Gjermania magnet për migrantët
8 Maj 2013Vitin e kaluar kanë ardhur në Gjermani 1, 08 milionë njerëz. Këta janë 123.000 më shumë se në vitin 2011, siç bën të ditur Enti Federal i Statistikave në Visbaden. Shumë njerëz kanë ardhur kryesisht nga hapësira e BE-së. Pjesa më e madhe e emigrantëve vijnë nga vendet jugore të Evropës, të cilët ndodhen në krizë: Nga Spanja kanë ardhur 45 përqind më shumë emigrantë krahasuar me vitin 2011, nga Greqia dhe Portugalia 43 përqind më shumë.
Megjithatë Polonia mbetet vendi me numrin më të madh të emigrantëve. Nga Polonia kanë ardhur në Gjermani 68.100 persona. Ndërkohë që Enti Federal i Statistikave ka regjistruar 712.000 të larguar nga Gjermania. Prej tyre dy të tretat kanë qenë të huaj dhe vetëm një e treta gjermanë.
Ekspertët e vlerësojnë këtë tendencë
Ekspertët e tregut të punës e vlerësojnë si pozitiv këtë zhvillim. Emigracioni krahas rritjes së aktivitetit të punës tek gratë dhe të moshuarit kontribuon edhe për përballimin e mungesave në tregun e punës, që është pasojë e zvogëlimit të popullsisë.
Ministrja e Punës, kristiandemokratja Ursula von der Leyen u shpreh gjithashtu, se ky është një zhvillim pozitiv: "Nuk është fjala vetëm për numrin, por në radhë të parë cilësia e re e migracionit është një shans", i tha ajo gazetës "Die Welt". "Kjo e ndihmon vendin tonë, e bën atë më të ri, më kreativ dhe më ndërkombëtar." Në rastin më ideal tregu evropian i punës mund të behët epiqendra për dijet profesionale dhe mirëqenien.
Edhe partia liberal-demokrate, FDP, i vlerësoi si "lajm i klasit të parë" shifrat rekord të migracionit. Gjermania duhet që përveç tregut të brendshëm evropian të punës të zhvillojë edhe "një kulturë të vërtetë të mirëseardhjes, për t'i ftuar konkretisht dhe në mënyrë aktive talentet nga e gjithë bota", tha politikani liberal-demokrat Johannes Vogel. Sipas tij, për këtë arësye duhet të modernizohet edhe më tej e ligji i migracionit.