Grushti i Angela Merkelit kundër "babait" të saj politik
20 Tetor 2021Angela Merkel nuk do të ishte bërë kurrë kryetare e partisë CDU dhe as kancelare e Gjermanisë, nëse më 22 dhjetor 1999 të mos kishte publikuar tekstin e saj në gazetën e përditshme Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku ajo hapur u distancua nga politika e ish-kancelarit Helmut Kohl. Në këtë tekst ajo u distancua pra nga mentori i saj politik, i cili e ka mbështetur fuqishëm në karrierën e saj. U distancua nga "babai i saj politik" dhe nga "babai i bashkimit të Gjermanisë”, nga njeriu që udhëhoqi partinë CDU plot 25 vjet.
Por Kohl ishte edhe një politikan, i cili për vite me radhë ka mbajtur një "arkë të zezë" dhe refuzonte me këmbëngulje të zbulonte emrat e donatorëve të fshehtë. Në këtë mënyrë ai diskreditoi edhe vetë partinë CDU.
Helmut Kohl e "ka dëmtuar partinë", shkroi Angela Merkel. Sekretarja e përgjithshme e partisë, asokohe 45-vjeçarja Angela Merkel, mori guximin dhe kritikoi "xhindin" politik, të cilin askush publikisht nuk guxonte ta kritikonte, e të mos flasim për përplasje të hapur politike me të. Kjo ishte një bombë politike që shpërtheu në prag të festave të Krishtlindjeve, kur CDU ishte në një krizë të thellë.
"Arkat e zeza”
Në ato rreth 200 rreshta teksti në gazetë, Merkel tha se ajo ishte e tronditur nga detajet e aferave të "arakave të zeza" - një sistem përmes së cilit është finacuar CDU që prej viteve 1970. Me këto kritika, Angela Merkel ka rrezikuar të ardhmen e saj politike brenda partisë CDU, ku Kohl ishte shumë i fuqishëm. Menjëherë pas publikimit të artikullit, Merkel u gjet në shënjestër të kritikave nga mbështetësit e Kohlit.
Por nga ana tjetër, shpjegimi i saj shumë i saktë i çështjes dhe kërkesa për një katarsis - shihej si një kashtë shpëtimi për partinë që fundosej në një krizë edhe më të thellë.
Përgjegjësia e partisë
"Veprimet, të cilat i ka pranuar edhe vetë Kohl, e kanë dëmtuar partinë. Partia nuk i kishte publikuar të dhënat për 1,5 deri në dy milionë marka dionacionesh, të cilat nuk janë deklaruar në raporte... Partia duhet të justifikojë se si kjo është e mundur”, shkruan Merkel për FAZ tre ditë para Krishtlindjeve 1999, duke i krahasuar këto skandale me disa afera që kanë ndodhur në vitet 80-të, kur koncerni Flick, me pagesa të donacioneve kishte shtuar influencën në institucione.
Një nga fjalitë kryesore të letrës së hapur të Angela Merkelit është se "partia - dhe jo vetëm ai (Kohl) - duhet të justifikojë sesi ishte e mundur një gjë e tillë". Merkel nuk i referohej askujt me emër në këtë letër. Ajo shkruante në shumës dhe thoshte "ne" - ne jemi përgjegjës. Duke përfshirë edhe veten.
Merkel nuk e falte askënd nga përgjegjësia politike për mbledhjen e paligjshme të parave - madje as veten. Gjashtë javë para se letra të botohej në FAZ, u bë e qartë se Kohl ishte personalisht përgjegjës për "arkën e zezë". Helmut Kohl, njeriu që i mundësoi politikanes së atëhershme të talentuar nga Lindja të ngrihej në krye të politikës gjermane në fillim të viteve 1990, tani sulmohej nga vetë ajo.
„Letra historike"
Menjëherë pas publikimit, letrës së saj iu dha epiteti "historike". Ato ditë Angela Merkel, gruaja e cila më pas mori postin e kancelares ku është edhe sot, plot 16 vjet me radhë, rrezikoi të ardhmen e saj politike, rrezikoi gjithçka.
Menjëherë me 22 dhjetor 1999, kundërshtarët e brendshëm filluan ta quajnë atë "babë-vrasëse", "tradhtare", një grua që "ndot folenë e lindjes". Shumëkush u distancua nga ajo publikisht. Por kishte dhe disa që e mbështesnin publikisht.
Në prag të Krishtlindjeve 1999, asokohe i riu Friedrich Merz, deputet i Unionit në Bundestag, tha: "Unë nënshkruaj çdo fjali!" Edhe mediat ishin në anën e Angela Merkelit. Me kalimin e kohës, kritikët ishin gjithnjë e më të heshtur, ndërsa mbështetësit më të zëshëm.
Në lojën krejt ose asgjë, Angela Merkel fitoi. Nga favorizimi i bazës së partisë, tek mbështetja e gjerë e publikut gjerman. Ajo u bë fytyra e CDU-së, një "CDU-je të re", pa ngarkesa nga e kaluara, që distancohet edhe nga Kohli dhe punët e tij të turbullta. Por një parti, e cila i njeh meritat historike të Kohlit për Gjermaninë.
Heshtja e Kohlit
Në artikullin e publikuar në FAZ, Merkel kritikon edhe heshtjen e Kohlit, pasi ai me këmbëngulje refuzonte të publikonte emrat e personave që kanë dhënë donacione sekrete, me shpjegimin se bëhet fjalë për "besueshmërinë e CDU dhe besueshmërinë e partive politike në përgjithësi”. Por Merkel ishte e mendimit se vetëm sqarimi i gjërave mund të forcojë edhe më shumë imazhin e partisë dhe të vet Kohlit, si dhe rolin e tij historik. E do të hapte edhe një perspektivë për forcimin e partisë.
Merkel nuk kërkoi falje me këtë letër për lëshimet e Kohlit. Por arriti një lloj kthjellimi të CDU-së, duke u distancuar bindshëm nga "arkat e zeza" dhe i hapi rrugën partisë që të shkojë përpara.
Mësimet e CDU-së
CDU duhet të mësojë të ecë përsëri, duhet të fillojë të besojë në vete dhe mundësitë e veta, duhet të fillojë beteja politike për të ardhmen e saj, shkroi Merkel. Mes fjalive të buta plot respekt për mentorin e saj politik, mesazhi i Angela Merkel për anëtarët e Unionit CDU/CSU ishte i qartë: Epoka e Helmut Kohl mori fund. CDU duhet të rinovohet nëse dëshiron të mbijetojë. Ndërsa arkat e zeza duhet të shuhen përgjithmonë. Vetëm disa muaj më pas u mbajt kongresi i CDU-së në Essen, në fillim të prillit të vitit 2000. Angela Merkel u zgjodh si gruaja e parë në krye të partisë CDU - me 895 vota nga 937 persona sa ishin në kongres.
Pesë vite më vonë ajo u zgjodh edhe kancelarja e parë në historinë e Gjermanisë.