Gjukanoviç: Anëtarësimi në NATO - sinjal pozitiv për rajonin
15 Shkurt 2016DW: Lajmi se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i NATO-s pak javë më parë e tërhoqi shumë vëmendjen ndërkombëtare. Që atëherë situata është më e qetë. Cilat janë të rejat për anëtarësinë e Malit të Zi në NATO?
Milo Gjukanoviç: Mali i Zi e mori ftesën në fund të vitit të kaluar. Dhe ky është jo vetëm suksesi më i madh për 2015-ën për vendin tonë, por edhe kurorëzim i të gjitha përpjekjeve reformuese që prej pavarësisë sonë, në vitin 2006. Dhe ky është edhe për Malin e Zi një ndryshim historik, sepse ne bëhemi pjesë e një sistemi të ri vlerash, një pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik. Por kjo ka rëndësi edhe për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sepse, siç e dini, që prej 2008-ës, kur Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë të NATO-s, nuk ka pasur integrime të tjera. Pra nuk ka pasur fare, dhe as në rajon. Veç kësaj, në tetë vitet e shkuara ne patëm edhe krizën ekonomike evropiane. Kjo do të thotë se në këtë kohë jo tamam të favorshme mbi rajonin tonë ndodhej një mjegull, edhe mbi të ardhmen tonë. Dhe këtë situatë e përdorën kundërshtarët tanë të zgjerimit të NATO-s dhe të BE. Dhe e shfrytëzuan rastin për të ushqyer iluzione të caktuara për alternativa të caktuara në rajonin tonë. Dhe prandaj ne besojmë se nga njëra anë, ftesa e Malit të Zi për anëtarësim në NATO, por edhe afrimi ynë i mëtejshëm me BE janë një sinjal i mirë për të gjithë rajonin.
Po ja që kjo kundërshtohet në Mal të Zi dhe në botë - le të përmendim Rusinë - si doni t'i kapërceni këto kundërshti?
Po, keni të drejtë. Shoqëria malazeze është një shoqëri, e cila është e ndarë politikisht. Nëse ju kujtohet, e ngjashme ishte situata edhe në vitin 2006, për referendumin për pavarësinë tonë. Dhe ata që atëherë ishin në shumicë kundër pavarësisë sonë, janë sot edhe kundër anëtarësimit në NATO. Kjo do të thotë që ne kemi si të thuash një ndarje shumë autentike në shoqëri. Para referendumit ne thamë: ne duam të bëhemi të pavarur, në mënyrë që të ndjekim pikërisht këtë rrugë të integrimit evropian, euroatlantik. Dhe kundërshtarët tanë, na thanë: jo, ne nuk e duam këtë, duam të rrimë në këtë Ballkan siç është tani. Shpresa ime ishte në dhjetë vitet e fundit, se do të mundnim të afronim një numër më të madh kundërshtarësh me ne. Por për fat të keq, dhjetë vitet e fundit, që qenë vite krizash, nuk qenë më të përshtatshmet, për ta vënë në jetë këtë rol emancipator.
Kjo do të thotë se besoj që kursi proevropian në Mal të Zi është shumë më i madh se ç'ishte atëherë kursi i pavarësisë, por jam dakord me mendimin tuaj, se ne vazhdojmë të kemi kundërshtarë të mëdhenj, të cilët janë si kundër pavarësisë, ashtu edhe kundër anëtarësimit në NATO.
Pas kërkimit të votëbesimit në janar, ju i ofruat opozitës që të bashkëpunojë në qeveri. Cila është gjendja në krizën në politikën e brendshme?
Pasi morëm ftesën për anëtarësim në NATO në fund të vitit të kaluar, unë propozova që të mbajmë zgjedhje. Por opozita tha se ajo nuk është e gatshme për zgjedhjet. Por ata kishin natyrisht të gatshme disa argumente, me të cilat donin t'i vinin pikëpyetje legjitimitetit të qeverisë. Ne diskutuam për tre ditë në Parlament dhe në fund qeveria e fitoi votëbesimin. Por finalja e këtij votëbesimi ishte oferta ime për opozitën. Unë u thashë: unë nuk jam i mendimit tuaj, se zgjedhjet e deritashme kanë qenë të parregullta. Sepse të gjitha zgjedhjet e deritashme i ka ndjekur si OSBE-ja, ashtu edhe Këshilli i Evropës...Por unë e respektoj, që ju si kundërshtarë dhe opozitë i keni këto dyshime. Na lini t'i largojmë dyshimet! Bëhuni tani pjesë e qeverisë. Kjo nuk është ofertë simbolike, unë ju ofroj postin e zëvendëskryeministrit, të ministrit të Financave, postin e Ministrit të Brendshëm, të Ministrit të Bujqësisë, dhe postin e Ministrit të Çështjeve Sociale. Pse pikërisht këto ministri? Unë ua ofroj këto dikastere, sepse opozita besonte se në këto ministri janë burimet, me të cilat mund të mashtrosh në zgjedhje ose t'i ndikosh zgjedhjet. Unë ua bëra këtë ofertë në mënyrë që qeveria e ardhshme të funksionojë me besim të plotë pas zgjedhjeve, në nivelin parlamentar. Dhe tani opozita ndodhet në fazën ku po mendohet.
Në Evropë ka edhe shumë kritika ndaj Malit të Zi në lidhje me shtetin ligjor, lirinë e medieve, kritika për korrupsion. Çfarë ndërmerrni ju kundër tyre?
Në Mal të Zi ekzistojnë të gjitha problemet, që mund t'i gjeni edhe në një vend tjetër, i cili ndodhet në këtë rrugë zhvillimi, veçanërisht në Ballkan. Ndoshta disa probleme te ne janë më të mëdha se të tjerët, prej ku vjen kjo diferencë midis realitetit dhe perceptimit. Kjo do të thotë që të gjithë panoramën, të gjithë perceptimin e kanë krijuar atëherë edhe strukturat e Milosheviçit. Dhe ky është argumenti që e përdorin kundërshtarët tanë, si atëherë, në kohën e Milosheviçit, ashtu edhe sot, për të ndërtuar një pamje tjetër për vendin tonë. Por çfarë bëjmë ne për ta ndryshuar këtë perceptim, këtë pamje? Punojmë në mënyrë shumë transparente për vënien në jetë të këtyre objektivave. Ne kemi hapur 22 kapituj me Evropën. Dhe po vazhdojmë. Morëm ftesën për anëtarësimin në NATO. Po të ishim në gjendje kaq të keqe, BE dhe NATO-ja nuk do të na kishin avancuar kaq shumë.
Tema e madhe në rajon është tema e refugjatëve. Mali i Zi nuk është prekur deri tani. Si përgatitet Mali i Zi, po të vijnë eventualisht refugjatë në vendin tuaj?
Ne ndjekim me shumë vëmendje, se çfarë ndodh në lidhje me këtë çështje. Dhe si kandidat me shumë përgjegjësi në rrugën e BE ne ndjekim shumë konkretisht, se çfarë po përgatit BE në këtë fushë. Ne i kemi përgatitur të gjitha strukturat tona, strukturat në vend, që nëse do të ketë një ndryshim të itinerarit kryesor, ne të jemi të gatshëm ta përqafojmë këtë temë. Dhe natyrisht ne do ta ndjekim politikën që koordinohet në nivelin e BE dhe në bashkëpunim me shtetet tona fqinjë.