1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindje tregtare mes Sllovenisë dhe Kroacisë

Igor Lasić
27 Dhjetor 2019

Analistët ekonomikë në Slloveni dhe Kroaci mendojnë se afera e fundit për Merkatorin nuk do të cënojë raportet mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Por tendosjet janë evidente.

https://p.dw.com/p/3VLd3
Mercator Supermarkt
Fotografi: picture alliance/dpa/A. Bat

Tendosjet e fundit në marrëdhëniet Slloveni-Kroaci kanë prishur atmosferën e festave të fundvitit mes këtyre dy shteteve. Por raportet nuk janë tendosur si në kohën e mosmarrëveshjeve rreth linjës kufitare mes tyre, ndonëse edhe tani kemi të bëjmë më një problem shumë kompleks ekonomik. Bëhet fjalë për Merkatorin - sipërmarrjen më të madhe tregtare sllovene, të cilën para pesë vitesh e ka blerë koncerni kroat Agrokor. Agrokori ndërkohë ka falimentuar, ndërsa pronësinë mbi të e kanë tani aksionarët më të mëdhenj - banka ruse dhe një fond amerikan.

Agjencia sllovene shtetërore për mbrojtje nga konkurrenca ka kërkuar nga mesi i dhjetorit që të merren aksionet e Merkatorit, në vlerë prej rreth 140 milionë euro. Këto aksione do të duhej t'i kalonin sipërmarrjes së themeluar së fundmi Fortenova. Por gjendja është komplikuar.

Kroatien Grenzübergänge Preseka-Sredisce
Fotografi: picture-alliance/PIXSELL/V. Zganec-Rogulja

Lojërat ekonomike dhe politike

Merkatori është pjesa më potente e Agrokorit, me rreth 40 % të të ardhurave. Ndaj lënda ka shkuar në gjykatë, ku do të shihet se cili ishte në fakt motivi i shtetit slloven për të blerë aksionet e Merkatorit dhe cilat janë pasojat për raportet mes Lubjanës dhe Zagrebit. „Nuk mund të them, se cili është qëllimi i autoriteteve sllovene dhe cili do të jetë vendimi i gjykatës. Por personalisht mendoj se gjërat do të sqarohen. Sllovenia ndoshta ka për qëllim vetëm ruajtjen e interesave të veta", thotë ekonomisti kroat, Guste Santini.

Nëse ky ka qenë qëllimi, atëherë ekonomisti ka mirëkuptim për kërkesat e politikanëve dhe ekonomistëve të Sllovenisë. Shikoni se çfarë po bën, apo nuk po bën, Kroacia. Gjërat duhet të vendosen në gjykatë, por është e qartë se ato do të influencojnë edhe zhvillimet politike. Ekonomistët kroatë mendojnë se autoritetet kroate "kanë lënë pas dore interesat ekonomike të Kroacisë".

Kroacia nuk po i mbron sa duhet interesat e veta

Kroatien Zagreb - Firma Agrokor
Fotografi: Agrokor

Santini mendon se autoritetet kroate kanë bërë gabime në rastin e Agrokorit. "Gjërat janë shikuar vetëm në bazë të pronësisë dhe jo të interesave të vendit. Me Agrokorin janë bërë gabime të ngjashme, sikur me rastin e shitjes në duart e ndërkombëtarëve të bankave, të cilat janë stabilizuar më parë me paratë e taksapaguesve kroatë. Ndërkohë që është dëmtuar edhe prodhimtaria në vend, ndërsa sllovenët kanë shënuar sufiçit në shkëmbimin e mallrave."

Santini nënvizon se në Kroaci nuk ekziston një qëndrim unik për të ardhmen e Agrokorit. Ai mendon se mosmarrëveshjet e fundit rreth Merkatorit do të komplikojnë edhe raportet mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

Ndërsa ekonomisti slloven Jozhe Mencinger, ish-ministër i ekonomisë dhe nënkryetar i qeverisë sllovene thotë: „Merkatori po shet gjithnjë e më pak mallra sllovene. Unë nuk jam nacionalist, por interesat lokale duhet të mbrohen. Duhet të kemi prioritete", thotë Mencinger për Deutsche Wellen. „Do të shohim se në duart e kujt do të përfundojë Merkatori. Por me rëndësi është profilimi i autoriteteve sllovene. Ndërsa për raportet mes Sllovenisë dhe Kroacisë nuk kam frikë fare. Nuk do të ketë pasoja të rënda", mendon ai. Vendimi i gjykatave pritet pas festave të fundvitit.