Gjermania ndahet me mundim nga ari i zi i së kaluarës
29 Janar 2007Reklamë
Mbyllja e industrisë së minierave me një histori qindra vjeçare ka vite që diskutohet. Tani duket se po nis faza vendimtare politike. Minierave të fundit do t'u vihen afate për mbylljen. Lamtumira nga "ari i zi" i së kaluarës është një vendim shumë i polemizuar i cili diskutohet pjesërisht me ngarkesë të fortë emocionale.
Një kongres partie i socialdemokratëve në landin më të madh gjerman Nordrhein-Westfalen është gjithnjë një lojë në fushën e vet për përkrahësit e industrisë së minierave. Franz Müntefering, zv/kancelar dhe ish kryetar i Partisë Socialdemokrate (SPD) e di se çfarë presin prej tij "shokët" kur bëhet fjalë për të ardhmen e minierave të fundit në Gjermani. Për të fundi i traditës disa shekullore të minierave nuk diskutohet. Kështu u shpreh Müntefering një javë më parë në Bochum: "Industria e nxjerrjes së qymyrgurit është një industri moderne, me premisa për të ardhmen dhe ne do të ishim pa mend nëse do t'i jepnim asaj lamtumirën në një situatë historike. Unë i them "shumë fat!" industrisë së qymyrgurit."
Përshëndetja e minatorit "shumë fat" ndez sërisht emocione, të paktën për socialdemokratët në zonën e Ruhr-it. Dhjetë miniera punojnë atje ende, dikur kanë qenë 183. Rreth 36.000 minatorë zbresin ende në galeri. Në fund të viteve '50 rreth 600.000 minatorë punonin në miniera.
Zona e Ruhr-it vlerësohej si zemra e mrekullisë ekonomike gjermane, industria e minierave ishte motori i saj. Në kulmin e epokës së arit të zi, minierat siguronin punësim të plotë nga Dortmundi në Diusburg. Madje baronët e minierave dhe komunat luftonin ashpër për tërheqjen e minatorëve.
Sot zona e Ruhr-it ndodhet në një proçs transformimi strukturor. Në vend të sektorëve të qymyrgurit dhe çelikut mbizotërojnë vendet e punës në sektorin e shërbimeve. Qymyri e në rradhë të parë qymyri i gurit nuk është më konkurrues në tregun botëror. Përtej detit ai përftohet direkt në shtresat e para të sipërfaqes së tokës ndërkohë që në Gjermani rezervat ndodhen shpesh nën nivelin 1000 metra nën tokë. Nxjerrja është bërë shumë e shtrenjë. Një ton qymyrguri gjerman kushtonte kohët e fundit tre herë më shumë nga çmimi në tregun ndërkombëtar.
Federata dhe landi i Nordrhein - Westfalen ka shumë dekada që derdhin shuma disa miliardëshe si subvencione, fundi i qymyrgurit konsiderohej prej kohësh punë e mbaruar. Por prej një farë kohe çmimi në tregun botëror është rritur sërish. Uria e Kinës dhe Indisë për energji është shkaktari kryesor i kësaj ngritjeje. Kjo ka hapur një diskutim të ri mbi fatin e industrisë së qymyrgurit. Sindikata gjermane e industrisë së minierave, kimisë dhe energjisë (IGBCE) kërkon të ruajë një të ashtuquajtur substrat minierash. Dy deri tre miniera duhet të vazhdojnë të egzistojnë edhe për arsye të sigurisë kombëtare për furnizimin me energji argumenton zëdhënësi i sindikatës Christoph Meer: "Arsyeja më e rëndësishme është siguria e furnizimit me energji dhe para së gjithash aksesi në depozitat gjermane. Nëse dorëzojmë përfundimisht edhe depozitat e fundit do të nevojitej një dekadë për të arritur sërisht deri tek shtresat me qymyrguri. Ky sigurisht nuk është një instrument i përshtatshëm për të përballuar një krizë energjitike."
Qymyrguri, kërkojnë lobiistët e kësaj industrie, duhet të përbëjë 10% deri 12% të furnizimit kombëtar me energji. Por për mbështetjen e një propozimi të tillë nuk duket se egziston aktualisht ndonjë shumicë politike. Të gjelbrit gjermanë ashtu si dhe liberalët kërkojnë të dalin më mirë sot se nesër nga një biznes i subvencionuar. Kristiandemokratët dhe një pjesë e socialdemokratëve janë gjithashtu për dhënien fund një herë e mirë këtij biznesi.
Edhe vetë minatorët nuk janë më në barrikada. Ata janë tani të interesuar për perspektiva, rikualifime dhe zhdëmtime.
Por shkëputja përfundimtare nga nxjerrja e qymyrgurit do të nënkuptonte njëkohësisht edhe fundin e teknologjisë gjermane të minierave e cila ka një pozicion lider në botë. Pa miniera, teknika - për shembull në fushën e sigurisë - e cila do të jetë e nevojshme në Kinë e gjetkë për dekada me rradhë nuk mund të paraqitet më në veprim. Një nga eksportet më të suksesshme gjermane, teknika gjermane e minierave është kështu në rrezik akut, paralajmëron lobi i industrisë së qymyrgurit.
Reklamë