Gjermani: Shtohet dhuna seksuale ndaj fëmijëve
16 Korrik 2024Numri i rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve të raportuara zyrtarisht në Gjermani pati një rritje të ndjeshme në vitin 2023. Tre të katërtat e viktimave të abuzimit ishin femra. Në shumë raste autorët ishin vetë të rinj.
Rastet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Gjermani janë rritur ndjeshëm. Raporti për për veprat penale seksuale i paraqitur nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) për vitin 2023 bazohet në shifrat e statistikave të policisë dhe organizatës amerikane Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC), e cila heton materiale me përmbajtje pornografike me fëmijë dhe të rinj që shpërndahen në internet.
Shtohen rastet e abuzimit seksual të fëmijëve nën 14 vjeç
Në vitin 2023 hetuesit gjermanë regjistruan 16,375 raste abuzimi seksual ndaj fëmijësh nën moshën 14 vjeç. Kjo është një rritje prej 5.5 për qind në krahasim me vitin 2022. Kurse numri i rasteve të shpërdarjes në internet të materialeve pornografike me fëmijë dhe të rinj përfshirë edhe filmimin e abuzimit seksual të fëmijëve u rrit me 7.4 për qind në rreth 45,000 raste. Ky konstatim u bë kryesisht falë shkak të raporteve të shumta nga jashtë.
Tre të katërtat e fëmijëve që kanë pësuar dhunë seksuale ishin vajza, 94 për qind e autorëve janë meshkuj dhe zakonisht veprojnë vetëm. Në më shumë se gjysmën e rasteve të regjistruara, autorët dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin ose i përkisnin të njëjtës familje.
Më shumë "vetëfilmues" përmbajtjesh pornografike
Edhe rastet e abuzimit seksual të të rinjve nga mosha 14 deri në 17 vjeç janë shtuar me 5,7 për qind. Në vitin 2023 u regjistruan 1.200 akte dhunimi, kurse numri i viktimave u rrit me 5,5 për qind duke shkuar në 1.277 persona. Edhe në këtë grupmoshë më shumë se tre të katërtat e viktimave ishin femra dhe më shumë se 90 për qind e autorëve ishin meshkuj.
Raporti thekson gjithashtu se 30 për qind e të dyshuarve ishin vetë fëmijë apo të rinj. BKA shkruan se të miturit shpesh kryejnë marrëdhënie seksuale me moshatarët e tyre ose me persona në moshë të re dhe shpesh nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë penale të veprimeve të tyre.
Kjo vlen sidomos në fushën e pornografisë me të mitur dhe të rinj. Në vitin 2023 pothuajse 40 për qind e të dyshuarve për prodhim dhe shpërndarje përmbajtjesh pornografike ishin vetë të mitur, thuhet në raport. Një pjesë e madhë e tyre janë të ashtuquajturit "vetëfilmues", pra persona që filmojnë veten më pas i hedhin dhe shpërndajnë xhirimet pornografike në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë ata kryejnë një vepër penale, sepse prodhimi, shpërndarja, përvetësimi dhe zotërimi i përmbajtjeve pornografike me të mitur është sipas ligjit e dënueshme.