Gjykata Evropiane e Drejtësisë shton të drejtat për azilkërkuesit
16 Nëntor 2013Deri tani vendi në të cilin shkelte për herë të parë një azilkërkues duhet të shqyrtonte aplikimin për azil. Nëse refugjati lëviz nga një vend i BE në një tjetër, atëherë vendi tjetër ka të drejtë ta kthejë në vendin ku ka hyrë. Politikanët dhe burokratët e quajnë rregulli Dublin II. Por çfarë ndodh nëse vendi ku hyn për herë të parë refugjati trajtohet keq apo jonjerëzisht? A mund të transferohet ai? Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg ka marrë një vendim për këtë çështje.
Vendimi erdhi në përgjigje pas një padie të bërë nga një azilkërkues iranian. Në vitin 2007 ai hyri në Greqi dhe më pas shkoi në Gjermani ku jetonte familja e tij. Autoritetet gjermane thanë se nuk ishin përgjegjës për aplikimin e tij për azil, duke cituar rregullin e Dublinit, dhe e kthyen mbrapsht në Greqi, ku për pak kohë ndenji në burg dhe më pas jetoi në rrugë për muaj të tërë.
Gjykata Evropiane ka hedhur poshtë këtë rregull të BE. Nëse një azilkërkues trajtohet në mënyrë jonjerëzore në një vend të BE, atëherë vendi i cili dëbon aziliantin sipas rregullit të Dublinit është i detyruar të shikojë aplikimin për azil.
Trajtimi jo i duhur
Kur Gjykata shqyrtoi çështjen e refugjatit iranian dhe çështja u bë publike në shtyp, njerëzit filluan të shikojnë ndryshe Greqinë dhe politikën e BE për azil. Gjermania për pak kohë refuzoi të deportojë refugjatë në Greqi.
Rebecca Harms, anëtare gjermane e Parlamentit Evropian, thotë se udhëtoi personalisht në Greqi për të parë kushtet. "Përshtypja ime është se tani në Greqi pothuajse asnjë refugjat, madje edhe ata me arsyet më të mira, nuk trajtohen si duhet dhe nuk u njihet aplikimi i tyre për azil", thotë Harms për DW.
Ajo thotë se edhe ata që tregonin prova të qarta torture dhe kishin një shans për të marrë azil, u ndalohej kontakti me avokatët dhe autoritetet. Situata e pashpresë e refugjatëve i detyron të jetojnë ilegalisht në vend dhe jo të kthehen në shtëpi, shton Harms.
Diskutimet rreth rregullit të Dublinit, kanë të bëjnë më mënyrën se si trajtohen azilkërkuesit në përgjithësi. Vendet në Jug të Europës ankohen se ata mbajnë barrën më të rëndë, pasi janë vendet nga ku hyjnë më shumë emigrantë, sidomos nga Mesdheu. Ndërkohë vendet në Veri të Evropës, duke përfshirë Gjermaninë, mbrojnë rregullin e Dublinit. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich ka thënë se Gjermania ka më shumë refugjatë se çdo vend tjetër Mesdhetar. Por Harms thotë se ankesat e vendeve të jugut janë të justifikuara. "Vendet në Veri fshihen pas rregullit Dublin II dhe mundohen të mos marrin shumë azilkërkues." Por ajo akuzon edhe vendet Europës Jugore të cilët nuk kanë implementuar një sistem funksionl për trajtimin e azilkërkuesve. Harms tha se duhet një standart i përbashkët në të 28 vendet anëtare, sa i përket politikave të azilit. Procesi i Dublinit duhet të zëvëndësohet me një sistem kuotash kombëtare për shpërndarjen e refugjatëve.
Karl Kopp nga grupi i të drejtave për refugjatët Pro Asyl, i cili mbështeti çështjen e refugjatit iranian , tha se u ndje triumfator ndaj rregullit të Dublinit pas vendimit që mori Gjykata Evropiane.
"Procesi i Dublinit që zbatohet në Evropë dhe që Gjermania e ka dashur e prakitikuar gjithmonë, do të marrë fund", thotë ai për DW. Ai thotë se vendet e BE janë fajtore "shumë serioze të dhunimit të të drejtave të njeriut kundër atyre që kërkojnë azil". Gjermania dhe mbështetës së tjerë të Dublin II nuk do të jenë në gjendie të mbajnë për shumë kohë këtë sistem. "Gjermania do të duhet të pranojë më shumë refugjatë dhe nuk do të jetë në gjendie t'i deportojë siç ka bërë deri tani " sepse nuk do ta lejojë Gjykata.