1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata serbe liron Radojçiqin

4 Tetor 2023

Menjëherë pas arrestimit, Milan Radojçiqin e liruan sërish me kusht. Një gjykatë serbe refuzoi të vazhdojë paraburgimin kundër tij. Baerbock viziton të enjten Tiranën.

https://p.dw.com/p/4X6og
Goran Rakic, Milan Radoicic, Milan Radojevic, 03.10.2023 ne parlamentin e Serbise
Goran Rakic, Milan Radoicic, Milan Radojevic, 03.10.2023Fotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture alliance

Një ditë pas arrestimit në Beograd, është liruar iniciatori që ka pranuar aktin, i sulmit të fundit të paraushtarakëve serbë kundër policisë së Kosovës, Milan Radojçiq.

Një gjykatës hetues në Gjykatën e Lartë të Beogradit refuzoi kërkesën e prokurorisë për 30 ditë paraburgim, njoftuan mediat serbe. Megjithatë, biznesmeni dhe politikani serbo-kosovar nuk mund të largohet nga Serbia apo vendbanimi i tij, nuk mund të udhëtojë në Kosovë dhe duhet të paraqitet në polici në fillim dhe në mes të çdo muaji. I është konfiskuar pasaporta.

Radojciqi kishte marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit nga militantët serbë kundër policëve në veri të Kosovës. Një komando serbe prej 30 vetësh të armatosur rëndë sulmoi policinë kosovare në qytetin e Banjskës, afër Mitrovicës. Tre sulmues serbë dhe një polic i Kosovës u vranë.

Radojciq, i akuzuar si kryetar i bandës

Sipas aktakuzës, Radojciqi akuzohet për blerjen e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese të fuqisë së lartë shkatërruese në Tuzla (Bosnje-Hercegovinë) midis janarit 2023 dhe 24 shtatorit, të cilat i ka fshehur në ndërtesa dhe pyje të braktisura në Kosovë. Si drejtues i një grupi kishte rrezikuar persona në aksionin e 24 shtatorit në Banjskë.

Në seancën e aktakuzës, Radojciqi kishte mohuar të ketë kryer ndonjë vepër penale. Ai më herët kishte shpallur publikisht se donte "të inkurajonte popullin e Kosovës në rezistencën e tij kundër regjimit të (kryeministrit) Albin Kurti”.

Një zëdhënëse e ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha sot se situata në rajon është "mjaft shqetësuese." "Serbia e ka për detyrë të bëjë thirrje pa mëdyshje për t'i dhënë fund dhunës.” Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm, tha ajo.

Annalena Baerbock
Fotografi: Thomas Trutschel/photothek/picture alliance

Baerbock do të shkojë në Shqipëri

Këtë të enjte Annalena Baerbock do të udhëtojë në Shqipëri për një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, njoftoi të mërkurën zëdhënësja e ministrisë. Në kuadër të takimit, i cili është pjesë e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit, Baerbock do të bisedojë edhe me homologët e saj kosovar dhe serb. Procesi i Berlinit, i nisur nga Gjermania, synon të nxisë një afrim të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, duke iu referuar koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, ka konfirmuar se për momentin nuk ka plane për të rritur numrin e ushtarëve gjermanë në misionin paqeruajtës të NATO-s, Kfor në Kosovë.

aud (dpa, ap, ard)