1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greva e përgjithshme e sektorit pubik dhe privat paralizon Greqinë - Manifestimet në Athinë dhe Selanik krejtësisht paqësore

20 Maj 2010

Protestuesit kërkojnë që qeveria të rishikojë projektligjin për sigurimin social që pritet t'i paraqitet parlamentit dhe parashikon shkurtime drastike pensionesh por edhe rritje të moshës së daljes në pension.

https://p.dw.com/p/NSkz
Grevë e përgjithshme në GreqiFotografi: AP

Panajotis Qiriazidhis, nënkryetari i shoqatës së punonjësve në Hotel “Stanley” zbriti sot nga të parët në sheshin Omonia, ku u mbajt manifestimi i madh i sindikatës së majtë PAME kundër reformës qeveritare të sigurimit social që shkurton në mënyrë drastike, në disa raste dhe 15%, pensionet dhe rrit moshën e pensionit nga 3 deri në 7 vjet. Përpara një banderole në të cilën shkruhet “Paguam fitimet e tyre, nuk do të paguajmë tani edhe krizën e tyre” Panajotis shpjegon se ç'e nxori sot në rrugë: “Të gjithë ne punonjësit, edhe ata evropianë, bëhemi objekt sulmi nga të gjitha anët e kapitalit dhe të qeverive që duan të na faturojnë krizën për të cilën nuk jemi ne përgjegjës.”

Bakopullos: Tani na kanë hedhur tej si limon i shtrydhur

Në degën e tyre, që dikur ishte e “privilegjuar” për kushtet dhe pagesat e mira, tani me rregullimet e fundit ditët e punës në thelb nga pesë bëhen gjashtë, suprimohen dy rrogat dhe synohet të ulen edhe pagesat e ditës së punës. “Na i kanë marrë të gjitha arritjet që kishim deri më sot. Luftuam gjithë jetën për rimëkëmbjen e vendit dhe tani na kanë hedhur tej si limon i shtrydhur,” - ndërhyn me një pezmatim të dukshëm, Jorgos Bakopullos, që mban mbi supe shumë vite jete dhe pune. Jorgos Bakopullos thotë se ka punuar si guzhinjer dhe në vitin 1982 përfitoi pension të lartë për kohën. Por me ndryshimet në vazhdim dhe masat e fundit tani merr vetëm 750 euro në muaj së bashku me pensionin e ndihmës.

NO FLASH Griechenland Athen Ausschreitungen
Fotografi: AP

Llaka: Kontributet që dhamë ne, i luajtën nëpër bursa

Ndër manifestuesit që mbushin sheshin deri në asfiksi janë edhe gratë, të masat që synon qeveria i prekin thellë. “Dilnim në pension në moshën 58 dhe 60 vjeç tani do të, dalim në 65 vjeç. Pensioni që do të marrim do të jetë një kompensim i thjeshtë social. Kontributet që dhamë ne, i luajtën nëpër bursa. Shteti nuk respekton as firmën e tij si palë e tretë, së bashku me punëdhënësit dhe punonjësit, dhe nuk paguan detyrimet,” - thotë Irini Llaka farmaciste dhe sindikaliste e përkushtuar. Manifestuesit i nxori nëpër rrugë edhe e ardhmja e pasigurt e fëmijve të tyre, shton ajo.

Ryshfeti, rrëmuja dhe korrupsioni - shkaqe të tjera të krizës

Jo rastësisht studentët ishin grupi më i madh i protestuesve dhe madje edhe më luftaraku. “Ajo që dëmtohet e para është rinia, turni i ardhshëm i klasës punëtore, ne studentët nëpër universitete që nesër pasnesër do të ftohemi të punojmë në kushte mesjetare pune për të paguar krizën e atyre që e kanë shkaktuar” - thotë ” thotë Janis me hov rinor. “Çdo herë fatura i shkon popullit, një padrejtësi që është në natyrën e sistemit, siç është ryshfeti, rrëmuja dhe korrupsioni,” - shton Janis që si i gjithë brezi i tij kërkon transparencë dhe drejtësi, kur ekonomia informale në Greqi përllogaritet në 95 miliardë euro në vit dhe evazioni fiskal në 25-30 miliardë euro.

Autor: Niko Anagnosti
Redaktor: Pandeli Pani