Gjermania kërkon kryesinë e Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut
4 Shkurt 2014Gjermania do që me 2015 të ketë presidencën e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. "Ne jemi të gatshëm të marrim më shumë përgjegjësi dhe të punojmë që Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut të ketë më shumë influencë", përgjigjet zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, e pyetur nga Deutsche Welle.
Presidenti i Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut emërohet çdo vit nga njëri prej pesë grupeve të vendeve. Aktualisht presidencën e ka Grupi i Afrikës, i cili ka emëruar diplomatin nga Gaboni, Baudelaire Ndong Ella, për president. Vitin e ardhshëm ky post i takon vendeve nga Evropa Perëndimore, të cilat gjatë këtij viti do të vendosin se kush do ta drejtojë këtë Këshill. Deri tani vetëm Gjermania ka paraqitur kandidaturën.
Presidenti është në radhë të parë ndërmjetësues
Ndër detyrat kryesore të presidencës është afrimi i pozicioneve dhe sigurimi i shumicës për votime. Presidenti i këtij Këshilli shpesh është cilësuar në Gjenevë si një tigër pa dhëmbë, sepse për dallim prej KS të OKB, ai nuk mund të kërcënojë me sanksione. Por ka mundësinë që të shtrojë pyetje dhe të kërkojë nisjen e hetimeve për gjendjen e të drejtave të njeriut në ndonjë vend. Por jo të gjitha 47 vendet anëtare të këtij Këshilli, të cilat zgjidhen nga Asambleja e OKB-së, janë mbështetëse të denja të të drejtave të njeriut. Kjo vlen edhe për vendet si Kina, Rusia, Arabia Saudite, apo Kuba, të cilat janë zgjedhur në këtë Këshill për tri vitet e ardhshme.
Në fjalimin e tij para Këshillit në shkurt të vitit 2013 presidenti i Gjermanisë Joashim Gauck tha: "Bashkësia ndërkombëtare ua ka besuar detyrën e ndjeshme, që të veproni në rastet, kur vendet nuk tregojnë përgjegjësi për të drejtat e njeriut."
Deri sot Philippe Dam, përfaqësues i Organizatës për të Drejtat e Njeriut Human Rights Watch, nuk i ka harruar fjalët e presidentit gjerman. Ai mendon se Gjermania mund të ndihmojë përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut. Në bisedë me Deutsche Wellen Dam thekson se presidenca e Këshillit megjithatë nuk ka ndonjë influencë tepër të madhe, por mund të ndihmojë. "Presidenca bashkëpunon me të gjitha vendet anëtare dhe influencon klimën e përgjithshme për një përgjegjësi më të lartë. Parimet e udhëheqësisë luajnë një rol të rëndësishëm", pohon Dam, i cili përshëndet gatishmërinë e Gjermanisë, që të marrë këtë detyrë në vitin 2015.
Të përmirësohen të drejtat sociale
Ish ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle deklaroi me rastin e prezantimit të kandidaturës se një vëmendje e rëndësishme duhet t'i kushtohet jo vetëm të drejtave politike, por edhe sociale.
Të drejtat sociale për ujë, ushqime dhe arsim janë një prej kërkesave kryesore të vendeve jugore, ndërsa ato perëndimore më shumë përqendrohen tek të drejtat politike. Por ndërkohë janë afruar kërkesat e këtyre zonave.
"Kemi një varg iniciativash, të cilat i ka nisur Gjermania. Ndër to janë edhe rezoluta për të drejtën e furnizimit me ujë dhe shërbime shëndetësore, luftimin e kontrabandimit me njerëz dhe të drejtën për banim dinjitoz", thotë Wolfgang Heinz nga Instituti gjerman për të Drejtat e Njeriut. Në përgjithësi ekspertët thonë se Gjermania është e përgatitur mirë për këtë post, sepse në të kaluarën i ka kushtuar një vëmendje të madhe të drejtave të njeriut. "Gjermania është e hapur dhe konstruktive, kur bëhet fjalë për tema të ndryshme dhe kërkon pika të përbashkëta në bisedime me vendet e rajoneve të ndryshme."
Rezoluta kundër NSA dhe spiunimit
Një problem aktual të të drejtave të njeriut Gjermania e ka theksuar që tani. Së bashku me Brazilin ka kërkuar në dhjetor të vitit 2013 që në Asamblenë e përgjithshme të OKB të nxirret një rezolutë kundër spiunimit në internet. Kjo është kërkuar pas bërjes publike të të dhënave për spiunimin masiv nga NSA. Aktualisht Komisariati i Lartë i OKB për të Drejtat e Njeriut po përgatit një raport për aferën e spiunimeve. Raporti do të paraqitet gjatë vitit para Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut.
Gjermania ka bërë të ditur së fundi se do të angazhohet më fuqishëm edhe në misionet ushtarake jashtë vendit. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier ka deklaruar se Gjermania si një prej vendeve më të fuqishme ekonomike muk mund të përjashtohet nga zgjidhja e konflikteve. Presidenca në Këshilliin e OKB për të Drejtat e Njeriut përshtatet mirë me këtë koncept.