1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Kushtetuese: Ligji për Trepçën konform kushtetuës

Bekim Shehu
31 Tetor 2016

Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e deputetëve serb në kuvendin e Kosovës, “Lista Serpska”, të cilët kërkuan që të hidhet poshtë ligji për Trepçën i miratuar në kuvendin e Kosovës më datën (07.10).

https://p.dw.com/p/2RwlQ
Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

Gjykata Kushtetuese vendimin e publikoi më datë (31.10), në të cilin thuhet se "Ligji për Trepçën është kushtetues për nga përmbajtja dhe për nga procedurat e ndjekura për miratim në Kuvendin e Kosovës”.

"Gjykata gjen se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kanë paraqitur prova që tregojnë se si dhe përse Ligji i kontestuar për Trepçën ka shkelur Kushtetutën, qoftë në procedurë, qoftë në përmbajtje”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila qartazi njofton se kërkesa e parashtruesve, në këtë rast e listës "Serpska”, është e pabazuar.

Lista "Serpska” në ankesën e saj kishte thënë se ligji për Trepçën është antikushtetues, është miratuar jashtë procedurave, sepse fillimisht nuk janë respektuar interesat vitale të bashkësisë serbe dhe se ligji nuk është shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Komunitete dhe Këshillin Konsultativ për Komunitete.

"Gjykata deklaron që Ligji nr. 05/L-120 për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën. Rrjedhimisht, Gjykata e konsideron të nevojshme t'ua tërheq vëmendjen të gjitha palëve të interesuara në faktin se të gjitha aktet ligjore dhe administrative që mund të jenë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Trepçën, stopohen dhe nuk do të implementohen”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, ka kërkuar që të vazhdojnë procedurat dhe Ligji për Trepçën t'i procedohet Presidentit të Kosovës për nënshkrim, të botohet edhe në gazetën zyrtare në mënyrë që më pas ligji të hyjë në fuqi.

Askush nga lista "Serpska”, akoma nuk është deklaruar rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk apelohen.

Nga ana tjetër, vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpall kushtetues ligjin për Trepçën, e ka mirëpritur Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

"E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konfirmohet pajtueshmëria e Ligjit për Trepçën me Kushtetutën. Urime minatorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Veseli në rrjetin social.

Lista "Serpska”, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar së bashku me PDK dhe LDK, që nga miratimi i ligjit për Trepçën në kuvendin e Kosovës ka ngrirë funksionet e saj në të gjitha institucionet e Kosovës. Deri tash akoma nuk ka një vendim tjetër sesi do të bashkëpunojë me koalicionin qeveritar.

Tash e disa vjet ka pasur përplasje me deklarata publike ndërmjet zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me të ardhmen dhe pronësinë e kombinatit metalurgjik Trepça. Institucionet e Kosovës konsiderojnë se ndërmarrja "Trepça" në tërësi është në pronësi të Kosovës dhe paraqet pasuri të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër pretendon se në strukturën e pronësisë, aksionari më i madh është Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë me rreth 57 për qind, ndërsa, aksionarët tjerë më të vegjël, kryesisht janë kompanitë dhe bankat serbe, si dhe disa aksionarë të huaj. Aktualisht Trepça, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që radhiten kryesisht në tri komplekse të mëdha, në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.