Gjermania e indinjuar për shkak të sulmeve në Norvegji
24 Korrik 2011Në Berlin mbizotërojnë indinjata dhe pikëllimi për atentatin e tmerrshëm të dyfishtë në Norvegji. Presidenti gjerman Christian Wulff në një telegram i shprehu mbretit të Norvegjisë Harald keqardhjen e tij: "Gjermania dhe gjermanët janë krah jush në këto momente të vështira", shkruan presidenti Wulff.
Të premten në mbrëmje pas atentateve kancelarja Angela Merkel u shpreh për ngjarjen. Është ende herët për të ditur sfondin e ngjarjes së rëndë, tha Merkel në një deklaratë me shkrim. Por është e qartë se të gjithë ata që besojnë në bashkëjetesën paqësore dhe demokraci, duhet të dënojnë ashpër këtë akt terrorizmi, pavarësisht motiveve që e kanë nxitur.
Gjermania përkrah popullit norvegjez
"Qeveria gjermane dhe gjermanët janë përkrah popullit norvegjez me solidaritet", tha Merkel, e cila të premten pasdite me një konferencë shtypi në Berlin, u nda për të nisur pushimet.
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e mori lajmin për ngjarjet e rënda në Oslo dhe ishullin Utöya gjatë kthimit nga vizita e tij dyditore në Afganistan. Pas mbërritjes në Berlin, në orët e vonëta të mbrëmjes ai foli për gazetarët: „Ne i dënojmë shumë ashpër këto atentate të tmerrshme në Norvegji. U dërgojmë familjeve të viktimave ngushëllimet tona. Ne pikëllohemi për viktimat dhe qëndrojmë me solidaritet në krah të popullit norvegjez. Kjo ngjarje tregon se edhe Evropa duhet të jetë vigjilente ndaj terrorizmit dhe atentateve terroriste. Ne ende nuk e njohim sfondin e saktë, por një gjë është që tani e qartë: nuk ka asnjë justifikim për akte të tilla barbare.“
Të shtohet vigjilenca
Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich u bëri thirrje gjermanëve të shtojnë vigjilencën. Por për Gjermaninë nuk ka ndryshime në situatën e sigurisë, deklaroi ai për shtypin. Në vlerësimet e para menjëherë pas aktit, ekpertët folën për një sfond të mundshëm islamist të atentateve. Ndërkohë është bërë e qartë se autori është një norvegjez me prirje nacionaliste dhe islamofobe.
Të shtunën paradite edhe kryetarët e Partisë Ekologjiste gjermane Claudia Roth dhe Cem Özdemir, deklaruan se ishin pa fjalë dhe plot pikëllim përballë këtij krimi burracak dhe të përbuzshëm. "Sa shumë urrejtje duhet të ketë një njeri për të kryer akte të tilla mizore dhe për të vrarë njerëz të pafajshëm?"
Fakti që atentatori i përket skenës ekstremiste të djathtë tregon edhe njëherë se sa të rrezikshme janë ideologjitë raciste dhe ksenofobe. "Ne nuk duhet t'u lëmë asnjë vend atyre në shoqëritë tona të hapura", theksuan dy politikanët ekologjistë. Kjo vlen njëlloj për Novergjinë dhe Gjermaninë.
Autor: Bettina Marx/Eliana Xhani
Redaktoi: Bahri Cani