", theksoi Hashim Thaçi duke shtuar se ai „beson në drejtësi, paqë dhe barazi."  

Procesi vazhdon me paraqitjen e fjalës mbrojtëse të të akuzuarve të tjerë Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në ditën e dytë atmosfera në mesin e vizitorëve në galerinë e gjykatës ishte më e emocionalizuar, sepse atje kishte më shumë familjarë të të akuzuarve. Seancat në rastin "Thaçi dhe të tjerët” do të vazhdojnë më 5 prill. Pastaj vijojnë seancat më 11, 12, 13, si dhe 17, 18, 19 e 20 prill, kur pritet të paraqiten edhe dëshmitarët e parë të prokurorisë lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

 

Elona Elezi, portret, shikon drejt e në kamera.
Elona Elezi Korrespondente nga Shqipëria dhe Ballkani