Ekonomia gjermane në prag të recesionit
27 Nëntor 2024Pas një përmirësimi afatshkurtër në tetor të këtij viti, parashikimi i drejtuesve kryesorë të kompanive gjermane u përkeqësua sërish në nëntor. Indeksi ibiznesitifo ra në nëntor në krahasim me një muaj më parë - nga 86.5 pikë në 85.7. Këtë e ka bërë të ditur Instituti ifo nga Mynihu pas një sondazhi të kryer me rreth 9000 drejtues të kompanive gjermane.
Pas katër rënieve të njëpasnjëshme (nga qershori në shtator), indeksi ifo është rritur në tetor. Por tani prapë ka rënë dhe drejtuesit e kompanive me skepticizëm e shohin perspektivën e bizneseve të tyre, pra perspektivat e biznesit në muajt e ardhshëm. "Ekonomisë gjermane i mungon forca”, kështu i përmblodhi presidenti i ifo-s, Clemens Fuest, rezultatet e sondazhit aktual.
Disponimi në sektorin e shërbimeve u përkeqësua ndjeshëm, po ashtu edhe në kompanitë e industrisë. Arsyeja është rënia e numrit të porosive.
Vazhdimi i krizës
Një seri e tërë sinjalesh ekonomike çojnë në konstatimin se akoma nuk ka rrugëdalje të qartë nga kriza në Gjermani. Të dhënat e fundit për zhvillimin ekonomik (nga java e kaluar) zbuluan se ekonomia gjermane u rrit me vetëm 0.1% në tremujorin e verës 2024. Por në tremujorin e dytë dhe të parë ekonomia ka rënë me 0.3% dhe 0.2 për qind. Ekspertët flasin për një recesion teknik pas dy tremujorësh negativë radhazi.
Një tjetër indeks i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, ka rënë ndërkohë në nivelin më të ulët në nëntë muajt e fundit - i ashtuquajturi "Indeksi i blerjes".
Kriza edhe në industrinë e ndërtimit
Shqetësim mbretëron edhe në sektorin e ndërtimit, sidomos pas të dhënave të sapo publikuara për punimet e porositura në periudhën në vijim. Pas një rritje të numrit të vendeve të punës në gusht, kërkesa për shërbime të ndërtuesve ra sërish ndjeshëm në shtator. Krahasuar me një muaj më parë, vëllimi i marrëveshjeve të dakorduara ra me 12.4%, njoftoi Zyra Federale e Statistikave. Kur merren parasysh tre tremujorët e parë të vitit 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërtimtaria në Gjermani regjistroi një minus prej 2 për qind.
Në raportin e saj mujor, banka qendrore gjermane (Bundesbank) supozon se ndërtimtaria mund të jetë një nga sektorët që do të vazhdojë të pengojë zhvillimin e ekonomisë, pra PBB-së.
"Kostot ende të larta të financimit, pasiguria e theksuar ekonomike dhe politike vazhdojnë të kenë ndikim negativ në investimet, e rrjedhimisht në kërkesën për shërbime ndërtimi”.
Pritet që pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ekonomia gjermane të përballet me sfida edhe më të mëdha. Trump gjatë fushatës zgjedhore ka bërë të ditur se planifikon të vendosë tarifa ndëshkuese për importet nga Evropa. Pikërisht Gjermania, si kampione evropiane e eksporteve, është ajo që mund të vuajë veçanërisht për shkak të një politike të tillë të izolimit ekonomik.
Parashikimet pesimiste
Kjo është edhe arsyeja pse pesimizmi i ekonomistëve gjermanë nuk është befasues. Nuk është ndonjë çudi që ekonomistët hezitojnë nga fitorja e Donald Trump, sepse ai do të insistojë në mbrojtjen e ekonomisë amerikane dhe kërcënon me dogana ndëshkuese për importet. E një kërcënim serioz është edhe kriza qeveritare në Gjermani, sepse qeveria aktuale nuk ka mbështetje në Bundestag. Së shpejti në Gjermnai priten zgjedhjet e parakohshme.
DW