"Gjithçka nën nivelin e armëve"
14 Gusht 2014Një angazhim ushtarak i Bundeswehrit në Irak për qeverinë gjermane nuk diskutohet. Edhe një dërgim i drejtpërdrejtë armësh në zonën e luftimeve aktualisht nuk është planifikuar. Aktualisht, qeveria gjermane po shqyrton se çfarë mund të bëhet për rajonin përtej ndihmës humanitare "në kuadër të hapësirave juridike të veprimit", tha një zëdhënës i qeverisë gjermane të mërkurën.
Konkretisht për momentin bëhet fjalë për dërgimin e pajisjeve të teknikës ushtarake në Irak. "Ne ndodhemi në rrugë të mbarë për t'i dërguar atje shpejt furnizimet", tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen në bisedë me ARD. Pajisje të mundshme janë çadrat, jelekët antiplumb dhe automjetet e blinduara. Me këtë "mund të lehtësohen të tjerët, që furnizojnë me armë", tha politikania e CDU-së. SHBA i mbështesin milicët kurdë të Peshmergas që prej javës së kaluar me armë dhe municion në luftë kundër njësive të IS. Edhe Franca bëri të ditur se do të dërgojë armë tek kurdët.
Direktivat e eksportit të armatimit? Çështje interpretimi
Po a e lejojnë ligjet Gjermaninë që të dërgojë pajisje ushtarake në zona krize? "Juridikisht ne do të ishim në gjendje për ta pajisur më mirë ushtrinë irakiane", pati bërë të ditur të martën ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel. Por kryetari i SPD-së paralajmëroi që të mos veprohet me nxitim. Vendimi do të ishte një vendim politik. Deri tani ka vlejtur një parim bazë "Gjermania nuk dërgon armë në zona tensionesh". Këtë e theksoi së fundi publikisht vitin e kaluar kancelarja Angela Merkel. Atëherë u diskutua çështja nëse Gjermania mund ta mbështesë opozitën e moderuar siriane në luftë kundër pushtetmbajtësit Bashar al-Assad. Ky lajtmotiv është fiksuar në "Parimet politike bazë të qeverisë gjermane për eksportin e armëve luftarake dhe të pajisjeve të tjera të armatimit", të cilat i fiksoi në vitin 2000 qeveria e socialdemokratëve dhe e të Gjelbërve, dhe të cilat i pranon edhe qeveria aktuale.
Por furnizimi në Irakun e Veriut me këtë nuk përjashtohet. Sepse në tekst ndodhet një pasazh, ku thuhet se eksportet lejohen në raste të veçanta, "kur interesa të veçanta të politikës së jashtme ose të sigurisë të Qeverisë Gjermane flasin për një lejim si përjashtim". Pra çështje interpretimi? Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert foli në këtë kuadër për "hapësira interpretimi".
Politikanët gjermanë ka ditë që debatojnë nëse në Irak mund të dërgohen edhe armë gjermane. Por kjo sipas mendimit të qeverisë gjermane nuk diskutohet për arsye thjesht pragmatike. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme tërhoqi vëmendjen në faktin se luftëtarët kurdë kanë rezerva armësh të SHBA dhe të Rusisë. Prandaj është afër mendsh, tha ai, që Peshmerga "të furnizohet me armë, të cilat luftëtarët të jenë edhe në gjendje t'i përdorin"- pra armë pikërisht nga këto vende. Tani po shqyrtohen të gjitha masat e mundshme nën nivelin e dërgimit të armëve, thuhet në ministrinë gjermane të Mbrojtjes, nga rezervat e së cilës edhe do të dërgohen pajisjet.