Gjermania, Franca dhe Italia mbështesin heqjen e tarifave
2 Prill 2020Ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe disa vendeve tjera të BE-së e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë. Qeveria e Kosovës hoqi tarifat, por vendosi masë reciprociteti tregtar ndaj Serbisë. E kjo masë u kritikua nga SHBA, e cila pohon se kjo e dëmton ekonominë e Kosovës. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, shkruan se Gjermania mirëpret vendimin e Qeverisë në detyrë për të hequr plotësisht tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Sipas tij, ky "vendim është parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
"Tash të dyja palët kanë për të detyrë të rindërtojnë besimin gradualisht që procesi i udhëhequr nga BE-ja të nisë sa më shpejtë. Ankesat ekzistuese si barrierat jo-tarifore duhet të zgjidhen nga Kosova dhe Serbia brenda kornizës ekzistuese të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. BE-ja ka ofruar këtu mbështetje, e cila duhet të shfrytëzohet për të krijuar mundësi të barabarta për mallrat nga të dyja palët tani. Të gjitha vendet, sikurse edhe Kosova e Serbia, po përballen me sfidën e pashembullt me virusit Corona. Kjo nuk është kohë për manovra politike, por për t'u përqendruar në tejkalimin e krizës shëndetësore për popullatën. Bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të madhe në këtë kontekst”, shkruan ambasadori gjerman Christian Heldt. Edhe ambasadorët e Francës dhe Italisë shkruajnë në Twitter, se e mbështesin qëndrimin gjerman dhe e mirëpritën vendimin e qeverisë në detyrë për heqjen e plotë të tarifave ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës.
"Italia mirëpret heqjen e tarifave nga ana e Kosovës. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja tani duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjitha çështjet në pritje me Serbinë duhet të adresohen brenda kësaj kornize. Lufta kundër Coronavirusit kërkon përpjekje dhe bashkëpunim të përbashkët”, shkran ambasadori italian në Twitter.
SHBA kundër
Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë u shpreh kundër reciprocitetit që u vendos nga qeveria e Kosovës, pas heqjes së tarifës ndaj mallrave të Serbisë. Sipas ambasadës amerikane, " Këto masa krijojnë probleme”.
"Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t'i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.
Heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë, e mirëpriti edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim Oliver Varhelyi, i cili shkruan se "heqja e tarifave, është esencial për vazhdimin e dialogut me Serbinë”.
BE pro
"Përshëndes vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, që është esencial për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Të gjitha barrierat tregtare duhet të hiqen. Bashkëpunimi rajonal është çelës dhe i domosdoshëm edhe për luftimin e përhapjes së koronavirusit”, shkroi Varhelyi.
Heqja e tarifës dhe vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, sipas një plani të menduar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, por jo i dakorduar nga partneri i tij qeverisës LDK-së, ishte njëri nga shkaqe e përplasjes mes partive të koalicionit, që rezultoi me mosbesimin ndaj qeverisë Kurti.
Presidenti vazhdoi kosultimet
Presidenti Hashim Thaçi, po vazhdon kosnsultimet me partitë politike për të parë sesi të procedohet më tutje, të kërkohet formimi i një qeverie të re me mbështetjen e shumicës së kësaj legjislature të Kuvendit, apo të shpallen zgjedhjet e reja. Partia që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, lëvizja Vetëvendosja, që ka 29 deputetë në parlament, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja. Mirëpo, partitë tjera parlamentare po preferojnë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja në këtë fazë me të cilën edhe Kosova po ballafaqohet me virusin Corona, por të formohet një qeveri më bazë të gjerë.