1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët nuk kanë më mundësi për të kursyer para

23 Gusht 2022

Prej rritjes së çmimeve dhe inflacionit gjermanëve do t'u duhet t'i përdorin thuajse gjithë të ardhurat për të përballuar jetesën e përditshme.

https://p.dw.com/p/4FtcP
Symbolbild | Taschengeld und Sparen
Fotografi: Silvia Marks/dpa/picture alliance

Analistë të disa bankave në Gjermani, ndër të tjera Sparkasse, Volksbank dhe Raiffeisenbank, janë të mendimit se qytetarëve do t'u mbeten më pak para për të kursyer, sepse të ardhurat do t'u nevojiten për të përballuar shpenzimet e përditshme të jetesës.

Sipas ekspertëve të grupit të Bankave të Kursimeve, Sparkasse, shumica e gjermanëve po jetojnë gjithnjë e më shumë limitet e tyre financiarë për shkak të inflacionit të lartë. Presidenti i Shoqatës Gjermane të Bankave të Kursimeve, Helmut Schleweis, tha për gazetën "Welt am Sonntag": "Ne presim që deri në 60 për qind e konsumatorëve do ta humbasin fuqinë blerëse për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimeve".

Deutschland Explosion in Bank in Burghaslach
Fotografi: Daniel Karmann dpa/picture-alliance

Edhe grupi i bankave Volksbank dhe ai i Raiffeisenbank po vëzhgojnë se klientët kanë më pak hapësirë ​​për të manovruar. "Inflacioni i lartë u rrëmben konsumatorëve fuqinë blerëse, gjë që redukton aftësinë e tyre për të kursyer”, i tha gazetës "Welt am Sonntag" drejtori i bordit të drejtorëve të Shoqatës së Grupit Volksbank dhe Raiffeisenbank, Andreas Martin.

Nga vjeshta pritet përkeqësim i situatës financiare

Sipas ekspertëve bankarë situata e kursimeve pritet të përkeqësohet ndjeshëm veçanërisht në vjeshtë dhe dimër, sidomos për personat me të ardhura të ulta dhe të mesme. Situata e tensionuar duket që tashmë qartë në llogaritë bankare, sepse shumë vetë marrin kredi afatshkurtra ose hyjnë në minus.