Gjermania në KS të OKB-së - një vend jo të përhershëm për dy vitet e ardhshme
2 Janar 2011Gjermania nuk do të mund të bëjë mrekulli në Këshillin e Sigurimit. Këtë e pengon vetë struktura e instancës. Pesë fuqitë me të drejtë vetoje SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani e Madhe kanë me plot kuptimin e fjalës fjalën e fundit. E megjithatë, ministri i jashtëm Guido Westerwelle ka arsye për t'u gëzuar.
Herën e fundit që Gjermania zuri vend në Këshillin e Sigurimit SHBA-ja u përpoq të legjitimonte sipas së drejtës ndërkombëtare luftën e Irakut. Dhe dështoi; kjo edhe në sajë të skepticizmit dhe të refuzimit të Gjermanisë. Anëtarët jo të përhershëm nuk janë krejt të parëndësishëm, në fund të fundit, rezolutat mund të miratohen vetëm me një shumicë prej nëntë votash në instancën 15-anëtarëshe.
Gjermania ka peshë në Këshillin e Sigurmit edhe për arsyen se si vend i madh zotëron tashmë infrastrukturën e nevojshme për një detyrë të tillë. Në qoftë se llogaritet edhe RDGJ-ja, atëherë gjermanët zënë vend për të gjashtën herë në tryezën e rrumbullakët të Këshillit. Diplomatët gjermanë në Nju-Jork, së pari ambasadori Peter Wittig, as nuk duhet të mësojnë se si bëhet politikë në OKB, ata kanë shumë kohë që marrin pjesë në këtë veprimtari në sfond.
Si anëtar në Këshillin e Sigurmit Gjermania mund të vërë thekse. Një rast i mirë paraqitet në shndërrimin e klimës, një temë me rëndësi jetike për shumë shtete ishuj. Me këtë Gjermania bëri reklamë gjatë kandidaturës së saj. Tani është mundësia që tema të ngrihet në rend të ditës. Sepse në një letër drejtuar instancës së OKB-së shumë shtete ishuj kanë kërkuar tashmë që Këshilli i Sigurimit të merret me të. Kur kërcënojnë përmbytje dhe thatësira, kur njerëzit janë të detyruar të lëshojnë atdheun, klima kthehet për shumë vende në çështje të sigurisë kombëtare.
Në vitin 2012 ofrohet edhe një mundësi tjetër për gjermanët që të çojnë përpara temat që i ka veçanërisht për zemër ministri i tyre i jashtëm: çarmatimi dhe dhënia fund konfliktit në Lindjen e Afërme. Në një konferencë planifikohet të miratohet ngritja e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Afërme. Kjo është një temë delikate për arsye se e gjithë bota supozon se Izraeli zotëron armë bërthamore pa e pranuar, dhe ngaqë Izraeli është një prej tri vendeve që nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore.
Se si qëndrojnë atëherë gjërat në konfliktin bërthamor me Iranin, kjo vetëm mund të hamendësohet. Gjermania negocion këtu tashmë me pesë fuqitë me të drejtë vetoje, deri tani pa sukses. Së paku për dy vjet gjermanët mund të votojnë vetë në të gjitha rezolutat.
Në këtë mes Gjermania bën mirë që në të gjitha vendimet e rëndësishme të bashkërendohet me vendet e tjera evropiane. Sepse një vend për BE-në, siç e parashikon marrëveshja e koalicionit midis CDU/CSU-së dhe FDP-së, nuk do të ketë në të ardhmen e afërt. Dhe mirë është kështu. Këshilli i Sigurimit duhet të jetë në gjendje që të vendosë shpejt në raste krize. Por Bashkimi Evropian nuk është ende në gjendje të dërgojë një përfaqësues, i cili do të ishte në gjendje për diçka të tillë.
Në përgjithësi do të ishte një konkluzion i gabuar të mendoje se vendi jo i përhershëm do ta çonte qenësisht përpara Gjermaninë në rrugën drejt një vendi të përhershëm. Reforma e Këshillit të Sigurimit ka mbetur në qorrsokak, fuqitë me të drejtë vetoje nuk janë të interesuara që ndikimi i tyre të zvogëlohet. Pra në dy vitet e ardhshme Gjermania duhet të përqendrohet tek e bërshmja. Dhe si fuqi jokolonialiste të angazhohet për interesat e Afrikës, të Amerikës Latine dhe të Azisë, të përfaqësuara jo siç duhet. Atëherë do ta kishte shfrytëzuar me kuptim vendin e vet në këshill.
Autor: Christina Bergmann
Redaktoi: Elert Ajazaj