1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania drejton kryesinë e Këshillit të Sigurimit

qu/pg (dpa, afp)1 Shtator 2012

Në shtator Gjermania ka rotacionin e drejtimit të kryesisë së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ministri i Jashtëm Westerwelle gjatë kësaj periudhe do të nisë iniciativa të reja kundër regjimit të Asadit.

https://p.dw.com/p/161sM
Fotografi: Reuters

Republika Federale e Gjermanisë për një muaj do të drejtojë kryesinë e Këshillit të Sigurimit. Gjatë këtij rotacioni do të përpiqem të ndërmarr iniciativa për izolimin e mëtejshëm të regjimit të Asadit në Siri, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në kuadër të një vizite në Hong Kong. Njëkohësisht ai tërhoqi vëmendjen, se edhe gjatë konferencës së vendeve të painkuadruara në blloqe, që i zhvilloi punimet në Teheran, doli në pah se „po avancon gjithnjë e më shumë“ izolimi i regjimit të Bashar al-Asadit. Westerwelle përshëndeti faktin, që presidenti i Egjiptit Mohammed Mursi iu adresua me mesazh të qartë Asadit. Kreu islamist i shtetit nga Kajro u angazhua në këtë konferencë për mbështetjen e kundërshtarëve të Asadit.

Westerwelle Hong Kong
Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle gjatë vizitës në Hong Kong (31.08.2012)Fotografi: AP

Kryediplomati Brahimi do të ndërmjetësojë në konfliktin e Sirisë

Më 1 shtator nisi punën edhe i dërguari i ri i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi. Ndryshe nga paraardhësi i tij Kofi Annan, i cili e ka selinë në Gjenevë, diplomati algjerian në të ardhmen do të jetojë në Nju Jork. Atje ai shpreson që të mund ta verë në lëvizje Këshillin e Sigurimit, i cili është i përçarë lidhur me përcaktimin e një plani të përbashkët për t’i dhënë fund dhunës në Siri.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon e përshëndet të ngarkuarin e ri për Sirinë Lakhdar Brahimi në Nju Jork, ku në instancën më të lartë të OKB-së dy fuqitë e mëdha me të drejtë vetoje Rusia dhe Kina e kanë penguar deri tani një ndërhyrje më të ashpër kundër regjimit të Asadit. Westerwelle e quajti këtë një bllokadë. Ambasadori gjerman në OKB Peter Wittig nuk pret të ketë ndonjë sukses sa i përket konfliktit për Sirinë: "Ne jemi të destinuar për mosveprim“, tha Wittig. Ai nuk parashikon gjatë hapave të mëtejshme arritjen e një rezolute apo të vendimit për reagime solide nga ana e Këshillit të Sigurimit. Vendosja për herë të tretë e vetos në korrik nga Rusia dhe Kina kundër një rezolute tani për tani „e ka nxjerrë nga loja“ Këshillin e Sigurimit . Gjermania është që në fillim të vitit 2011 për dy vjet anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe ka pasur rotacionin e drejtimit të kryesisë edhe në korrikun e vitit 2011. Deri në fund të vitit Republika Federale është një ndër dhjetë anëtarët jo të përhershëm të instancës më të lartë të OKB-së. Krahas Rusisë dhe Kinës edhe SHBA-ja, Franca, dhe Britania e Madhe janë anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit.

Peter Wittig Botschafter Deutschland UN Sicherheitsrat
Peter Wittig, ambasadori i Gjermanisë në OKBFotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania do të forocjë rolin e Ligës Arabe

Në kuadër të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit është planifikuar edhe një seancë e Këshillit të Sigurimit nën drejtimin e ministrit të Jashtëm Westerwelle lidhur me mosmarrëveshjet në Ligën Arabe. Në këtë seancë „do të diskutohet për Sirinë, por jo vetëm për Sirinë“, tha ambasadori gjerman në OKB Wittig. Gjermania do të përpiqet edhe për forcimin e rolit të Ligës Arabe në nivelin ndërkombëtar. Kjo aleancë e shteteve arabe është zhvilluar si një organizatë e aftë për të vepruar, e cila angazhohet për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin ligjor. "Ndaj OKB-ja patjetër duhet të ketë marrëdhënie më të ngushta me Ligën Arabe“, i tha Wittig Agjencisë Gjermane të Shtypit në Nju Jork. Një sërë temash të OKB-së ndërkohë kanë të bëjnë me botën arabe. Iniciativa gjermane do të mbështetet nga vendet e tjera: “Deri tani nuk kemi dëgjuar ndonjë refuzim, por sidoqoftë për ne ky është një terren i panjohur", vë në dukje Wittig.