'Gjermania nuk mund ta heqë bashkimin familjar'
3 Nëntor 2015Deutsche Welle: Zoti Dienelt, disa politikanë të Unionit kërkojnë të ulin numrin e refugjatëve duke kufizuar terheqjen e familjeve. A është e mundur kjo nga ana ligjore?
Klaus Dienelt: Bashkimi familjar i refugjatëve duhet parë në mënyrë shumë të diferencuar. Gjatë procesit, pra para dhënies së statusit të refugjatit, bashkimi familjar nuk është ligjërisht i detyrueshëm. Prandaj bashkimi familjar edhe mund të përjashtohet. Sfondi është i qartë: Për sa kohë që procesi nuk ka përfunduar, nuk dihet ende, nëse personi në fjalë do të ketë të drejtën për qëndrim të përhershëm në Gjermani. Përjashtimi i bashkimit familjar para njohjes së statusit sigurisht që është i mundur. Por mua më duket se nuk është ky kriteri ligjor, që mendon qeveria. Përkundrazi çështja është se çfarë ndodh, nëse atyre, që kërkojnë mbrojtje, u jepet një status, që u mundëson të drejtën e qëndrimit në Gjermani.
Çfarë mundësish ka këtu?
Ndaj kësaj çështjeje duhet bërë një qasje shumë e diferencuar, sepse refugjatët, që sipas konventës së Gjenevës për refugjatët marrin statusin e të mbrojturit, kanë të drejtë ligjore të bashkohen me anëtarët e familjes. Kjo e drejtë ligjore nuk mund të mohohet nga Republika Federale e Gjermanisë, sepse ajo është e sanksionuar në ligjin evropian. Ka dy politika, që janë relevante këtu; Direktiva për bashkimin familjar dhe e ashtuquajtura direktiva e kualifikimit, që përcakton statusin e refugjatit dhe urdhëron unitetin e familjes. Të dyja direktivat nuk lejojnë kufizimin e tërheqjes së anëtarëve të familjes të një refugjati të pranuar në bazë të Konventës së Gjenevës për refugjatë.
Ka mundësi të ndryshohen këto specifikime?
Jo aspak. Kjo duhej të ndryshohej në nivel të legjislacionit evropian. Duhet të ndryshohen direktivat përkatëse. Dhe kjo nuk është e imagjinueshme. Nuk mund ta imagjinoj, që Gjermania mund të depërtojë sado pak me dëshirën për të hequr bashkimin familjar të refugjatëve të njohur si të tillë.
Nëse është kështu, përse kjo tentativë?
Nëse ideja ka ardhur nga ministria e Brendshme, atëherë kjo nuk lidhet me statusin e refugjatit por me personat, që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare, pra ata, që nuk janë njohur si refugjatë. Në bazë të së drejtës evropiane ekziston një status më i dobët mbrojtjeje, e ashtuquajtura mbrojtje subsidiare. Ai jepet gjithashtu shpesh, sidomos në situatat e luftës civile. Këtu situata është pak ndryshe. Sepse aty ligji evropian nuk parashikon tërheqjen e anëtareve të familjes. Për këtë grup personash mund të imagjinohet kufizimi i bashkimit familjar. Kjo është e sanksionuar sot edhe me ligj. Këtu është vendosur që në fillim një filter i ngushtë, i cili përjashton bashkimin në një masë të madhe, me përjashtim të rasteve, që bazohen në të drejtën ndërkombëtare apo në shkaqe urgjente humanitare.
Kujt mund t'i ndalohet sjellja këtu e familjes?
Grupeve të individëve, tek të cilët është i mundur të bëhet përjashtimi, që nuk konsiderohen si të përndjekur. Ata nuk mund të kthehen në vendin e tyre, sepse përballen me kushte johumane, ose nga situata e përgjithshme mund të krijohet për to një rrezik konkret për jetën. Ose kur bëhet fjalë për persona, që janë të sëmurë dhe për këtë arsye nuk mund të kthehen, sepse në atdheun e tyre nuk kanë përkujdesje të mjaftueshme mjekësore. Ky grup personash kategorizohet sipas lejeqëndrimeve të ndryshme në Gjermani. Dhe këto emërtime lejojnë përjashtimin e bashkimit familjar. Me fjalë të tjera bashkimi familjar mund të përjashtohet vetëm për një grup të vogël njerëzish. Për to bashkimi familjar është shumë i vështirë
Kjo do të thotë se kufizimi i ribashkimit familjar nuk është shumë efektiv?
Në fakt do të kishte mundësi për të ngushtuar më tej premisat për bashkimin familjar, apo për t'i përjashtuar. Por kjo me siguri që nuk është mënyrë, që sjell me të vërtetë ndryshime të mëdha.
Klaus Dienelt është që nga viti 1993 gjykatës për të huajt dhe të drejtën e azilit në Gjykatën Administrative në Darmstadt. Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ai ka qenë studiues shkencor në Dhomën e Imigracionit dhe të Azilit të Gjykatës Federale Administrative. Ai është redaktor i "migrationsrecht.net".
Intervistën e zhvilloi Kersten Knipp.