1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenland vor der Entscheidung

15 Qershor 2011

Agjencia e vlerësimit të aftësisë kredituese Standard& Poor's e uli aftësinë e Greqisë për të marrë kredi - me tri shkallë, duke vlerësuar se Greqia ndodhet pak para falimentimit. Mbetet vetëm ristrukturimi i borxheve?

https://p.dw.com/p/11aFg

Bilanci i procesit njëvjecar të shpëtimit të Greqisë është shkatërrues. Kursi i kursimeve të mëdha të qeverisë së Athinës nuk mjaftoi për të arritur objektivat e konsolidimit. Në këtë mënyrë deficiti buxhetor arriti në shifrën e 10,5 përqindshit të prodhimit të brendshëm bruto, rreth 1 përqind më shumë se planifikimi. Borxhet e përgjithshme arritën gati 150 përqind e rendimentit ekonomik, me tendencën për tu rritur ende. Për të përballuar sasinë e borxheve, helenasit duhet të marrin më shumë të ardhura nga taksat. Këto janë të mundura, nëse ekonomia zhvillohet sërish dhe nëse luftohen më mirë mashtrimet e zakonshme fiskale. Por, të dyja këto nuk duken në horizont, thotë trojka e përbërë nga FMN, Komisioni i BE-së dhe Banka Qendrore Evropiane.

Duke patur parasysh këtë situatë pa rrugëdalje, gjithnjë e më shumë ekonomistë në Gjermani kërkojnë një ristrukturim të madh të borxheve greke. Me fjalë të tjera, të pranohet falimentimi i shtetit grek dhe të detyrohet një mesatare borxhesh. Ata që zotërojnë bono greke që prej dhjetë vjetësh, duhet të pranojnë të marrin 40 përqind të vlerës së bonove. Kjo nuk është e detyrueshme, por e dëshirueshme, thotë eksperti i insitutit ekonomik Ifo, Hans Werner Sinn. Në fund të fundit ata kanë marrë parasysh rrezikun, dhe deri tani kanë patur fitime të mira.

Frikë nga sëmundja ngjitëse

Banka Piräus Greqi
Banka Piräus GreqiFotografi: AP

Vetëm kjo nuk duhet bërë, mendon ekonomisti tjetër Rolf Schneider, drejtor i Makro Research të Allianz-ës: "Kjo do të ulte nivelin e borxheve, por do të kishte pasoja dhe rreziqe të mëdha për tregjet financiare në gjithë Evropën," thotë Schneider.

Frika ekziston kryesisht prej infektimit të vendeve të tjera të euros, që ndodhen në vështirësi si Irlanda, Portugalia, dhe Spanja. Përvec kësaj bankave do u duhej të hiqnin dorë nga miliarda, duke pasur efekte negative në bilancin e bankave evropiane. Prandaj qeveria gjermane është për ristrukturim të butë të borxheve, gjatë të cilit bankat të këmbejnë vullnetarisht bonot e vjetra me bono të reja, të cilat të kenë afat më të gjatë.

Ristrukturimi i butë nuk do të mjaftojë

Ky plan ka disa defekte. E para nuk dihet nëse bankat do të jenë dakord për ta bërë këtë. Së dyti niveli i borxheve në Greqi nuk do të ulej shumë. Banka Credit Suisse ka llogaritur që rritja e afatit me pesë vjet do i ulte borxhet greke vetëm katër përqind. Po ashtu nuk është e sigurt nëse ristrukturimi i butë nuk shkakton turbulenca në tregjet financiare

Shtypi për gjendjen në Greqi
Shtypi për gjendjen në Greqi

Paketa e re e ndihmës e pashmangshme

Botët antike
Botët antikeFotografi: Staatliche Museen zu Berlin/Antikensammlung/Johannes Laurentius

BE duhet ta ndihmojë Greqinë të dalë nga balta. Aktualisht po flitet për një paketë të re shpëtimi prej rreth 60 miliardë eurosh. Për Marco Bargel, ekonomist i bankës Postbank, kjo është rruga e vetme që mund të merret në konsideratë, "sepse vetëm atëherë ekziston edhe shansi që paratë që i jepen Greqisë të merren mbrapsht," thotë Bargel.

Kusht është që Greqia ta shfrytëzojë kohën e fituar nga paketa e ndihmës për të bërë reformat strukturore që japin frutet e tyre në dy, tre vjet. Nëse jo, Greqia ka rrezik të kthehet për taksapaguesit në thes të shpuar, thotë Thomas Mayer, ekonomist i Deutsche Bank.

Autor: Zhang Danhong/ Aida Cama
Redaktoi: Angjelina Verbica